Më 22 shtator, Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s rishikoi perspektivën e saj për Shqipërinë nga e ‘qëndrueshme’ në ‘pozitive’. Nisur nga ky raport, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete deklaroi se përmirësimi i vlerësimit për Shqipërinë vjen pas gati 7 vjetësh. Verifikimet e Faktoje tregojnë se kjo është vërtetë hera e parë prej vitit 2016, që S&P ka vlerësuar në rritje perspektivën për Shqipërinë nga e qëndrueshmë në pozitive.
Esmeralda Topi
“Agjencia Standard and Poor’s rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive duke konfirmuar vlerësimin B+. Ky përmirësim i vlerësimit, pas gati 7 vjetësh, i shërben bankave dhe investitorëve, si dhe bizneseve brenda dhe jashtë vendit për të vlerësuar aftësinë kreditore të Shqipërisë, duke pasur kështu një ndikim në uljen e kostove të huamarrjes.”, deklaroi në një dalje për mediat ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, teksa i referohej vlerësimit të fundit që ju bë Shqipërisë nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit “Standard&Poor’s”.
Më 22 shtator, Standard&Poors ndau raportin e saj të vlerësimit për Shqipërinë. Referuar të dhënave ndër vite, kjo është hera e parë që nga viti 2016 që S&P ka vlerësuar në rritje perspektivën për Shqipërinë nga e qëndrueshmë në pozitive.
Burimi: Trading economics.com
Agjensia ndërkombëtare e vlerësimit Standard&Poor’s ka rritur shkallën e vlerësimit për Shqipërinë si pasojë e pritshmërive të saj se “parametrat fiskale të vendit do të vijojnë të përmirësohen përtej pritshmërive, nëpërmjet përpjekjeve të qeverisë për të konsoliduar financat publike.” Në raportin e këtij viti, Standard & Poor’s (S&P) rikonfirmoi vlerësimin e vendit në “B+”.
Pavarësisht një ngadalësimi të BE-së, partnerit kryesor tregtar të vendit, agjencia parashikon që parametrat e pozicionit të jashtëm të Shqipërisë mund të përmirësohen më shumë nga ç’pritej, ndërsa ekonomia globale rimëkëmbet dhe sektori shqiptar i turizmit vazhdon të zgjerohet.
Standard and Poor’s parashikon gjithashtu se rritja ekonomike pritet të rimarrë veten me shpejtësi pas këtij viti, duke u mbështetur edhe në lehtësimin e kushteve financiare dhe rritjen e aktivitetit ekonomik global.
Në raportin e këtij viti, Agjencia S&P thekson se vitet e fundit, Shqipëria është përballur me një sërë goditjesh, duke përfshirë edhe tërmetin e vitit 2019. Pavarësisht kësaj, raporti vlerëson përpjekjet e qeverisë për të konsoliduar financat publike. Agjencia pret që defiçiti buxhetor të arrijë në 2% të PBB deri në vitin 2026 dhe borxhi publik të ulet në 58.3% në 2026 nga 64.5% që rezultoi në 2022. Vlerësimi i Standard & Poor’s vëren se konsolidimi fiskal do të varet edhe nga rimëkëmbja e qëndrueshme e rritjes ekonomike dhe vijimësia e reformave strukturore.
Sa i përket inflacionit, S&P parashikon që këtë vit indeksi i çmimeve të konsumit të jetë mesatarisht 4.7%, për të rënë më pas në 3% në sajë të forcimit të lekut.
Si e lexojnë ekspertët këtë vlerësim?
Për ekspertët e ekonomisë vlerësimi i S&P rrit pozicionin e Shqipërisë në tregjet financiare globale duke hapur mundësi për investime.
“Është shumë i rëndësishëm vlerësimi që këto kompani i bëjnë një ekonomie, apo një vendi si Shqipëria, sepse në varësi me vlerësimin që ato japin, (këtu po bëj një parantezë të vogël në nivelin nga A, 3A, B, C, D me radhë), kanë gati 32 kategori ose nënndarje. Në një farë mënyre, bën protetizimin e shëndetit dhe perspektivave të zhvillimit të një ekonomie të një vendi ose siç e thashw të një banke shumë të madhe ose të një korporate ndërkombëtare. Në rastin e Shqipërisë, ajo që është pozitive këtë vit është se vlerësimi me një ekonomi të qendrueshme me prespektivë pozitive. Ç’ka do të thotë që sipas vlerësimit të “S&P”, ekonomia shqiptare ka tregues dhe parametrat kryesorë, që karakterizojnë një ekonomi në nivel të qendrueshëm.”, thotë për Faktoje profesor Adrian Civici.
“S&P jep një vlerësim BB+ ose më të ulët për vendet që i konsideron të vlefshëm për investime, por sa më poshtë të jetë nota vlerësuese, po ashtu ka një kuptim për më pak siguri dhe ambjent të garantuar në aspektin afatmesëm.”, shprehet Eduard Gjokutaj, teksa shton se në raport me rajonin, Shqipëria ka ende punë përpara.
“Në lidhje me interesimin e investimeve të huaja në rajonin tonë, duke qenë se Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë një shkallë vlerësimi më të lartë (BB+) e cila bazohet te avancimi në gradë, që ata kanë në raport me Shqipërinë është një garanci më e madhe në tregun financiar dhe sigurinë që prezantojnë për investitorët. Vlerësimi për gjithë vendet, në fund të fundit është një vlerësim që përdoret nga fondet sovrane të pasurisë, fondet e pensioneve dhe investitorë të tjerë duke vlerësuar aftësinë kreditore të Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe gjithë vendeve të tjera rajonale (Kosova nuk ka një vlerësim ende) edhe pse me një ndikim të ndjeshëm në kostot e huamarrjes së secilit vend.”, argumenton ai.
Përfundim
Nisur nga verifikimi dhe të dhënat e grumbulluara nga Faktoje, vendosëm që deklaratën e ministrit të Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, në lidhje me vlerësimin e S&P ta kategorizojmë të Vërtetë.