BallinaPertejKulla e Sahatit dhe Teqeja e Dollmës në Krujë, sa po kushton restaurimi?

Kulla e Sahatit dhe Teqeja e Dollmës në Krujë, sa po kushton restaurimi?

ILDA KURTI

Trashëgimia kulturore e Krujës në raportin e dëmeve të publikuar nga Ministria e Kulturës, përllogaritet se ka pësuar një dëm total prej 312.86 milionë lekësh.  Ndërhyrja emergjente dhe restaurimi i dy prej objekteve, Kullës së Sahatit dhe Teqesë së Dollmës, po realizohet nga “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, me financim të Fondit të Ambasadorëve, Fondit të Princ Klausit dhe Ambasadës Suedeze. Procesi i restaurimit po vijon, por ende nuk ka të dhëna sa sapo kushton restaurimi i dy objekteve historike.


Foto ilustruese e Kalasë së Krujës. Datë: 06.07.2021

Më 23 qershor 2020 u mbajt në Krujë ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes SHBA dhe Shqipërisë, ku për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës dhe Prezë, u akordua një grant pothuajse $800.000 i dhuruar nga Fondi i Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore.

Ky projekt dy-vjeçar do të fillojë punën në Kullën C në Durrës dhe më pas do të vazhdojë me punën në Teqenë e Dollmës këtu në Krujë, në Kalanë Mesjetare të Prezës dhe në Kullën e Sahatit të Kështjellës së Krujës.” – tha Ambasadorja Kim përgjatë nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në qytetin e Krujës.

Në raportin vjetor të publikuar nga Instituti i Kulturës për Tashëgiminë Kulturore për veprimtarinë e tyre përgjatë vitit 2020 shpjegohet se si katër prej objekteve të dëmtuara do të jenë subjekte përfituese të fondit prej 800.000 dollarësh nga Fondi i Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore, ku dy prej tyre gjenden në Krujë.

Foto e shkëputur nga “Raport Vjetor 2020”, publikuar nga IKTK. Fq. 14. Link.

Gjithashtu raporti shpjegon se institucionet shtetërore nuk kualifikohen për përfitimin e granteve në këtë program dhe për këtë, Ministria e Kulturës aplikoi përmes organizatës jo-fitimprurëse “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, (Cultural Heritage Without Borders) e cila është njësi zbatuese për restaurimin e këtyre objekteve historike.

Kulla e Sahatit të Kalasë së Krujës

Foto ilustruese e Kullës së Sahatit, Krujë. Datë: 06.07.2021

Kulla e Vrojtimit, e njohur edhe si Kulla e Sahatit në Kalanë e Krujës pësoi dëmtime shumë të mëdha nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.

Foto e shkëputur nga “Kërkesë për mbështetje financiare Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shtetit për Rindërtim”, Ministria e Kulturës. Burimi: Porta Vendore. Faqja 14.

Sipas vlerës së adresuar në raportin e MK, totali i dëmtimeve të Kalasë së Krujës është përllogaritur në vleftën 290.000.000 lekë, ku përfshihet Kulla e Sahatit dhe muret e fortifikimit, nga ku janë përllogaritur 7.682.930 lekë për projektin e emergjencës dhe 20.300.000 lekë për vlerësim, studim dhe projektim.

Foto ilustruese e Kalasë së Krujës. Datë: 06.07.2021

Projekti i emergjencës në Kalanë e Krujës përfshinte bashkëpunimin me njësitë vendore për vendosjen e perimetrave të sigurisë dhe tabelave parandaluese nga Drejtoria Rajonale Kulturore e Tiranës. Po ashtu, stafet teknike të mirëmbajtjes kanë kryer çmontimin pjesor të disa prej strukturave të rrezikuara për rënie në murin e Kalasë së Krujës.

Foto e shkëputur nga “Masat e marra”, Ministria e Kulturës. Burimi: Porta Vendore. Faqja 8.

Në vijim të rrezikut potencial për shkëputjen e masivit shkëmbor poshtë Kullës së Sahatit në Kalanë e Krujës, nga ana e IKTK-së i është kërkuar Bashkisë Krujë të marrë masat për evakuimin e të gjithë banorëve dhe bizneseve që ndodhen në zonën e rrezikuar deri në raportimin më të detajuar të situatës nga ana e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe nga forcat e Xhenjos së ushtrisë.” – shkruhet në raportin e Ministrisë së Kulturës.

Faktoje ka dërguar një Kërkesë për Informacion pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar në lidhje me raportet gjeologjike që ata kanë kryer në Krujë. Në përgjigjen zyrtare, ky institucion na informoi se: “Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ka kryer studimin vetëm për Kalanë e Krujës, pra bëhet fjalë për “Raportin Gjeologjik për Kalanë e Krujës, muret perimetrale dhe terreni shkëmbor poshtë kullës së Sahatit të kalasë së Krujës”.

Në raportin e MK bëhet me dije se sa parashikohet të kushtojë procesi i restaurimit.

Foto e shkëputur nga “Kërkesa dhe aplikime për mbështetje financiare nëpërmjet programeve të financimit dhe Donatorë potencialë”, Ministria e Kulturës. Burimi: Porta Vendore. Faqja 15.

Faktoje iu drejtua organizatës CHVVB (Trashëgima Kulturore pa Kufij) për të mësuar më shumë rreth mbarëvajtjes së punimeve. Prej tyre morëm përgjigjen, se prej datës 31 mars kur punimet kanë nisur, është kryer 90% e volumit të restaurimit. Punimet do të zgjasin 6 muaj dhe pritet që të përfundojnë në muajin shtator 2021.

Proceset e realizuara:

  • Hartimi i projektit të ndërhyrjes emergjente përforcuese
  • Përgatitja e kantierit dhe ngritja e skelerisë
  • Sigurimi i pjesëve të rrezikshme
  • Lidhja me fasha poliestri
  • Montimi i përforcimit me elementë çeliku
  • Plotësimi i muraturës së rrëzuar
  • Sistemi dixhital i monitorimit të strukturës

Proceset në vijim:

  • Punime shtesë për pajantimin e brendshëm, qeramosjen e çatisë, plotësime shtesë në muraturë dhe krijim aksesi më të detajuar të projektit
  • Tirantim i kavove të çelikut
  • Dokumentim i detajuar i strukturës
  • Projekti i plotë i restaurimit
  • Zbatimi i projektit të plotë të restaurimit.

Foto ilustruese e tabelës informuese. Datë: 06.07.2021

Gjithashtu në përgjigjen e “Trashëgimia Kulturore Pa Kufij”, sqarohet se për restaurimin e Kullës e Sahatit po përdoren 3 fonde: Fondi i Princ Klausit, Fondi Suedez dhe Fondi i Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore të Sh.B.A.

Foto ilustruese e përgjigjes zyrtare nga CHwB.

 Pyetur se sa është vlera e përllogaritur për restaurim e secilit prej objekteve, “Trashëgimia Kulturore Pa Kufij” nuk na ka dhënë një shifër të saktë, pasi sipas tyre është e pamundur të përllogaritet, sepse procesi restaurator ka ‘surpriza’ gjatë rrugës.

Në përgjigjen e tyre janë dhënë vlerat e akorduara nga donatorët për të 4 objektet (Kulla C në Durrës, Kulla e Sahati dhe Teqeja e Dollmës në Krujë dhe Kalaja e Prezës) për të gjitha fazat e punëve: – Fondi i Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore të Sh.B.A. – 800,000 USD – Suedia – afërsisht 90,000 euro – Fondi Princ Claus – afërsisht 66,000 euro.

Teqeja e Dollmës

Pamje të brendshme të Teqesë së Dollmës. Datë: 06.07.2021

Teqeja e Dollmës është monumenti i kultit që ka pësuar dëmtime të shumta në strukturën e saj.

Në një video të postuar ministrja Margariti, bën me dije problemet madhore që paraqet ky monument, çarjet e muraturës dhe të kupolës dhe dëmtimin e pikturës murale.

Foto e shkëputur nga “Kërkesë për mbështetje financiare Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shtetit për Rindërtim”, Ministria e Kulturës. Burimi: Porta Vendore. Faqja 14.

Sipas vlerës së adresuar në raportin e MK, totali i dëmtimeve të Teqesë së Dollmës është përllogaritur në vleftën 21.500.000 lekë, nga ku është miratuar projekti 208.764 lekë për projektin e emergjencës dhe 1.505.000 lekë për vlerësim, studim dhe projektim.

Foto e shkëputur nga “Kërkesa dhe aplikime për mbështetje financiare nëpërmjet programeve të financimit dhe Donatorë potencialë”, Ministria e Kulturës. Burimi: Porta Vendore. Faqja 15.

Sipas raportit, është parashikuar që faza e restaurimit emergjent të Teqesë së Dollmës do të kushtojë 19.000 dollarë ndërsa restaurimi i plotë do të kushtojë 105.000 dollarë.

Sipas Cultural Heritage VVithout Borders (Trashëgimia Kulturore pa Kufij, derimë tani janë kryer punimet:

  • Realizimi i ndërhyrjeve emergjente
  • Hartimi i projektit
  • Përgatitja e kantierit dhe ngritja e skelerisë rreth Teqesë
  • Sondazhet gjeologjike
  • Mbulesa e përkohëshme e çelikut
  • Pajantimi i brendshëm
  • Sistemi dixhital i monitorimit të strukturës së Teqesë

Aktualisht po punohej për:

  • Zbulimin e çatisë
  • Përforcimin e themeleve
  • Përforcimin e kupolës, velave dhe mureve
  • Instalimi i elementëve të riaftësimit strukturor
  • Konservimi i plotë i pikturës murale
  • Ndërhyrje të tjera sistemuese

Punimet parashikohet të zgjasin 12 muaj dhe pritet që të përfundojnë në fillim të marsit 2022.

Edhe per këtë objekt nuk kemi një vlerë të përllogaritur.

Faktoje bisedoi me z. Nedi Petri, arkitektin e programit të organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij, i cili na shpjegoi rreth të papriturave që dalin në pah përgjatë kryerjes së punimeve:

“Një shembull i vogël, mes shumë të tjerash, është rasti i Teqesë të Dollmës dhe themeleve të saj. Pasi bëmë sondazhet me shumë kujdes, vumë re që kishim një situatë të panjohur, të cilën nuk e dinim dot as nga arkivat, ngaqë themelet nuk ishin parë asnjëhere me atë kujdes dhe në atë thellësi, as gjatë ndërhyrjeve të para viteve ’90. Pra, ne nuk kishim asnjë të dhënë, por menduam që situata do ishte disi normale, nga eksperienca. Doli që muret e themeleve janë me disa nivele, jo të qarta, dhe kanë pasur breza druri të vendosura siç bëhej zakonisht me muret e sipërme. Ky zhvillim për ne do të thotë të paktën dyfish punë, dhe kjo në mes të zbatimit, pra: dokumentim i plotë i situatës të themeleve, hartimi i një zgjidhjeje të posaçme për këtë pjesë të strukturës, mbase analiza të reja, diskutimi me supervizorët e institutit, miratimi i ndryshimeve të projektit dhe ngadalësim i punimeve të tjera që po kryhen ndërkohë. Surpriza e radhës do të jetë kur të zbulojmë kupolën nga sipër, ku do të shohim si është struktura e saj dhe çfarë ndërhyrje saktësisht janë kryer më parë. Situata të ngjashme kanë ndodhur edhe me 3 monumentet e tjera, dhe vazhdojnë të ndodhin.”

Foto e tabelës informuese në hyrje të Teqesë së Dollmës, Krujë. Datë: 06.07.2021

Fotot e mëposhtëme konstatojnë gjendjen e monumentit në momentin që Faktoje e verifikoi në terren. Janë të dukshme çarjet e shumta nëpër mure, në dritare, në strukturën e objektit dhe mbi kupolën e tij. Piktura murale paraqitej shumë e dëmtuar nga plasaritjet e shkaktuara si pasojë e krisjeve dhe fragmentarizimeve.

Foto ilustruese e krisjeve në mur. Datë: 06.07.2021

Foto ilustruese e strukturave metalike mbajtëse. Datë: 06.07.2021

Foto ilustruese e çarjes mbi qemerin e dritares. Datë: 06.07.2021

Muzeu Etnografik i Krujës

Muzeu Etnografik, Krujë. Foto: Inva Hasanaliaj. Datë: 06.07.2021

Në Muzeun Etnografik të Krujës nuk kishte shenja punimesh, ama që nga jashtë mund të shihnim një prej plasaritjeve të murit ballor. Kur Faktoje shkoi në terren për të verifikuar, Muzeu ishte i kyçur.

Sipas deklaratës së ministres Margariti, Muzeu Etnografik i Krujës do rijetëzohet nga UNOPS.

Faktoje dërgoi një Kërkesë për Informacion pranë prezencës së UNOPS në Shqpëri, të cilët na bënë me dije se pos ndërhyrjes për stabilizimin e strukturës: “Ata do t’ju nënshtohen përshtatjeve të lehta në përmbajtjen muzeologjike të ekspozitave, të cilat do të shoqërohen me vendosjen e standardeve bashkëkohore për mësimin e vazhdueshëm për të dy ndërtesat dhe artefaktet e tyre me vlerë.

Po ashtu, edhe Ura e Kurcajt në Krujë, parashikohet që të restaurohet nga po i njëjti fond. Aktualisht punimet nuk kanë nisur në asnjërin prej këtyre dy objekteve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img