Pretendimi se virusi SARS-CoV-2 nuk ekziston sepse nuk është izoluar në laborator është i pabazë. Verifikimi i Faktoje shpjegon se virusi që shkakton Covid-19 është izoluar që në Dhjetor 2019 në Wuhan, dhe shumë herë të tjera më pas, në vende të ndryshme të botës.

——————————————————–

Një video që pretendon se Covid-19 nuk ekziston po qarkullon në rrjetet konspiracioniste. Klipi 12-minutësh tregon ish-gazetaren dhe aktivisten irlandeze Gemma O’Doherty e cila qëndron jashtë godinës së Departamentit të Shëndetit të Irlandës me çfarë ajo thotë është “prova” se Covid-19 nuk është i vërtetë

Sipas O’Doherty, Departamenti i Shëndetit iu përgjigj kërkesës së saj për informacion duke thënë se “nuk mban informacion mbi izolimin e një virusi SARS-CoV-2.” Kjo, sipas saj, do të thotë se “me fjalë të tjera, ai nuk ekziston.”

Video e mësipërme është nga Nëntori 2020.

Izolimi i një virusi do të thotë marrja e një kampioni të pastër të tij nga një organizëm i infektuar me qëllim studimin e virusit.

Në të vërtetë, virusi SARS-CoV-2 është izoluar nga shkencëtarët në Wuhan që në Dhjetor 2019. Sekuenca të plota, gati identike, gjenomesh për virusin u morën nga pesë pacientë në fazat e hershme të epidemisë.

Ndërsa shkencëtarët në ShBA e izoluan virusin nga një pacient në Janar 2020. SARS-CoV-2 është izoluar gjithashtu nga shkencëtarë në Korenë e Jugut, Gjermani, Australi, dhe Kanada.

Mikrobiologia Siouxsie Wiles nga Universiteti i Auckland tha për AAP në 2020 se teoria se virusi nuk ishte izoluar po qarkullonte bazuar në kërkesa për informacion të formuluara në mënyra që keqkuptojnë si viruset dhe procesi i izolimit funksionojnë.

Në videon e O’Doherty, ajo flet për kërkesën për informacion që i kërkon Departamentit të Shëndetit dokumente që tregojnë se SARS-CoV-2 ishte izoluar “nga një pacient simptomatik me Covid-19 ku kampioni nuk ishte kombinuar fillimisht me asnjë burim tjetër materiali gjenetik”.

Wiles tha se kjo ishte e pamundur, duke e përshkruar kërkesën si “një problem përkufizimesh.”

“Viruset jane praktikisht objekte të pajetë të cilëve u duhet një kulturë në të cilën të aktivizohen. Por mënyra se si po i formulojnë kërkesat është që kampioni duhet të jetë krejtësisht i papërzier dhe të mos jetë i rritur në ndonjë kulturë. Dhe këtë nuk mund ta bësh,” tha ajo. “Nuk mund ta izolosh një virus pa përdorur një kulturë qelizore, kështuqë, duke përdorur përkufizimin e tyre, nuk është izoluar. Por është izoluar dhe kultivuar duke përdorur kultura qelizore disa herë përreth botës.”

Virologu John Taylor nga Universiteti i Auckland tha se SARS-CoV-2 ishte izoluar shumë herë duke përdorur qeliza për të amplifikuar virusin e marrë nga kampionët e pacientëve dhe ideja që kjo përbën ndonjë lloj kontaminimi që vjen nga qelizat është absurditet.

“Viruset janë holoparazitë, që do të thotë ata mund të rriten vetëm brenda një qelize të gjallë pritëse. Kështuqë nëse vë kushtin që nuk mund ta kombinosh virusin me një qelizë pritëse, atëherë do të marrësh përgjigjen që do, ndërsa shpërfill biologjinë themeltare,” tha ai.