BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëKur do të ketë Shkodra infrastrukturën e plotë për korsitë e biçikletave?

Kur do të ketë Shkodra infrastrukturën e plotë për korsitë e biçikletave?

BEPIN KOLVATAJ

Në Shkodër, qytetin ku levizja me biçikletë është një traditë, krijimi i korsive të tyre dhe respektimi i sinjalistikës ka qenë një premtim i kryebashkiakes Voltana Ademi prej 2015-s. Anketat me qytetarët dëshmojnë pakënaqësitë e tyre për infrastrukturën që duhet të garantonte një lëvizje të sigurtë me biçikletë. Premtimi u ripërsërit nga zonja Ademi edhe në vitin 2018, por pavarësisht fondeve të parashikuara në buxhet, situata mbetet problematike.


Sa herë që hyn në qytetin e Shkodrës, vështirë mos të të bjerë në sy përdorimi në masë i biçikletave. Sipas një përllogaritjeje të bërë nga Bashkia Shkodër, gjatë hartimit të planit të mobilitetit në 2019-n, numri i përdoruesve të biçikletës në Shkodër i kalon 1 mijë persona, të të gjitha grupmoshave, në ditë.

Shkodra, në nivel europian, zë vendin e tretë për përdorimin e biçikletës, në raport me numrin e popullsisë, referuar “The Urban Mobility Observatory”. Por nëse përdorimi i saj është kaq i madh, infrastruktura për të garantuar lëvizjen, është e mangët.

Të lëvizësh me biçikletë në rrugët e Shkodrës, do të thotë të rrezikosh edhe jetën. Korsitë për biçikleta mungojnë në pjesën më të madhe të rrugëve dhe aty ku ekziston një sinjalistikë e posaçme, ajo shërben më shumë si dekor, pasi makinat që parkojnë aty, e bëjnë të pamundur kalimin.

Ne bëmë një vëzhgim në disa prej akseve kryesore në Shkodër për të verifikuar situatën në lidhje me korsitë e biçikletave.

*Rruga “Marin Beçikemi” në Shkodër, nëntor 2020

*Rruga “Ura Dervishbeg” në Shkodër, nëntor 2020

Në fushatën elektorale të vitit 2015, kryetarja në detyrë e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi gjatë prezantimit të programit, u ndal edhe tek ky element. Ai u promovua madje edhe në website-n “I am Voltana”, një aplikacion ku gjendeshin të gjitha informacionet, premtimet, investimet e parashikuara, etj.

Ky aplikacion nuk gjendet më, pas marrjes së detyrës si kryebashkiake nga zonja Voltana Ademi.

Megjithatë ajo e ka përmendur shpesh në daljet publike, mbledhjet e këshillit bashkiak, apo në dëgjesat me qytetarët, problematikën me korsitë e biçikletave.

“Ka një diskutim mes teknikëve lidhur me mënyrën e përdorimit të korsive të biçikletave. Në Shkodër ekzistojnë të sinjalizuara, por nga ana tjetër problematikat që lidhen me respektimin e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, lënë shumë për të dëshiruar.

Kemi arritur në një draft që do ta paraqesim. Duke qenë qyteti i vetëm që kemi bërë këtë plan, të mund ta çojmë deri në fund, për të rregulluar rrugët, trotuaret dhe korsitë e biçikletave. Eshtë e zbatueshme, do të varet nga fondet dhe ne kemi mundësi ta bëjmë këtë.”

Shumë qytetarë shkodranë shprehen të pakënaqur me gjendjen në terren dhe këtë e kanë reflektuar edhe në anketat e kryera nga vetë institucioni i Bashkisë Shkodër. Në vitin 2018 kur nisi puna për studimin e trafikut, u hartua edhe një raport, sipas të cilit, nga 1946 qytetarë të pyetur rezultoi se 651 prej tyre e vlerësonin “Shumë keq” situatën lidhur me numrin e korsive të biçikletave, 520 e vlerësuan “Keq”, 531 “Mjaftueshëm”, 180 “Mirë” dhe vetëm 65 prej tyre “Shumë mirë”.

E pyetur për “Faktoje”, në shtator të këtij viti, përse nuk është ndërhyrë siç u premtua në degjesën publike të dhjetorit 2018 për të përmirësuar korsitë e biçikletave, kryebashkiakja Voltana Ademi tha për Faktoje:

“Eshtë e vërtetë që nuk kemi mundur të nisim ende në terren ndërhyrjet, por fillimisht patëm probleme me fondet përgjatë 2019-s. Ishte e pamundur që fondin e alokuar të mund ta përdorim gjatë atij viti, prandaj e shtymë për në fillim të 2020-s. Në muajt e parë të këtij viti u përballëm me pandeminë që ndaloi gjithçka dhe ishte e pamundur të veprohej nga ana jonë.  Megjithatë fondet janë dhe patjetër që do të nisim t’i kryejmë të gjitha investimet e parashikuara me qëllim që të rrisim sigurinë e lëvizjes për biçikletat, duke përmirësuar infrastrukturën. Gjithashtu do të shtojmë atraksionet për të apasionuarit që lëvizin me këtë mjet me një projekt interesant në Malin e Taraboshit.”

Referuar buxhetit të Bashkisë Shkodër, përgjatë 2020-s janë parashikuar për mirëmbajtje rruge dhe trotuare, 11.749.000 lekë të reja. Ndërkohë, 4 milion lekë të reja janë parashikuar për investime në përmirësimin e sinjalistikës rrugore horizontale dhe vertikale dhe 3. 182. 000 lekë të reja për blerje të këtyre materialeve. Sa i përket lëvizshmërisë, në buxhetin e 2019-s është miratuar fondi prej 10. 494.000 lekë për t’u zbatuar pwrgjatw 2019 – 2020.

Lazër Çapaliku dhe Leopold Shkreli janë rreth të 80-tave, por nuk i janë ndarë për asnjë ditë biçikletës, prej më shumë se 6 dekadash. Sot, mosha e thyer i bën të jenë më të kujdesshëm në lëvizje.

“Ne ecim paralel me makinat dhe shpesh ndodhin aksidente. Tradita që kemi trashëguar me biçikletën, nuk duhet të humbasë apo të na kthehet nw bumerang. Eshtë domosdoshmëri që Shkodra të ketë korsitë e biçikletave. Janë pikë së pari normalizuese edhe të vetë trafikut që kanë sot rrugët e qytetit, por mbi të gjitha na mbrojnë jetën” -thotë Çapaliku.

Ndërsa Leopoldi, i cili përshkon thuajse çdo ditë pedonalen “Kolë Idromeno”, për të lëvizur nga shtëpia e tij drejt bustit të Nënë Terezës, apo për të bërë pazarin, tregon:

“Të lëvizësh me biçikletë është ba më e vështirë se me makinë. Ka kaq shumë pasiguri, sa në të shumtën e rasteve duhet me u rujt prej makinave, vetë biçikletave apo edhe këmbësorëve. Ne si qytet e kena domosdoshmëri pasjen e korsive të dedikuara, me sinjalistiken e duhur dhe që na jep shpresën se këtë traditë kanë me e përcjell edhe rinia”- përfundon ai.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img