BallinaFaktometerE PavërtetëKëlliçi nuk mashtroi shtetin e Maryland për shkollën në Shqipëri

Këlliçi nuk mashtroi shtetin e Maryland për shkollën në Shqipëri

Një lajm i shpërndarë në kohë fushate elektorale nga mediat online ngriti pretendimin se kandidati për kryetar të bashkisë Tiranë i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi ka manipuluar dokumentat dhe ka mashtruar universitetin Coppin në Maryland, SHBA për të kryer studimet universitare. Verifikimi i Faktoje, që mori përgjigjen zyrtare Coppin University vërtetoi se Këlliçi nuk ka mashtruar sistemin arsimor amerikan.

Jona Plumbi

Një artikull i publikuar nga shqiptarja.com në datën 22 Prill, ngriti një lumë akuzash lidhur me edukimin e njërit prej kandidatëve të opozitës, Belind Këlliçi, përfaqësues i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Pjesë e akuzave ishte edhe pretendimi se Këlliçi ka mashtruar shtetin amerikan të Maryland dhe Universitetin Coppin për të kryer studimet atje, pavarësisht se nuk kishte një diplomë të shkollës së mesme.

Artikulli ngre disa pyetje lidhur me Këlliçin dhe fazat e ndryshme të edukimit të tij:

  1. A ka diplomë të shkollës së mesme Belind Këlliçi
  2. A e ka mashtruar ai shtetin amerikan të Maryland, për t’u regjistruar në ‘Coppin University’
  3. A e ka mashtruar shtetin shqiptar për të kryer njësimin e diplomës?

Për pyetjen e parë, “a ka diplomë të shkollës së mesme Belind Këlliçi” shqiptarja.com shkruan se është interesuar në shkollën e mesme ku ka studiuar Këlliçi.

“Për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve, iu drejtuam fillimisht Institutit “Harry Fultz”, e cila në përgjigjen e saj zyrtare, që mban datën 16 janar 2023 (dokument kopje të të cilit e disponojmë)…” – shkruan shqiptarja.com

*Përgjigjja e Harry Fultz e publikuar nga shqiptarja.com

Siç shihet në pamje, përgjigjja e shkollës harry Fultz, publikuar nga shqiptarja.com është e censuruar. Më shumë se gjysma e tekstit është sfumuar, duke e bërë të palexueshëm.

Faktoje gjeti një kopje të përgjigjes së dhënë nga shkolla Harry Fultz, që thekson se Belind Këlliçi ka kryer vetëm 4 nga 5 vitet e kësaj shkolle. Ajo që shqiptarja.com ka sfumuar në publikimin e saj, është pjesa e përgjigjes ku shkolla Harry Fultz njofton se Këlliçi në përfundim të klasës së 12-të (viti i 4-t), në përgjigje të kërkesës së tij për studime të mëtejshme në SHBA, u pajis nga shkolla me disa dokumenta, të cilat listohen në përgjigje.

Letra vijon duke sqaruar se kjo është një praktikë normale e kësaj shkolle.

*Përgjigja origjinale e shkollës Harry Fultz për edukimin e Belind Këlliçit

Ajo që vihet re gjithashtu, është fakti se përgjigjja e shkollës nuk ka ardhur në drejtim të medias që thotë se ka pyetur. Përgjigjja në fjalë në të vërtetë i është kthyer përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, si duket edhe në kokën e letrës.

“Po atëherë si ka mundur që Belind Këlliçi të regjistrohet në Universitetin amerikan, pa pasur diplomën e shkollës së mesme?” – shkruan shqiptarja.com.

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, artikulli nuk jep asnjë dokument apo komunikim zyrtar me universitetin që artikulli pretendon se është mashtruar nga Këlliçi. Si argument për pyetjen e ngritur, shqiptarja.com jep pretendimin se Këlliçi ka përdorur vëllain e tij që punonte në zyrën e pranimeve të studentëve në universitetin Coppin për t’u antarësuar në shkelje të rregullave.

“Këto fakte tregojnë qartë se ai ka gënjyer dhe ka mundur që, përmes një hileje, të mashtrojë qoftë universitetin amerikan dhe shtetin e Maryland-it në vitin 2005, por edhe shtetin shqiptar, në vitin 2010, kur ka bërë njësimin e diplomës?” – përfundon shqiptarja.com

Lidhur me këtë pretendim, se Këlliçi ka mashtruar universitetin Coppin dhe shtetin amerikan të Maryland, Faktoje vendosi të kërkojë informacion nga vetë universiteti që ka administruar procesin e pranimit të studentit.

Faktoje kontaktoi universitetin Coppin dhe e pyeti për:

  1. Procedurën e përdorur për pranimin e studentit Belind Këlliçi
  2. Ciklin e studimeve që Këlliçi ka përfunduar në Universitetin Coppin

Në përgjigje Universiteti Coppin ndau me Faktojen udhërrëfyesin me rregullat për pranimin e studentëve në vitet 2004 – 2006. Tek udhëzimet për pranimin e studentëve të huaj, universiteti ka shënuar me yll (*) pjesën ku listohen dokumentat që duheshin dorëzuar për të hyrë në Coppin University, ndër të cilat:

Të dhënat akademike zyrtare të noterizuara të shkollës së mesme që tregojnë notat e marra, fletët vjetore të notave, certifikatat e provimit dhe certifikata e përfundimit siç zbatohen për sistemin arsimor në vendin e origjinës së studentit. Të dhënat duhet të merren për secilin nga katër vitet e fundit të shkollës së mesme ose pikët e nivelit të avancuar.” – Coppin State University, Catalog 2004 – 2006

Me-Logo-2004-2006-Coppin-Catalog-Descriptions-1.pdf

Informacionet e dhëna nga universiteti Coppin në Maryland dhe shkolla Harry Fultz në Tiranë tregojnë qartë procedurën e përdorur për pranimin e studentit Belind Këlliçi në programin bachelor.

Në përgjigjen drejtuar Faktojes, Universiteti Coppin ka informuar edhe për studimet që Këlliçi ka përfunduar në këtë universitet.

“Sipas të dhënave tona, Belind Këlliçi hyri në Universitetin Coppin në semestrin e vjeshtës së vitit 2005 dhe u diplomua në nivelin Bachelor për Shkenca Menaxhimi në dhjetor 2008. Ai u diplomua me vlerësimin më të lartë “Summa Cum Laude”, që merret nga studentët që fitojnë të paktën 48 orë kredite në universitet dhe një mesatare kumulative të notave midis 3.75 dhe 4 në të gjitha lëndët universitare”.

Nisur nga informacionet e censuruara të artikullit të shqiptarja.com dhe përgjigjes zyrtare të Universitetit Coppin në Maryland, SHBA Faktoje e vlerëson artikullin si të pavërtetë.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img