E gjeneruar kjo video e grackës ndaj hajdutit të pakove

13

Pretendimi: Kjo video tregon një hajdut pakosh që bie në grackën e përgatitur nga i zoti i pakove

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————-

Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në Instagram pretendohet se tregon një rreng që një amerikan, i lodhur pasi dikush i vidhte vazhdimisht pakot e Amazon që i liheshin tek dera, vendosi t’i bëjë hajdutit. 

Video tregon një burrë që duket se sheh një pako të lënë tek dera dhe i afrohet për ta vjedhur, por bie menjëherë në një gropë të fshehur poshtë saj.

Paçka sa i kënaqshëm është mësimi që merr hajduti në këtë video, ajo nuk është e vërtetë, por është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar për herë të parë në Instagram më 15 shtator nga llogaria @evanrosenman.

Në postimin origjinal, autori e ka etiketuar videon si të gjeneruar me inteligjencë artificiale (AI).

Postuesi origjinal, i quajtur Evan Era është një prestigjator që poston shpesh përmbajtje të krijuar me AI në rrjetet e tij sociale, përfshi përmbajtje specifikisht me hajdutë pakosh që marrin një mësim.

Faktoje ka verifikuar edhe më parë përmbajtje të gjeneruara me AI nga kjo llogari që janë marrë si të mirëqena e shpërndara si të vërteta në portale e rrjete sociale.