Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha bëri një premtim për pastrimin e qytetit.

Një verifikim i kryer nga Faktoje.al, ka treguar se ky premtim nuk është realizuar plotësisht dhe se shtimi i kontenierëve është vetëm një pjesë e punës së kryer për pastrimin e qytetit.

VJOLANDA PECA

Çështjen e një qyteti të pastër, shqetësim i ngritur nga vetë banorët, kryetari aktual i Bashkisë, e kishte renditur si përparësi të programit të tij elektoral.

Dredha premtoi, një qytet në të cilin “do të shtohen kosha, hapësira të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve apo krijimin e fushatave sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese mbi pastërtinë e qytetit”.

Faktoje iu drejtua Bashkisë Vlorë me një kërkesë për informacion lidhur më këtë premtim. Sipas Bashkisë, në qytet “janë shtuar 150 kontenierë të rinj me kapacitet 1100 litra dhe janë zhvilluar aktivitete ndërgjegjësuese në shkolla”.

Faktoje më 20 shtator 2024, ishte në qytetin e Vlorës për të verifikuar premtimin e bërë në maj të 2023, nga kryebashkiaku socialist

Përgjatë rrugëve viheshin re kontenierët e rinj të shtuar, të cilët ishin ngjyrë jeshile, të ndryshëm nga kontenierët e vegjël metalik ngjyrë gri, të trashëguar.

Edhe banorët, me të cilët kontaktuam, pohuan se krahasimisht me vitin e kaluar qyteti ishte më i pastër.

Vendgrumbullimi i mbetjeve

Shqetësim për qytetarët, mbetej megjithatë, vendgrumbullimi i mbetjeve dhe lënia pezull e punimeve të landfillit të Sherishtës.

Kryebashkiaku vlonjat kishte premtuar shtimin e hapësirave të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve, por në Vlorë është ende vetëm një vendgrumbullim, në fushë të hapur, pranë një zone të banuar, në lagjen 24 Maji, njohur si ish-Fusha e Aviacionit.

Vendgrumbullimi i mbetjeve të qytetit të Vlorës

Pirgje me plehra, të shpërndara kudo, edhe jashtë territoreve të saj, ishte panorama mbytëse që të ofron vendgrumbullimi i mbetjeve të qytetit.

Landfilli i Sherishtës

Në tetor të 2023 zoti Dredha sëbashku me kryeministrin Edi Rama, diskutuan për landfillin e Sherishtës dhe dhe faktin që ai duhet të vihet në punë sa më shpejt.

“Zgjidhja afatgjatë është të vendoset funksion të plotë landfilli që është ndërtuar në Sherishtë.”deklaroi një vit më parë kryebashkiaku Dredha.

Disa muaj më vonë, gjatë një vizite në Vlorë edhe kryeministri Edi Rama iu rikthye vënies në punë të landfillit. Rama kërkoi që landfilli të ishte gati pranverën e këtij viti.

“Duhet ta mbyllim përpara sezonit”, tha kryeministri Rama.

Por verifikimet në terren tregojnë të kundërtën. “Punimet në landfillin e Sherishtës kanë përfunduar në fazën 97-98%, dhe nuk po mbyllet për shkak të pagesës së disa makinerive”, u shpreh gjatë një komunikimi telefonik me Faktoje.al, Dorian Xhelili drejtor i Shërbimeve Publike në Bashki, duke shtuar se sipas tij “problemi është drejt zgjidhjes”.

Përfundim

Premtimin elektoral të kryebashkiakut socialist Ermal Dredha për pastrimin e qytetit, pas verifikimit të kryer në terren në zona të ndryshme të qytetit të Vlorës dhe informacionit zyrtar, do ta kategorizojmë deri tani pjesërisht të mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.