Përhapja e lajmeve të paverifikuara apo të pabazuara është po aq e dëmshme sa krijimi apo shkrimi i tyre. 

Editorial

447

Klodiana Kapo

Faktoje.al prej disa javësh ka publikuar “Manualin Kundër Disinformimit Rus në Shqipëri”, që synon të shpjegojë teknikat e verifikimit por edhe kontekstin e luftës. Një manual që sjell problematikën konkrete të mediave në Shqipëri në lidhje me dezinformimin rus por dhe formave sesi mund të shmangen. Në themel të manualin janë sjellë shembuj konkret nga media shqiptare dhe sesi një student apo gazetar mund të verifikoj, video, foto, tituj,etj.

Në manual është marrë si shembull edhe një shkrim i gazetës Tema që si burim parësor ka Euronews. Në shkrim fotoja e përdorur nuk ka asnjë lidhje më lajmin dhe mban datën e vitit 2017. Ndaj në Manual sillet si shembull konkret sesi mund të keqinformohet apo dezinformohet edhe përmes imazheve, dhe më e rëndësishmja sesi mund të verifikohen fotot, që janë element kyç të evidencave dhe fakteve në gazetari.

Për të evituar keqkuptimet por edhe paqartësitë, Faktoje sqaron botuesin Mero Baze si më poshtë.

Në shkrimin e publikuar më datën 9 shtator të vitit 2024, zoti Baze shprehet se “manuali në fjalë në një rast përmendte gazetën Tema për titull të ekzagjeruar pasi kishte botuar një lajm me titull “Serbia po trajnon fëmijë për luftë”. Nga “verifikimi” që kishte bërë OJQ duke ju referuar një studimi të inteligjencës amerikane i rezultonte që nuk ka rrezik për luftë në rajon, kështu që ky lajmi është i ekzagjeruar dhe kish përdorur logon e gazetës Tema si burim lajmi. Më poshtë është linku i këtij lajmi dhe dezinformimi i Faktoje.al, që ja atribuon gazetës Tema si lajm.

https://www.gazetatema.net/rajoni/serbia-trajnon-femijet-per-lufte-i389507

Në manualin e Faktoje ku përfshihet ky publikim si një rast kur lajmi është i pabazuar në fakte dhe fotografia daton 5 vjet më pare, shkruhet si më poshtë: 

“Një fotografi e ngjashme e tillë u publikua më 13 maj 2023 nga gazeta shqiptare Tema me titullin: “Serbia po trajnon ushtarë fëmijë”. Postimi origjinal i referohet një videoje të një eksperti sigurie në Tëitter (tani platforma X) pasi një fëmijë 13-vjeçar vrau 8 fëmijë në një shkollë në Beograd. Eksperti theksoi se kjo situatë është ndikuar nga stërvitjet e fëmijëve për përdorimin e armëve. Faktoje verifikoi postimin për të kuptuar nëse është e vërtetë që fëmijët në Serbi trajnohen nga forcat ruse. Verifikimi përmes kërkimit të kundërt të imazhit në Google tregoi se fotoja daton 5 vjet më parë”.

Në asnje rast nuk përmendet në manual se në lidhje me këtë artikull verifikimi është bërë referuar studimit të inteligjencës amerikane apo titulli është i ekzagjeruar. 

Manuali merr si shembull këtë rast kur disa portale – një prej të cilëve edhe Tema (shih shkrimin e Faktoje këtu: https://faktoje.al/31949-2/)  – kanë publikuar lajmin me një foto ilustruese për titullin “Serbia po trajnon femije ushtare”.

Çfarë vë në dukje manuali është verifikimi me ‘Google Reverse Image’ tregoi se fotoja daton 5 vjet më parë. Gjithashtu, informacioni është verifikuar duke intervistuar një prej burimeve të lajmit – ekspertin e sigurisë siç citohet në shkrimin e Faktoje. 

Përhapja e lajmeve të paverifikuara apo të pabazuara është po aq e dëmshme sa krijimi/shkrimi i tyre. 

“Akoma më qesharak është fakti që lajmi është lajm i njëanshëm pro Ukrainës dhe jo pro Rusisë. Pra mund të kishte akuzuar prodhuesin e lajmit si lajm shumë optimist pro Ukrainës, si lajm i pabalancuar, ose shumë partizan, por jo si depërtim rus në lajme. Se lajmi është tërësisht kundër Rusisë, madje qartazi i njëanshëm pro Ukrainës. Kjo tregon që as kuptojnë çfarë lexojnë, por shkruajnë çfarë u diktojnë për arsye personale apo politike”. “Tema”

Në lidhje me deklaratën më sipër – aludimet nuk qëndrojnë pasi në manual nuk ka deklaratë të tillë. Për sqarim këto kanë lidhje me një tjetër lajm që citohet nga Faktoje dhe në manualin kundër dezinformimit lidhur me raportin e ODNI, ku gjithashtu informacioni është nxjerrë nga konteksti. 

https://faktoje.al/raporti-i-inteligjences-amerikane-nuk- parashikoi-lufte-ne-ballkan/

Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ka në themel verifikimin e fakteve sipas një metodologjie ndërkombëtare, dhe që i krijon mundësinë çdo kujt që përmes leximit të artikullit të verifikojë apo të njihet me evidencat zyrtare.  Faktoje mbështetet nga donatorë ndërkombëtarë dhe i qëndron standardeve ndërkombëtare por edhe parimeve etike që një media lypset të ketë. Një media e re me gazetarë profesionistë, lajmet e të cilëve janë ripublikuar dhjetra herë edhe nga gazeta Tema.