BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingKorriku mbaroi, rritja e pagave për administratën nuk nisi

Korriku mbaroi, rritja e pagave për administratën nuk nisi

Korriku i këtij viti e gjeti administratën publike pa rritjen e premtuar të pagave nga qeveria. Inflacioni i lartë dhe rritja e çmimeve të produkteve të konsumit, ka sjellë një krizë të shtuar të buxheteve familjare, që mezi arrijnë të mbyllin muajin. Ekspertët e ekonomisë argumentojnë për Faktoje se rritja e pagave deri në fund të mandatit do të ndihmonte në kapërcimin e inflacionit dhe në përballimin e çmimeve, por jo në rritjen cilësore të jetës.

Premtimi i qeverisë  Rama, se nga Korriku i vitit 2022 do të nisë rritja e pagave të administratës nuk e ka marrë ende dritën jeshile.

“Duke filluar nga korriku 2022, rrisim gradualisht dhe në mënyrë të përshkallëzuar pagat e administratës: Rrisim pagat e punonjësve të administratës publike me 30% deri në fund të mandatit të tretë”, theksohet në programin qeverisës.

Screenshot nga programi qeverisës 2021-2025

Faktoje, në një artikull të mëparshëm adresoi premtimin për rritjen e pagave për mësuesit, mjekët dhe infermierët. Por, ndryshe nga ky premtim i mbajtur për kategorinë më sipër, vendimi i qeverisë për rritjen e pagave për pjesën tjetër të administratës në mënyrë graduale dhe të përshkallëzuar nuk rezulton të ketë filluar nga Korriku i këtij viti.

Faktoje pyeti punonjës të administratës publike, nëse kishin pasur rritje të pagës gjatë këtij viti dhe specifikisht në muajin korrik, ashtu siç përcaktohej në programin qeverisës 2021-2025. Ata bënë të ditur se nuk kanë pasur shtesë në pagë, madje nuk u është thënë më për rritje rroge. “Jo nuk kemi pasur rritje të pagës dhe nuk na kanë thënë gjë më për rritje”, theksojnë ata.

Në buxhetin e vitit 2022, para se të fillonin presionet e rritjes së çmimeve në mënyrë të ndjeshme, qeveria u angazhua për të rritur pagat e sektorit të shëndetësisë me 6% në vitin 2022, duke nisur nga muaji korrik.

“Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësor dhe ata arsimorë”, thuhet në relacion.

Screenshot nga relacioni 

Siç shihet, që në miratimin e buxhetit për vitin 2022, që ndodhi në fund të vitit 2021, qeveria ndryshe nga angazhimi në programin qeveritar, nuk kishte planifikuar rritje page për administratën publike në “Fondin vjetor për rritjen e pagave”.

Ashtu si dhe në buxhetin e vitit 2022, me ardhjen e muajit korrik, qeveria deklaroi rritjen e pagave për arsimtarët, mjekët dhe infermierët, por asnjë lajm për rritje page të pjesës tjetër të administratës nuk u dha.

“Mirëpo, për të përmbushur angazhimin e programit qeverisës për një rritje graduale dhe të përshkallëzuar prej 30% deri në fund të mandatit, rritja mesatare progresive vjetore e pagave të administratës publike duhej të ishte rreth 6.8% në vit.

Me zero rritje në vitin 2022, rritja në vitet e ardhshme për të kapur premtimin duhet të jetë më e lartë se 6.8%. Ndërkohë rritja e çmimeve ka gërryer ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve”, sqarojnë ekspertë të ekonomisë.

Inflacioni dhe pagat

Faktoje iu referua relacionit mbi “Projektligjin për Buxhetin e vitit 2022” për të parë nivelet e parashikuara të inflacionit.

Referuar relacionit të buxhetit, inflacioni i parashikuar në fillim të vitit ishte 2.8%. Nga mosrritja e pagave të administratës publike që në fillim të vitit, rritja reale e tyre do të ishte negative në afërsisht 2.8%. Pra blejnë më pak se një vit më parë.

Screenshot nga relacioni mbi “Projektligjin për Buxhetin e vitit 2022”

Mirëpo, gjatë vitit 2022 kemi pasur një rritje të ndjeshme të çmimeve që vazhdojnë edhe për pjesën e mbetur të vitit. Sipas INSTAT, “ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin qershor 2022 është 7,4 %”.

Screenshot nga faqja e INSTAT

Ndërsa ndryshimi mesatar vjetor për 6 muajt e parë të vitit 2022 është 5.6%. Ndërkohë, inflacioni vjetor mesatar i pritshëm për vitin 2022 sipas databazës më të fundit të FMN-së është 5.52%. Nëse do t’i referohemi këtyre të dhënave, duke supozuar që do të rritja e cmimeve do të mbetet në këto nivele, rritja reale e pagave për administratën publike në vitin 2022 është negative me 5.6%. Pra mund të blejnë 5.6% më pak se një vit më parë me të njëjtën rroge mujore.

Nëse qeveria do ta kishte mbajtur premtimin për një rritje page për administratën publike duke filluar nga Korriku 2022, kjo pjesë e shoqërisë do të qe lehtësuar pjesërisht nga ndikimi i rritjes së çmimeve.

*Foto kryesore marrë në web

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img