BallinaPertejFushata zgjedhore, partitë “fshehën” shpenzimet e mitingjeve dhe kandidatëve

Fushata zgjedhore, partitë “fshehën” shpenzimet e mitingjeve dhe kandidatëve

KLEMENTINA CENKOLLARI

Deklarimet zyrtare të partive kryesore politike pranë KQZ dokumentojnë mungesën e transparencës për shpenzimet e fushatës së 25 prillit. Analiza e raporteve financiare të dorëzuara nga PS, nxjerr në dritë se partia në pushtet ka shkelur Kodin Zgjedhor duke tejkaluar trefishin e shumës së lejuar me ligj shpenzimet e saj në këtë fushatë. Ndërkohë, të dyja partitë kryesore të mazhorancës dhe opozitës rezulton se kanë shmangur deklarimin e shpenzimeve të organizimit të mitingjeve apo në disa raste edhe nuk i kanë raportuar ato pranë KQZ. Një tjetër shkelje tipike për PD, PS dhe LSI në raportet financiare është se nuk detajojnë shpenzimet për secilin kandidat, por vetëm një shumatore të tyre sipas zonave zgjedhore. KQZ njofton se u ka kthyer për plotësim raportet financiare 11 subjekteve.

—-

Ditët e fundit të fushatës zgjedhore, dy partitë kryesore në vend, PS dhe PD, “harruan” masat anti-covid dhe mobilizuan zgjedhësit nëpërmjet mitingjeve masive publike në sheshet e qyteteve. PS mblodhi mijëra mbështetës në mitingun në sheshin “Skënderbej” në Tiranë më 22 prill, ndërsa një ditë më vonë, PD manifestoi mbështetjen e përkrahësve të saj nga sheshi “Nënë Tereza”. Të dy mitingjet u transmetuan me regji qendrore nga partitë duke i sjellë liderët e tyre në cdo shtëpi shqiptare edhe në skajet më të largëta të vendit. Por dy muaj më pas, në raportet financiare të dorëzuara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të dyja këto mitingje janë harruar të deklarohen nga partitë.

Këto janë vetëm dy nga problemet e konstatuara në deklarimet e partive kryesore për shpenzimet e fushatës, një detyrim i përcaktuar në Nenin 92 të Kodit Zgjedhor, si një nga masat për të shmangur financimin e pabarabartë dhe përdorimin e aseteve shtetërore për qëllime politike.

Por, partitë sfiduan sërish ligjin dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve, duke shmangur deklarimin e plotë të shpenzimeve të fushatës. Partia Demokratike nuk ka deklaruar në raportin financiar shpenzimet për mitingjet elektorale, Partia Socialiste ka deklaruar vetëm dy, në Elbasan dhe në Vlorë, duke fshehur shpenzimet për takimet e tjera, si ai i Tiranës, mbajtur në 22 prill.

Në raportin financiar, PS deklaron 4, 350, 000 lekë shpenzime për mitingun përmbyllës në Vlorë, të gjitha nën zërin e shpenzimeve administrative, duke shmangur detajimet për paratë e shpenzuara për flamujt, regjinë, apo podiumin në miting, sikurse përcakton Kodi Zgjedhor, në Nenin 92.

*Foto nga takimi përmbyllës i PS ne Vlorë, burimi Top Channel

Bazuar në ofertat e kompanive të marketingut, për këtë miting, PS llogaritet të ketë shpenzuar 6,600- 8,800 Euro ose nga 800 mijë deri në 1.06 milionë lekë.

Më konkretisht:

Çmime reference të ofruara nga kompanitë kryesore të marketingut gjatë fushatës zgjedhore

 

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e “fshin” në raportin financiar takimin e Tiranës. Me të njëjtën formulë llogarie, si në rastin e PS, demokratët mund të kenë shpenzuar minimalisht për këtë miting 3,900-4,800 Euro ose ndryshe 470,000 – 560,000 lekë të reja.

*Foto nga takimi përmbyllës i PD në Tiranë, burimi Balkanweb

E njëjta harresë në raportin financiar është ndjekur dhe për mitingjet përmbyllëse të 23 prillit, të kryetarit Basha në Shkodër, Lezhë dhe Elbasan.

Sipas udhëzuesit të KQZ, për raportimin e partive për financimin e fushatës, nëse pajisjet audio-vizuale merren me qera dhe një kompani ofrohet t’ia japë me çmim preferencial, kjo duhet raportuar si shpenzim në natyrë.

Në formularin e PS, nuk ka asnjë raportim për qera për pajisje audio-vizuale, por vetëm qera për zyra elektorale.

Raport i PS me shpenzimet për zyrat elektorale gjatë fushatës 2021

As PD nuk ka në raport një zë të tillë. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, PD nuk ktheu përgjigje mbi pyetjen se përse nuk ishin deklaruar në formular takimet përmbyllëse të fushatës elektorale dhe shpenzimet për to.

Raporti i PD për financimin e fushatës zgjedhore 2021

LSI ka deklaruar shpenzimet për mitingun përmbyllës në Tiranë.

Raporti i LSI per shpenzimet e takimit elektoral në Tiranë

 

Partitë “nuk dinë” të deklarojnë paratë e fushatës

Neni 92 i Kodit Zgjedhor i detyron subjektet zgjedhore të paraqesin raport financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (i cili më herët kishte publikuar listën e ndarjes së fondeve për zgjedhjet për secilin subjekt, e certifikoi rezultatin e 25 prillit më 23 qershor dhe bëri publik në ëebsite raportet e partive në 21 shtator. Në listën e publikuar nga KQZ, rezultonte se Partia Social Demokrate e Tom Doshit nuk i dorëzoi shpenzimet brenda afatit të përcaktuar.  Neni 173 i Kodit që përcakton sanksionet në lidhje me financimin e fushatës, parashikon se mosparaqitja e një raporti të tillë, brenda afatit ligjor dënohet me 2 milionë lekë gjobë.

Ndërkohë në raportin e dorëzuar përtej afatit ligjor, nga PSD, dhe të publikuar së fundmi, figuron vetëm shuma e akorduar nga KQZ si fond publik, prej rreth 1.6 milionë lekësh, por asnjë shpenzim për fushatë, si psh për zyra elektorale, materiale propagandistike etj.

***Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, KQZ nuk dha informacion se cila nga partitë e ka përcjellë jashtë afatit raportin, por shpjegoi se u ka kthyer mbrapsht raportet 11 subjekteve zgjedhore.  KQZ arsyeton se raportet e kthyera për plotësim, kishin mangësi, ishin plotësuar me shkrim dore, formati nuk ishte i duhuri dhe mungonte deklarimi i shpenzimeve të kandidatëve.

Sipas Kodit Zgjedhor, paraqitja e raporteve, në shkelje të rregullave dhe formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë nga 500 mijë deri 1 milionë lekë.

 

Partitë të cilave KQZ u ka kthyer raportet financiare janë:

 

Partia Bashkimi Liberal Shqiptar

Partia Kombetare Konservatore Albania

Partia Emigracioni Shqiptar

Partia Bashkimi Popullori i Pensionisteve Shqiptar

Partia Ora e Shqiperisë

Partia Balli Kombetar Demokrat

Partia Levizja Demokratike Shqiptare

Partia Demokratike e Shqiperise

Partia Balli Kombetar

Partia Socialdemokrate

Partia Bindja Demokratike

 

 

 

Sa shkoi fatura e partive për fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit?

 

Në letër, partitë politike shpjegojnë se gjenerojnë të ardhurat përmes fondeve publike, kuotave të anëtarësisë dhe donacioneve. Pasqyrimi i burimit të parave, është një tregues i fortë mbi parimet e partive politike, por edhe kandidatëve të tyre.

Për fushatën e 25 prillit, Partia Socialiste shpenzoi rreth 172 milionë Lekë. Kjo shifër është 3.5 herë më e lartë sesa paratë që shpenzoi Partia Demokratike. Shifra totale që shpenzoi forca kryesore opozitare ishte 47.6 milionë Lekë.

Shpenzimet e fushatës për 3 partitë kryesore:

PS 172 046 612 Lekë

PD 47 625 660 Lekë

LSI 43.501.573 Lekë

 

Për zgjedhjet e 25 prillit, partitë morën dy herë më shumë para nga buxheti i shtetit, sesa në 2017-n.

Partia Socialiste mori rreth 55.8 mln Lekë, PD rreth 33.3 mln Lekë, LSI rreth 18.9 mln Lekë.

Më konkretisht:

PS- 55 milionë e 826 mijë e 750 Lekë

PD -33 milionë 318 mijë e 149 Lekë

LSI- 18 milionë e 975 mijë e 182 Lekë

PR -3.6 milionë Lekë

LZHK- 1.4 milionë Lekë

PDIU -5.5 milionë Lekë

FRD- 2.1 milionë Lekë

PDK -1.4 milion Lekë

PSD- 1.6 milion Lekë

Bindja Demokratike -1.4 milion Lekë

 

Neni 92 i Kodit Zgjedhor përcakton se shuma e shpenzimeve të bëra nga një subjekt zgjedhor, përfshirë kandidatët e tij, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 3-fishi i fondeve publike të përfituara nga ky subjekt. Sipas deklarimeve, PS e ka shkelur ligjin, duke shpenzuar më shumë nga sa përcakton Kodi, saktësisht 3 566 362 Lekë më shumë.

Llogaritja

55 826 750 Lekë X 3 = 167 480 250 Lekë

Shpenzime të deklaruara

172 046 612 Lekë

Kapërcimi i buxhetit

3 566 362 Lekë

Përmes një komunikimi zyrtar, PS u pyet përse nuk kishte deklaruar shpenzimet për mitingun përmbyllës, përse nuk kishte deklaruar shpenzimet për çdo kandidat dhe përse kishte kapërcyer shpenzimet e fushatës.

Zyra e Komunikimit të PS dha këtë përgjigje:

“Deklarimet e kryera nga PS janë në përputhje me formatin e KQZ dhe të dhënat e deklaruara nga Partia Socialiste i janë nënshtruar procesit të auditimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.

*Përgjigja e PS

 

PS nuk iu përgjigj pyetjes mbi tejkalimin e shpenzimeve.

Sa i përket raportereve për çdo kandidat, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ato nuk gjenden të pasqyruara në KQZ dhe as në faqen e PS.

Neni 193 i Kodit Zgjedhor parashikon se shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga një subjekt zgjedhor dënohet me një gjobë prej 5 000 000 Lekësh ose me një gjobë të barabartë me shumën që ka kaluar kufirin, cilado që është më e lartë. Ankimimi nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të gjobës. Deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk ka një vendimmarrje për një masë të tillë, për subjektet shkelëse.  Nga ana tjetër, edhe LSI nuk ka deklaruar shpenzimet e çdo kandidati, por vetëm ato në rang qarku. Zyra e shtypit e kësaj force politike, tha se ka zbatuar Kodin Zgjedhor dhe se në raportin që ka dorëzuar në KQZ, përfshiheshin shpenzimet e çdo kandidati.

Shpenzimet e kandidatëve sipas raportit të LSI, publikuar në faqen zyrtare të KQZ.

 

Në kuadër të këtij shkrimi, iu drejtuam Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kërkesën për një prononcim mbi raportimin me shkelje të partive për shpenzimet e fushatës sikurse edhe raportimin jo sipas parashikimit ligjor nga monitoruesit për shpenzimet e subjekteve për fushatë elektorale. KQZ nuk dha shpjegime mbi konstatimet, por informoi se po përgatit një raport verifikimi për t’u pasqyryar në projektvendimin që do të shqyrtojë Komisioneri.

 

Pas zgjedhjeve të 25 prillit, opozita akuzoi mazhorancën se përdori Kodin Zgjedhor në favor të saj, duke kërkuar një tjetër reformë zgjedhore. Por, në fakt mjafton një verifikim dhe një përllogaritje e thjeshtë për të zbuluar se asnjë nga partitë kryesore, nuk i ka respektuar as rregullat e kodit ekzistues elektoral. Në kundërshtim me rregullat, të gjitha palët kanë shmangur deklarimin e saktë të shpenzimeve elektorale, teksa duket se dhe vetë palët politike kanë një “marrëveshje të heshtur” që të mos atakojnë njëra-tjetrën në këtë pikë.

 

*Ky artikull u mbështet nga projekti “Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri” (SETA), financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe Aksioni i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img