Imazhet e krijuara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI) vijojnë të ngatërrojnë konspiracionistët. Së fundmi, një seri imazhesh të gjeneruara me AI që tregojnë një ‘shkollë sataniste’ po përdoren si ‘prova’ të degjenerimit të Perëndimit, ku organizata të errëta adhurojnë djallin në shkolla satanike.
———————————————-
Një seri imazhesh që tregojnë një grup fëmijësh të ulur në një bibliotekë duke dëgjuar persona të ndryshëm të veshur si personifikime të djallit po qarkullon në rrjete sociale si ‘provë’ e ekzistencës së “shkollave satanike”.
Një postim i ndarë mbi 40 herë në tre ditë i sjell këto foto si prova që ideja e shkollave satanike në Perëndim nuk është thjesht konspiracion.
Megjithëse imazhet e sipërme japin më shumë idenë e një feste me maska që po mbahet në një bibliotekë shkolle, sipas autorit, këto imazhe provojnë se “organizata të errëta që punojnë nën urdhërin e dexhxhallit [djallit] kanë filluar ta adhurojnë shejtanin hapur duke ndërtuar shkolla dhe kisha satanike siç e adhurojmë ne Allahun në xhamia.”
Autori i këtij postimi do të jetë me siguri i kënaqur të marrë vesh se, në fakt, këto imazhe nuk janë fotografi të realitetit, por janë prodhuar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Të gjitha imazhet e sipërme janë firmosur në cep nga autorja e tyre “The Pumpkin Empress”.
The Pumpkin Empress i ka postuar fillimisht këto imazhe në TikTok dhe Facebook. Pyetur në komente, ajo e ka konfirmuar se këto imazhe janë gjeneruar me AI.
Në një postim në 9 maj 2023, artistja shpjegoi dhe më tej se sa e lehtë ishte të krijoje këto imazhe me anë të programit AI Midjourney. Mjafton të shkruash një përshkrim të imazhit që do të gjenerosh. Në këtë rast, autorja kishte shkruar “fëmijë të ulur në një tapet me një pentagram në mes të një biblioteke”.
“Jo, këto nuk janë fotografi që jane shkrepur vërtet. Janë gjeneruar thjesht për qejf. Baphomet nuk është as djalli, ai nuk është Satanai. Asnjë fëmijë nuk u dëmtua në këto imazhe sepse nuk ekzistonin fëmijë që në fillim – është e gjitha e gjeneruar nga kompjuteri. Midjourney i prodhoi këto imazhe për mua,” shpjegoi ajo, e habitur se sa seriozisht u morën imazhet e saj.