Pretendimi: Zhdukja e mostrave të viruseve në Australi do të sjellë pandemi të re në 2025

Verdikti: Mungon konteksti

Lajmi për hapjen e një hetimi për zhdukjen e mostrave të viruseve në një laborator në Australi po ndahet në Facebook nga Arianit Sllamniku, i ftuar së fundi edhe nga mediat shqiptare për të komentuar teoritë konspiracioniste, si një parashikim për nisjen e një pandemie të re në vitin 2025.

Verifikimet e mëtejshme në internet konfirmojnë vërtetësinë e këtij hetimi të nisur në 9 dhjetor nga autoritetet australiane të shëndetësisë.

Incidenti përfshin 323 mostra të copëtuara të lyssavirus, një virus që është i ngjashëm me virusin e tërbimit, dhe mostra të plota të hantavirusit, i cili nuk është regjistruar ende te njerëzit në Australi. Virusi Hendra, është gjithashtu mes mostrave, një virus i njohur për efektet e tij vdekjeprurëse te njerëzit dhe kafshët.

Ministri i Shëndetësisë në rajonin e Queensland, Tim Nicholls konfirmoi për mediat se mungesa e mostrave u zbulua në gusht 2023. Materialet në fjalë ndodheshin në një pajisje frigoriferike që pësoi defekt në vitin 2021.

Dy vite më pas, gjatë një kontrolli të autoriteve mbi standartet e laboratorit, punonjësit nuk ishin në gjendje që të konfirmonin me dokumentacionin përkatës nëse mostrat ishin hequr dhe vendosur në një ngrirës tjetër apo ishin asgjesuar për mungesë të ruajtjes në kushtet e duhura.

Shefi i Shëndetësisë në Quensland, Dr. John Gerrard tha se shkelja në mbajtjen e të dhënave në laborator ishte serioze, por rreziku për komunitetin ishte shumë i ulët. “Është e rëndësishme të theksohet se këto mostra të virusit do të degradoheshin shumë shpejt jashtë një frigoriferi me temperaturë të ulët dhe do të bëheshin jo infektive. Asnjë rast Hendra ose Lyssavirus nuk është zbuluar mes banorëve në Queensland gjatë pesë viteve të fundit dhe nuk ka pasur asnjë raport për infeksione Hantavirus te njerëzit në Australi,” tha ai.

Ministri i Shëndetësisë në Queensland, Tim Nicholls, duke folur për hetimin

Pavarësisht se nuk ka arsye për panik të menjëhershëm për shkak të humbjes së mostravave të virusit, rasti në Laboratorin e Virologjisë të Queensland ka nxjerrë në pah mangësi të mëdha në protokollet e sigurisë biologjike të shtetit.