.

.

BallinaAktualitetHapja graduale e aktiviteteve, po transporti urban?

Hapja graduale e aktiviteteve, po transporti urban?

ANXHELA RUÇI

Po bëhen thuajse dy muaj që nga ndërprerja e transportit urban, i cili para pandemisë raportonte mbi 300 mijë pasagjerë në ditë. Me rihapjen e shumë aktiviteteve, paralizimi i tij përbën shqetësim për qytetarët, të cilët duhet të përshkojnë kilometra në këmbë. Kompanitë e linjave kryesore në Tiranë, thanë se personeli i tyre ende nuk e ka marrë pagën e premtuar nga qeveria, ndërsa kostot dhe shpenzimet shtohen përditë, pavarësisht ndërprerjes së aktivitetit. Deri tani ende nuk flitet për rifillim të tij, për sa kohë që është e pashmangshme ruajtja e distancës mes pasagjerëve.

—————————————————————————————————————————————-

Prej 12 marsit transporti publik u pezullua plotësisht në Tiranë, për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.  Prej asaj dite, autobusët e linjave urbane qëndrojnë në pritje të nisjes së aktivitetit, ndërsa gjithë kjo periudhë përkthehet në kosto për kompanitë e transportit.

Rixhin Qoshja, kryetari i Shoqatës së Transportit Qytetas tha për “Faktoje” se kompanitë e transportit kanë humbje shumë të madhe dhe se rreth 1000 vetë kanë mbetur të papunë, që nga pezullimi i transportit.

Këto kompani përfitojnë nga paketa e zgjeruar që jep qeveria për biznesin e madh. Kompanitë e transportit publik kanë aplikuar dhe kanë marrë aprovimin, por në llogaritë bankare të punonjësve nuk ka kaluar ende shuma prej 40 mijë lekësh, çka shton edhe më shumë problemet për ta.

Por ka edhe raste si kompania e linjës Kinostudio-Kombinat, që nuk kanë aplikuar ende për përfitimin e kësaj pagese. Kjo ka ndodhur pasi kompania në një numër NIPT-i ka dhe shërbime të tjera që nuk përfitojnë nga paketa, duke penalizuar edhe punojësit e transportit publik. Përfaqësuesit e kësaj linje kanë plotësuar formularët e ankesës dhe besojnë se shumë shpejt të 160 të punësuarit do të marrin pagesën.

Qeveria po lejon javë pas jave hapjen graduale të disa kategorri biznesesh dh aktivitetesh, ndërsa Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu foli për një plan-draft për hapjen e bareve dhe restoranteve më 18 maj. Por askush nuk ka folur për hapjen e transportit publik, duke marrë parasysh edhe rrezikshmërinë e lartë të përhapjes së virusit gjatë udhëtimit në autobusët, të cilët shumicën e kohës janë të mbipopulluar.

Edhe pse jemi në fillim të muajit maj dhe kanë kaluar pothuajse dy muaj nga pezullimi i transportit publik, sipas kompanive nuk ka pasur asnjë komunikim nga pushteti vendor sesi do të vijohet. Ndërkohë që autobusët nuk lëvizin (me përjashtim të atyre që transportojnë staf mjekësor), kostot dhe shpenzimet e kompanive vazhdojnë të rriten.

Shoqëria “Albatrans”, e cila ka në zotërim linjat “Tirana e re”, “Tufinë” dhe “Ish-kombinati autotraktorëve-Qendër”, tha për “Faktoje” se vetëm në një muaj shpenzimet që kjo kompani ka shkojnë në 12 milionë lekë (të reja), ku përfshihen pagat e punonjësve, amortizimi i mjeteve, parkimi, mirëmbajtja, qeraja dhe energjia elektrike. Këto shpenzime vazhdojnë edhe gjatë muajve të karantinës.

Përveç kësaj, kompanitë shtojnë edhe shpenzimet që kanë nga taksat vendore dhe taksën e qarkullimit për çdo autobus. Edhe pse transporti nuk funksionon, kompaninë janë të detyruara t’i paguajnë.

Shoqata e Transportit Ndërqytetas ka planifikuar që javën e ardhshme t’i drejtohet Bashkisë Tiranë, për të mësuar se çfarë do të ndodhë me transportin publik, si do të veprohet pas hapjes dhe kur do të ndodhë ajo. Kompanitë paralajmërojnë se do të kërkojnë edhe kompesim të humbjeve që kanë pasur këto kohë, si dhe falje të taksave vendore dhe jo vetëm shtyrjen siç ka lajmëruar deri më tani Bashkia Tiranë.

Nga ana tjetër, përveç kompanive janë edhe qytetarët që kërkojnë rikthimin e transportit publik. Pas hapjes së pjesës më të madhe të bizneseve dhe rikthimit të administratës në detyrë, punonjësit janë të detyruar të bëjnë kilometra me këmbë për të arritur orarin e punës.

Migenës e cila punon në një kompani telekominikacioni në zonën e “Rrugës së Elbasanit”, i duhen 3 orë ecje në këmbë vajtje-ardhje për në punë. Në ditë të zakonshme ajo merr autobusin e linjës “Kinostudio-Kombinat” për të udhëtuar. Si Migena janë dhe shumë punonjës të tjerë që nuk kanë makina private apo transportin e siguruar nga punëdhënësi, të cilët janë të detyruar të përdorin transportin publik.

Pavarësisht humbjeve që Transporti publik në Tiranë ka pasur, kompanitë me të cilat ne komunikuam si edhe kryetari i shoqatës së transporteve, e përjashtuan mundësinsë e rritjes së biletës pas situatës që ka krijuar COCID-19.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img