BallinaPertej“Lungomare 2“, projekti qindramilionësh që zvarritet në mungesë të transparencës

“Lungomare 2“, projekti qindramilionësh që zvarritet në mungesë të transparencës

JEROLA ZIAJ

“Lungomare 2“, projekti mbi 385 milionë lekë, i konsideruar  nga qeveria si plazhi me 5 yje në Vlorë, është ende një kantier ndërtimi, në pikun e sezonit turistik, edhe pse duhet të kishte përfunduar që në muajin prill. Punimet në segmentin që lidh shëtitoren e Lungomare 1 me tunelin në Ujit të Ftohtë, po zvarriten edhe për shkak të ndryshimit të projektit pas nisjes së zbatimit në terren. Në kantierin, ku më herët u shembën një numër objektesh, që sot janë ende në proces gjyqësor, mungon tabela e projektit, çka ul dhe më shumë transparencën. Bizneset e zonës, që kërkojnë të marrin veten nga kriza e pandemisë, ankohen se po humbasin klientelën për shkak të kaosit.

————-

Udhëtimi drejt Vlorës në fundjavë nuk është një ide e mirë, përkundër pritshmërive për diell, det dhe shlodhje. Ajo me të cilën përballesh, nëse përshkon segmentin përgjatë Lungomares drejt Radhimës, është kaosi i krijuar nga disa kantiere ndërtimi  në qytetin, i cili nuk i shpëtoi filozofisë së të punuarit ditën dhe në mes të sezonit turistik.

Trafiku rëndohet më së shumti në aksin nga Uji i Ftohtë në drejtim të Orikumit. Segmenti rrugor i ngushtuar në një korsi dhe me një kah, shkakton radhë të gjata të automjeteve, që hera-herës pengohen nga mjetet e tonazhit të rëndë, që punojnë në këtë aks rrugor.

Radha e automjeteve në drejtim të plazhit, gjatë orëve të paradites arrin disa kilometra, por në kantier, nuk ka asnjë tabelë që të informojë se për çfarë projekti po punohet, afatet e punimeve apo të dhënat e investimit, edhe pse ky është një detyrim ligjor.

Punimet në këtë aks i përkasin projektit Lungomare 2, vazhdim i  projektit Lungomare 1, që konsiston në zgjerimin e shëtitores bregdetare në drejtim të Orikumit.

Projekti parashikon krijimin e një parkimi nëntokësor me 160 vende, një pishinë olimpike, e cila pasi ka përfunduar së ndërtuari, do t’i nënshtrohet sërish ndërhyrjes, për t’u zgjeruar sepse nuk i plotëson kriteret për t‘u klasifikuar olimpike, një pishinë për fëmijë, shëtitoren buzë detit dhe plazhe natyrorë, të cilët planifikohet të jenë të arritshëm nëpërmjet shkallëve, që zbresin nga rruga dhe hotelet aty pranë.

Për herë të parë projekti u prezatua në një dalje publike të kreut të bashkisë së Vlorës, Dritan Leli , i cili njoftoi këtë investim me vlerë 4 milionë euro, por prej asaj kohe e deri më sot projketi nuk gjendet i publikuar i plotë në faqen zyrtare të Bashkisë.

Prezantimi i projektit nga kryebashkiaku Dritan Leli

Projektimi i Lungomare 2 iu besua kompanisë greke “Thymio Papayannis and Associates” sa & “Technical Planning & Development”, që u shpall fituese e konkursit ndërkombëtar, një investim 24,5 mln lekë të reja pa tvsh.

Firma fituese e tenderit për ndërtimin e rrugës, me vlerë  385,173,305 lekë pa tvsh (rreth 4 mln euro) është Fusha shpk (linku i dokumentit të FSHZH ne pdf).  Duke iu referuar dokumentacionit të tenderit, afati i parashikuar i punimeve, që nisën në tetor 2019, ishte 18 muaj.

Përgjigja e Fondit Shqiptar të Zhvillimit

 

Në mesin e muajit dhjetor, 2020 FSHZH  njësia zbatuese e projektit njoftoi:

“Sezoni veror i radhës në Vlorë do të pasurohet me hapësira publike të mirëmenduara në detaj, duke bërë që ky qytet dhe vija e tij bregdetare të jetë në listën e pushimeve, përkrah destinacioneve të tjera ndërkombëtare“

Në 1 maj 2020, gjatë një inspektimi në terren me kryebashkiakun Dritan Leli, inxhinierët zbatues i treguan kryeministrit se kishte përfunduar rreth 10% e punimeve, kur mbetej edhe një vit nga përfundimi i afatit të projektit. Në 2 Maj të këtij viti, kur Lungomare 2 duhej të ishte gati,  kryeministri Rama, inspektoi sërish punimet, që dukeshin ende larg finalizimit.

“Për sezonin duhet ta izolojmë që këtu të vazhdojë të funksionojë, t‘i bëjmë një rrethim me panele që mos të ketë ndërhyrje dhe pjesa tjetër të mbarojë, të mos presim të vdekurit e bashkisë“ – tha kryeministri, që shoqërohej nga zv/ kryetari i Bashkisë së Vlorës, Afrim Qendro dhe drejtuesi i punimeve të kompanisë Fusha.  

Më 4 maj FSHZH njoftonte në faqen e saj zyrtare se punimet për projektin Lungomare 2 kishin përfunduar në masën 90%, por nga verifikimi për Faktoje, në javën e fundit të korrikut, në kulmin e sezonit turistik,  zona ndodhet në një situatë kaotike.

Hotel në Vlorë dhe kantieri i hapur përpara tij

 

Për të mësuar se në çfarë faze janë punimet për Lungomare 2 dhe përse mungon tabela e projektit në kantier, ne iu drejtuam Bashkisë Vlorë, si ent përfitues. Nga përgjigjia zyrtare mësuam se zvarritja e punimeve ka ndodhur për shkak të ndryshimit të projektit fillestar me vendim të KKT, ndërsa për mungesën e tabelës së punimeve përdoret një justifikim.

Përgjigja e Bashkisë Vlorë

Deri në publikimin e këtij artikulli, nga verifikimi në terren kemi konstatuar se tabela e punimeve, ende nuk është vendosur në kantierin e Lungomare 2.

Ndërkohë, kërkesës për informacion lidhur me ecurinë e projektit Lungomare 2, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk i ka kthyer përgjigje, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Lungomare 2,  në prezantimin e tij paraprak, është shoqëruar me kundërshti të forta, nga subjektet e biznesit dhe nga banorë të Radhimës dhe Orikumit, ndërtimet e të cilëve u shembën dhe u skualifikuan nga procesi i legalizimit, ende pa nisur faza e projektimit dhe pa ditur se cilat objekte vërtet pengonin zhvillimin e projektit. Projekti, sipas FSHZH, njësi zbatuese e tij, kaloi disa faza konsultimi  me publikun. Megjithatë, banorët që zotëronin dokumente pronësie nisën betejat ligjore për  ndalimin e zbatimit të vendimit për shembjen e objekteve apo dhe kundërshtimin e vlerës së shpronësimit. 

Pavarësisht proceseve gjyqësore të nisura, vetëm një pjesë e tyre gjejnë gjurmë të objekteve në prezantimin final të kompanisë së projektimit, ndërkohë që punimet në segmentin rrugor Tuneli- Orikum, ende nuk kanë nisur.

 

Zona pas tunelit në Vlorë ku puna ende nuk ka nisur

Kjo situatë po krijon problem për turizmin, duke përfshirë edhe biznese, që me vështirësi po mbijetojnë nga pasojat e rënda të pandemisë.

Orgest Hasani, shef salle në një restorant në zonën e fushave të sportit, në Ujin e Ftohtë,  tregon se në mesin e muajit maj të këtij viti, qarkullimi u bllokua për thuajse 3 javë. Ne në pjesën e hyrjes nuk jemi cënuar sa të tjerët, disa ditë u mbyllën rrugët. Nuk  kalonte asnjë njeri. Tani përballemi me trafik, po trafiku është bërë normalitet  në këtë zonë“– tha ai për Faktoje.

Gjatë periudhës së pandemisë, në zonën e lejuar për ndërtim në planin urbanistik, mbi rrugën nacionale u investua në një sërë ndërtimesh, kryesisht hotele dhe restorante, me shpresat se sezoni 2021 do të sillte tejkalim të krizës, që shkaktoi pandemia. Por zvarritja e punimeve dhe kaosi i krijuar për projektin që duhej të kish përfunduar, po ua prish parashikimet bizneseve. Ato po braktisen nga klientët, të cilët veç zhurmës dhe mjedisit rrethues të rrëmujshëm, nuk kanë as ku të parkojnë.

Hotelet dhe kantieri i ndërtimit gjatë natës  

Administratori i një njësie hoteliere që nuk pranoi të identifikohej, tha për Faktoje se i tremben reagimit të pushuesve, sidomos atyre që kanë rezervuar online, kur të përballen me realitetin e krijuar për shkak të kthimit të zonës në kantier ndërtimi.

“Sigurisht që janë reduktuar të ardhurat“- thotë ai i revoltuar. Mungesa e xhiros optimale ka sjellë efekt zinxhir në ekonomi. Sipas Ervin Sotës, distributor vere, ky sezon për të gjithë operatorët turistikë në zonë do të jetë shumë i vështirë.

“Shumë prej tyre e hapën këtë sezon, pas një investimi të konsiderueshëm. Te restorantet e zonës, xhiroja është e njëjtë si në dimër, kur nuk kishte turistë, kjo dëmton gjithë zinxhirin e ekonomisë“ -thotë i shqetësuar Sota.

Ervin Sota- administrator i një njësie hoteliere Vlorë

Në këndvështrimin e një pjese të banorëve të zonës, projekti po tjetërson vijën bregdetare natyrore në zonën e Lungomare 2. Arben Abazaj, një qytetar i apasionuar pas notit dhe frekuentues i rregullt i plazhit thotë:

Edhe Zoti do të ishte menduar dy herë para se të prishte atë që është krijuar nga natyra mjeshtërisht. Nuk bën dot banjo dielli buzë detit, përgjatë vitit, sepse është ngushtuar plazhi dhe dallgët të përplasin në beton. Por kjo pak i shqetëson, ata e duan plazhin vetëm në verë.

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img