.

.

BallinaAktualitetMaturantët e ‘pandemisë’, sfida më e madhe ajo psikologjike

Maturantët e ‘pandemisë’, sfida më e madhe ajo psikologjike

ANXHELA RUÇI

Mbi 31 mijë maturantë do t’u nënshtrohen testeve të maturës shtetërore në një situatë dhe kushte të jashtëzakonshme. Pavarësisht se sa kanë arritur të përfitojnë gjatë muajve të mësimit online, pyetjet e provimeve sipas Ministrisë së Arsimit do përqëndrohen gjatë periudhës para nisjes së pandemisë. Megjithatë sfida më e madhe e tyre, sipas ekspertit është përshtatja dhe tejkalimi në aspektin psikologjik i situatës.

—————————————————————————————————————————————–

Nga data 8 deri në 18 qershor në të gjithë vendin do të mbahen provimet e maturës shtetërore. Janë mbi 31 mijë maturantë që do të japin provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Matematikës dhe lëndëve me zgjedhje, në një situatë emergjence për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Rozana Vrapi, drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore lajmëroi se këtë vit, provimet e maturës do të kenë disa ndryshime thelbësore, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Provimet do të jenë me alternativa, duke shmangur pyetjet me shtjellim, kohëzgjatja e provimit do të jetë 2 orë nga 2 orë e 30 minuta që ka qenë më parë, ndërsa provimi do të përmbajë 60 pyetje.

Programi për testet e maturës është rishikuar dhe temat që nxënësit kanë zhvilluar gjatë mësimit online, proces i cili ka nisur që nga marsi e në vijim, nuk do të përfshihen në provimet përfundimtare të maturës shtetërore.

Infografikë, Faktoje.al

Maturantët përballë provimeve të maturës dhe këndëvështrimi i  ekspertit të arsimit

“Faktoje” ka komunikuar me disa maturantë të cilët i ndan vetëm një muaj nga provimet e maturës shtetërore. Shumica e tyre thanë se ndihen të përgatitur për dhënien e provimeve, por shprehin dhe pasiguritë që ka krijuar shkëputja me pothuajse dy muaj nga bankat e shkollës.

Xhesika Myrtaj, një nga maturantet e shkollës “Mustafa Hoxha” në Cakran të Fierit thotë se asnjëherë nuk e kishte menduar se për provimet e maturës shtetërore do të përgatitej në këtë llojë forme, por është përshtatur me këtë situatë dhe është optimiste se gjithçka do të shkojë mirë.

Përgatitjet për provimet e maturës shtetërore i ka nisur që më 10 mars, me mësuesit e lëndëve përkatëse nëpërmjet mësimit online.  Pritshmëritë e saj janë që me rikthimin në shkollë në mesin e muajt maj, do të përmbushë boshllëqet e temat ku ka paqartësi.

Prof.As.Dr Jetmir Aliçka thotë për “Faktoje” se pavarësisht mësimit online apo përpjekjeve të tjera, rezultatet e maturantëve këtë vit nuk do të jenë si vitet e tjerë. Kjo për shumë arsye që ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

“Sigurisht, që pritshmëritë nuk mund të jenë ato të një situate normale. Nuk është problemi vetëm tek njohuritë, apo aftësitë, që duhet të fitoheshin, por mendoj se gjatë kësaj kohe, disa nga reflekset, stereotipitë në përballjen me nxënien janë cënuar. Për rrjedhojë, pritmëritë nuk do të jenë ato që shpresonim.”

Ndryshe nga bashkëmoshatraja e saj, Ornela.M e cila mëson në gjimnazin“At Shtjefën Gjeçovi” në Laç, ndjen shumë pasiguri për rezultatet që do të marrë nga provimet e maturës shtëtërore. Ajo planifikon të studiojë për stomatologji, por pavarësisht përgatitjes në mësimin online, testeve që ka plotësuar nga vitet e kaluara dhe parapërgatitjes që ka bërë për provime, ka ende frikë.

Shqetësimeve të maturantëve përveç përgatitjes nga ana pedagogjike u është shtuar edhe ndikimi psikologjik që ka sjellë situate e COVID-19 dhe shkëputja nga shkolla pak muaj përpara provimeve.

Sipas Aliçkajt kalimi nga një proces shpjegimi i gjallë, konkret dhe social, në një process tërësisht virtual, padyshim që do të kërkonte një punë më të madhe jo vetëm në shpjegim, por edhe në ndikimin psikologjik të nxënësve.

“Kjo gjendje e jashtëzakonshme, ka bërë që të gjithë të mendojmë ndryshe, pse jo dhe të veprojmë ndryshe me një ngarkesë jo të vogël psikologjike. Aq më tepër tek maturantët. Nga pikpamja pedagogjike, u desh një punë jashtëzakonisht e madhe si nga mësuesit, nxënësit, prindërit të përballonin një proces nxënie e mësimdhënie krejt ndryshe nga më parë.”

Ministria e Arsimit ka njoftuar se nxënësit përpara se të hyjnë në klasat për të dhënë provimet e maturës shtetërore do të masin temperaturën, do të dizinfektojnë duart me alkool 60% dhe do të jenë të pajisur me masa mbrojtëse. Provimi i parë, do të zhvillohet më 8 qershor 2020.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img