Qeveria synon të shtyjë për të disatën herë afatin e ligjit për investimet strategjike. Propozimi i dorëzuar në Kuvend në emër të deputetes së Vlorës, Pranvera Resulaj, ka shqetësuar ndërkombëtarët. Delegacioni i BE-së në Tiranë i rikujton qeverisë, shqetësimin e Brukselit lidhur me ligjin kontrovers dhe nënvizon nevojën e një kuardi të ri ligjor për investimet.
Aimona Vogli
Qeveria synon të shtyjë sërish afatin e ligjit për investimet strategjike. Të martën e 10 dhjetorit deputetja socialiste e Vlorës, Pranvera Resulaj depozitoi në Kuvend propozimin për shtyrje me dy vite të tjera të ligjit.
“Duke qene se interesi i subjekteve është ende shumë i lartë për këtë paketë ligjore, fluksi dhe stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10-vjeçarin e fundit dhe me qëllim shmangien e krijimit të këtij boshllëku ligjor, si dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij, është menduar zgjatja e afatit të paraqitjes së kërkesave deri më datën 31 dhjetor 2026.”, argumentohet ndër të tjera në relacionin shoqërues.
E miratuar si një masë e përkohshme ligjore në 2015-n, nisma kishte si afat përfundimi dhjetorin e vitit 2018. Por nga ajo kohë, afati është shtyrë pesë herë. Propozimi i fundit, që synon shtyrjen për herë të gjashtë, ka shqetësuar ndërkombëtarët. Me gjuhë diplomatike, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri shprehet kundër shtyrjes së afateve.
Zyra e Delegacionit të BE-së në një reagim të posaçëm për Faktoje.al, i kujton qeverisë shqetësimet e mëparshme të Brukselit lidhur me ligjin, të cilat u theksuan edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian.
“I njëjti raport rekomandoi që prioriteti të vihej në rishikimin e ligjeve të investimeve në një ligj të unifikuar për investimet, të cilin qeveria u zotua ta bënte deri në vitin 2026 si pjesë e Agjendës së Reformës së Planit të Rritjes. Në këtë kontekst, presim që çdo ndryshim në Ligjin aktual për Investimet Strategjike të shkojë në drejtim të largimit gradual të skemës.”, pohon zyra e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Delegacioni thotë gjithashtu se pret që procesi i ndryshimeve legjislative t’i nënshtrohet një konsultimi publik gjithëpërfshirës, si dhe një procesi transparent.
Më herët, edhe DASH ka ndarë rezerva lidhur me ligjin për investimet strategjike. Në raportin e fundit të klimës së investimeve, Departamenti Amerikan i Shtetit, thekson diferencën e thellë mes përfituesve shqiptarë dhe atyre të huaj.
“Pavarësisht legjislacionit mbështetës, shumë pak investitorë të huaj kanë përfituar nga statusi “Investitor Strategjik” dhe pothuajse të gjitha projektet u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit”, nënvizon raporti i DASH.
‘Ligj me porosi’
Në maj 2015, socialistët së bashku me aleatin e tyre qeverisës, LSI-në, miratuan me 73 vota ligjin mbi investimet strategjike. Nisma synonte nxitjen dhe tërheqjen e investimeve strategjike, në sektorë kyç të ekonomisë, nëpërmjet procedurave favorizuese, lehtësuese apo përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve. Statusi i investitorit strategjik i jepej çdo projekti në energji, transport, turizëm dhe bujqësi që investonte 30 milionë euro, apo 50 milionë euro për projekte me procedurë të veçantë.
Po ashtu, statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë” e përfitonin edhe projektet në sektorë që nuk ishin të përcaktuar në ligj me kusht që vlera e investimit të ishte 100 milionë euro.
Nga 2016 e deri në dhjetor të këtij viti numërohen 108 projekte që kanë kërkuar të përfitojnë statusin e investimit apo investitorit strategjik. Nga këta, 48 e kanë marrë statusin, 30 projekte janë refuzuar ndërsa 31 janë në fazë vlerësimi.
“Në ditët në vijim me gjasa do të dëgjojmë për ndonjë investitor të madh i cili po vjen të investojë në Shqipëri, sikurse dëgjuam në fillim të vitit 2024 për Kushnerin kur u shty ligji.”, thotë ekspertja për ekonominë dhe financat, Irena Beqiraj.
“Mungesa e aftësisë për analizuar dhe prodhuar ligje nga të cilat mund të përfitojë ekonomia në tërësi, e ka kthyer maxhorancën në atelie ku qepen ligje me porosi!”, përfundon ajo.
Qeveria ka premtuar krijimin e një kuadër të ri ligjor për investimet. Por, në vend që puna të përqëndrohej në hartimin dhe miratimin e këtij kuadri, mazhoranca ka tetë vite, që i shton jetën ligjit kontrovers, që u planifikua si i përkohshëm.