BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI rremë lajmi për lirimin nga burgu të Jaho Mulosmanit

I rremë lajmi për lirimin nga burgu të Jaho Mulosmanit

Jaho Mulosmani nuk është liruar nga burgu, siç pretendohet në postime të shpërndara në mediat sociale. Faktoje verifikoi se kemi të bëjmë me një informacion të rremë dhe kjo konfirmohet zyrtarisht edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Është bërë virale brenda pak ditësh një video e shpërndarë në rrjetet sociale, e cila njofton lirimin e Jaho Mulosmanit, i dënuar me burgim të përjetshëm si pjesë e grupit që vrau deputetin Azem Hajdari në vitin 1998.

Lirohet pas 20 vitesh krahu i djathtë i Fatmir Haklajt”- shkruan në postimin që shoqëron videon profili i Sigmak, një portal informativ me qendër në Maqedoninë e Veriut.  Video është ndarë nga data 26 janar plot 101 herë si dhe ka marrë mbi 9600 reagime nga përdorues të Facebook në mbarë trevat shqiptare.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Në fakt, pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale janë të disa viteve më parë, gjatë takimit të Jaho Mulosmanit me gazetarë që kanë zhvilluar intervistat në brendësi të burgut të Burrelit.  

Lajme të ngjashme për lirimin e Mulosmanit publikohen në disa portale që prej korrikut të vitit 2021, kur i dënuari për ekzekutimin e deputetit Hajdari u transferua për të kryer disa ekzaminime mjekësore pranë qendrës spitalore Nënë Tereza.

Ne bëmë një kërkim në faqet zyrtare të institucioneve nëse kishte ndonjë njoftim për lirimin e tij, por nuk kishte asnjë informacion mbi lirimin nga burgu të Jaho Mulosmanit.

Në lidhje me këto pretendime, iu drejtuam me një kërkesë për informacione dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Institucioni në fjalë mohon që të jetë liruar shtetasi Jaho Mulosmani.

“Shtetasi i cituar në kërkesën tuaj nuk rezulton të jetë liruar nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për Faktoje.

Intervistat e Jaho Mulosmanit nga burgu kanë ngjallur gjithmonë kureshtje dhe popullariteti i tij duket se shfrytëzohet nga portalet për të siguruar klikime. Mulosmani është duke vuajtur vitin e 22-të të dënimin të përjetshëm si një nga pjesëtarët e grupit që u akuzua për vrasjen për hakmarrje të deputetit demokrat Azem Hajdari në mbrëmjen e 12 shtator 1998.

Sipas legjislacionit shqiptar dhe rekomandimit 23/2023 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Jaho Mulosmani do të duhet të presë edhe 3 vite të tjera përpara se të nisë përpjekjet e tij ligjore për të përfituar nga lirimi me kusht për rrethana të veçanta.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img