BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI manipuluar pohimi i austronautit për zbritjen në hënë

I manipuluar pohimi i austronautit për zbritjen në hënë

Në rrjete sociale po qarkullon një video e austronautit Buzz Aldrin në të cilën pretendohet që ai tregon se ulja e parë në Hënë “nuk ka ndodhur”. Verifikimet tregojnë se klipi që po qarkullon nuk është i plotë dhe fjala e tij është nxjerrë nga konteksti. Aldrin ka qënë pjesë e misionit të parë të austronautëve që kanë zbritur në Hënë në vitin 1969.

Prej vitit të kaluar në rrjete sociale riciklohet herë pas herë një video e austronautit Buzz Aldrin, në të cilën pretendohet se ai pranon se nuk ka ndodhur ulja e famshme në Hënë e vitit 1969.

Postimi i fundit është bërë më 9 mars në rrjetin social facebook nga një përdorues shqiptar. Ai shpërndan videon që tregon një fëmijë duke pyetur Aldrinin gjatë takimi publik, se cili ishte “momenti më i frikshëm” i udhëtimit të tij në Hënë. Ai duket se përgjigjet duke thënë: “Nuk ndodhi. Mund të ishte e frikshme.”

Video që ka marrë 91.773 shikime, shoqërohet me këtë mbishkrim: “Me plot gojën mund të themi se ky është bashkëpunuesi më i sinqertë i organizatës manipuluese NASA. Ka shumë mundësi se nuk është ndarë i kënaqur nga NASA sepse ka kohë që flet të vërtetën se kurrë nuk ka shkuar në hënë, kur e pyesin çfarë ishte gjëja më e frikshme, ky qesh dhe thotë e frikshme? Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të shkojmë se ndoshta mund të kishte qënë e frikshme. Dhe tregon dhe veshjet me emër tjetër që Tv media ka përdorur për të thënë se ky ka shkuar në hënë.”

Por verifikimet tregojnë se këto pretendime janë të rreme. Klipi i paraqitur në rrjete sociale është marrë nga një pyetje dhe përgjigje që Aldrin ka bërë në Oxford Union në mars të 2015.

E vërteta është se austronauti që ka qënë pjesë e misioni të parë të uljes në Hënë, ka thënë se nuk kishte ‘moment të frikshëm’ gjatë misionit, dhe jo se ulja në hënë ‘nuk ndodhi’, ashtu siç është manipuluar në pjesën e bërë virale. Në videon e plotë ai dëgjohet duke folur gjerësisht për detajet e misionit të parë në Hënë.

Video e plotë e austronautit Aldrini në Youtube vërteton që klipi që po qarkullon në rrjete sociale është i nxjerrë nga konteksti.  Që nga viti 2015 kur është dhënë kjo intervistë, Buzz Aldrin ka dhënë disa intervista në të cilat ai rrëfen qartë udhëtimin e tij në Hënë.

Gjithashtu ekzistojnë dëshmi fotografike të zotit Aldrin në Hënë, së bashku me mijëra foto të tjera publike dhe mijëra orë video.

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin

Foto kryesore e marrë nga NASA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img