Pretendimi: 41% e të vaksinuarve kundër Covid-19 me dozën e katërt kanë vdekur
Verdikti: E pavërtetë
Studimet mjekësore mbi Covid-19 vijojnë të ndiqen me interes dhe natyrshëm që nxisin edhe keqinterpretime në media apo rrjetet sociale. Një rast i tillë duket se është ai i një studimi të Universitetit të Bolonjës, i cili pretendon se “41% e të vaksinuarve” kundër Covid-19 “vdiqën pas dozës së katërt”.
Ky informacion është një interpretim i gabuar dhe i shtrembëruar i të dhënave nga një studim i botuar në revistën “Vaccines” në dhjetor 2022.
Shifra është marrë nga një artikull në gazetën Il Giornale d’Italia, botuar më 18 janar, i cili më vonë është korrigjuar nga e njëjta gazetë. Analiza e bërë nga kolegët e verifikimit të fakteve në Itali, Facta.it, ka treguar se ky pretendim është bazuar në një tabelë të manipuluar, duke krijuar një lidhje të pasaktë midis numrit të vdekjeve dhe numrit të individëve që morën dozën e katërt të vaksinës.
Në versionin origjinal të artikullit Il Giornale d’Italia raporton se nga 8,213 njerëz të vaksinuar me dozën e katërt, 3,351 do të kishin vdekur, ose 40.8%.
Duke shkruajtur se 8,213 persona kishin marrë dozën e katërt të vaksinës, dhe se 3,351 prej tyre kishin vdekur, u krijua përqindja alarmante prej 40.8% e vdekshmërisë. Megjithatë, studiuesit nuk ofruan një tabelë që të listonte vetëm vdekjet nga doza e katërt, por numrat që ata paraqitën ishin për të gjithë ata që morën të paktën një dozë vaksine. Kjo ka çuar në një ngatërresë të të dhënave dhe një përfundim të pasaktë.
Studimi i Universitetit të Bolonjës është një hulumtim paraprak dhe ka kufizime të natyrshme. Faktorë të tjerë, si mosha dhe sëmundjet e mëparshme, mund të kenë ndikuar në rezultatet. Studiuesit gjithashtu kanë theksuar se “ngjarjet e padëshiruara” që ndodhin pas vaksinimit mund të jenë të lidhura vetëm potencialisht me vaksinën dhe jo domosdoshmërisht shkaktohen prej saj.