Pretendimi: Kjo video tregon lëvizje misterioze që u zbuluan në sipërfaqen e Hënës nga misioni hapësinor Artemis II
Verdikti: E paprovuar
————————————————————————
Një video që duket se tregon një objekt që lëviz në një sipërfaqe me kratere po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, me pretendimin se tregon “lëvizje misterioze që u zbuluan në sipërfaqen e Hënës nga Artemis II.”

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim të pazakontë nuk jepet asnjë provë, burim apo referencë.
Misioni hapësinor Artemis II i agjencisë hapësinore amerikane NASA u lëshua më 1 prill 2026, fluturoi përreth Hënës, dhe u rikthye në Tokë më 11 prill. Ky ishte fluturimi i parë me ekuipazh përtej orbitës së ulët të Tokës që nga Apollo 17 në vitin 1972. Gjatë fluturimit të tyre pranë Hënës, ekuipazhi regjistroi rekordin e fluturimit më të largët njerëzor nga Toka. Fluturimi u mbulua gjerësisht mediatikisht dhe ekuipazhi ka botuar pamjet e kapura gjatë fluturimit në faqen zyrtare të NASA.
Megjithatë, asnjë pamje që përkon me videon që pretendohet se është kapur nga Artemis II nuk përkon me pamjet nga fluturimi pranë Hënës që janë botuar në faqen zyrtare.

Njësoj, pamjet nuk janë botuar as në rrjetet sociale të NASA.
Më tej, nuk ka asnjë njoftim nga agjencia hapësinore se ekuipazhi i Artemis II ka zbuluar ndonjë lëvizje misterioze në sipërfaqen e Hënës. Nëse ky zbulim do të ishte i vërtetë, një njoftim i tillë do të kishte marrë dhenë.
Kështu, burimi i pamjeve të paqarta që pretendohen se janë kapur nga Artemis II mbetet i panjohur.





