Pretendimi: Kamala Harris mbante kufje të fshehta gjatë debatit me Donald Trump
Verdikti: E pavërtetë
Debati i parë televiziv mes dy kandidatëve presidencialë Kamala Harris dhe Donald Trump më 10 shtator ngjalli kureshtje dhe ashtu siç pritej edhe akuza për njëanshmëri. Një prej këtyre akuzave ishte dhe pretendimi se zv.presidentja Harris mbante një kufje të kamufluar në vathët e saj, duke marrë sugjerime për përgjigjet që duhet të jepte.
Kjo tezë ushqen kritikët që mendojnë se kandidatja demokrate nuk ka përgatitjen e duhur për të përballur detyrën presidenciale, por njëkohësisht do të ishte një shkelje e rregullave të barazisë në debatin televiziv.
Si provë për këtë u publikuan dy imazhe krahasuese, të cilat bënë xhiron e rrjetit.
Në njërën prej fotove tregohet një person me një vath prej perlash, që sipas autorit të postimit përmban edhe një kufje. Ndërsa në të djathtë është fotoja e vathëve të veshur nga Kamala Harris gjatë debatit, gjithashtu në formë perlash. Për ata që ndanë postimin, të dy vathët do të ishin të njëjtat kufje.
Ato në foto në të majtë janë kufjet Nova H1, të prodhuara nga kompania gjermane ‘Icebach Sound Solutions’. Këta vathë përbëhen nga një kapëse për t’u lidhur me veshin dhe një perlë brenda së cilës ndodhen komponentët e nevojshëm për të dëgjuar muzikë dhe bisedat e thirrjeve hyrëse, duke i kthyer ato në kufje të vërteta falë teknologjisë Bluetooth.
Megjithatë, këto nuk janë vathët që mbante Kamala Harris gjatë debatit televiziv më 10 shtator. Ndërsa si Nova H1 ashtu edhe vathët e Harris përmbajnë perlë, forma e bazës së bizhuterive është e ndryshme. Nova H1 ka një kapëse të vetme, ndërsa perla e mbajtur nga Harris është vendosur midis dy linjave paralele, një model i koleksionit “Hardwear” i markës Tiffany & Co. Nuk është hera e parë që Harris mban këtë model në daljet zytare.
Modeli i vathëve të Tiffany, në formën e gërmës J
Kujtojmë gjithashtu që kandidatja demokrate është shfaqur kundër pajisjeve Bluetooth dhe i konsideron ato një rrezik sigurie. Për këtë arsye, Harris preferon të përdorë kufje me kabllo.