BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPortalet alarm të rremë për stuhi dhe rrufe

Portalet alarm të rremë për stuhi dhe rrufe

Në një artikull të publikuar fundjavën që lamë pas, portalet ngritën alarmin për “stuhi me rrufe” në vendin tonë duke krijuar shqetësim të panevojshëm tek lexuesit. Verifikimi i “Faktoje” zbulon se Shërbimi Meteorologjik Ushtarak nuk ka bërë një parashikim të tillë.

——————–

Zhvillimet teknologjike po i bëjnë gjithmonë e më të sakta parashikimet e motit dhe shumë prej nesh mbështeten mbi ekranin e telefonit tashmë për të marrë vendime për bujqësinë, lundrimin e deri në daljen nga shtëpia pa një cadër shiu. Kjo vëmendje e shtuar e ka kthyer edhe një parashikim të zakonshëm të motit në një mundësi për të publikuar tituj “bombastikë” dhe tërhequr audiencën për klikime.

I tillë është artikulli i portalit “shqip-lajme.com” i datës 5 nëntor, e titullin “Po vjen stuhia me rrufe! Qytetet që do të godasë në Shqipëri”. I njëjti titull dhe tekst është publikuar gjithashtu edhe në Noa.al, 5pyetjet.al. Ajo që bie menjëherë në sy është fakti që ndonëse në titull thuhet “qytetet që do të preken”, në tekst, që është thjesht kopja e një parashikimi “monoton” të motit, nuk përmendet asnjë qytet.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali “shqip-lajme.com”.

Për shkak të interesit publik dhe për të informuar në mënyrë të saktë lexuesit, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të artikullit në fjalë. Lajmi në brendësi sqaron se më datë 6 nëntor pritej një mot me vetëtima dhe rrufe.

Në një verifikim të njoftimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në faqen e tij në Facebook, ku përditësohet në mënyrë të vazhdueshme parashikimi i motit në vendin tonë, nuk rezulton që të jetë parashikuar mot me stuhi dhe vetëtima për datën 6 nëntor. Ashtu si dhe u konstatua realisht nga lexuesit gjatë ditës në fjalë.

Screenshot nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak

“Faktoje” kontaktoi më tej direkt Shërbimin Meteorologjik Ushtarak, për të konfirmuar parashikimin e datës 6 nëntor. Gjithashtu, SHMU bëri të ditur se një stuhi afatshkurtër, kryesisht me reshje shiu dhe ndonjë reshje dëbore në lartësitë shumë të mëdha nga niveli i detit, pritet të ndodhë në këtë fundjavë. Megjithatë, për më shumë detaje, është më e këshillueshme që t’i drejtoheni kanaleve të komunikimit të Shërbimit dhe të mos prisni “ndërmjetësimin” keqinformues të disa portaleve.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img