Pretendimi: Fluturimi në Hënë është një mashtrim i NASA
Verdikti: E pavërtetë
Teoritë konspirative për zbritjen e njeriut në Hënë kanë lindur që ditën e parë që u mundësua ky udhëtim hapësinor në 20 korrik 1969. Të shumta janë “provat” filmike të sjella gjatë këtyre 55 viteve për të mbështetur besimin se NASA ka realizuar misionet e saj në Hënë në studio filmike, duke përdorur Hollywood-in si një prapavijë për të fshehur të vërtetën. Një postim që po qarkullon në rrjetet sociale përmbledh foto të ndryshme të publikuara kohë pas kohe të këtyre “manipulimeve”.
Si burim i pretendimit është një libër i Xhonatan Vanckin dhe Xhon Ueilen “Konspiracionet dhe mashtrimet më të famshme të të gjitha kohëve”, pjesë e një miti të njohur që është debatuar për dekada të tëra.
Përtej këtyre pretendimeve, NASA dërgoi misionin “Apollo 11” në Hënë më 20 korrik 1969, duke realizuar një arritje historike për njerëzimin. Në total, NASA dërgoi 6 misione të suksesshme në Hënë midis 1969 dhe 1972.
Një tjetër argument i përdorur nga ata që besojnë në teoritë e komplotit është se fotot dhe videot nga misionet “Apollo” janë manipuluar dhe xhiruar në studio.
Sidoqoftë, shkencëtarët dhe inxhinierët që analizuan këto foto kanë demonstruar se ato janë autentike. Një nga argumentet kryesore është se hija dhe ndriçimi në foto përputhen me kushtet e veçanta të ndriçimit në Hënë, ku nuk ka atmosferë dhe drita është shumë e ndryshme nga ajo që përjetohet në Tokë.
Faktoje ka verifikuar edhe më parë imazhe dhe prova të ndryshme që sillen në rrjet si dëshmi e mashtrimit të madh të NASA.