Pagat e magjistratëve, beteja për lekët shtesë përballë draftit të PS-së

Përtej rritjes së pagave, në tavolinë është edhe fatura e prapambetur. Qeveria ka përllogaritur rreth 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura

57
Ne foto: Kreu i shoqates e gjyqtareve, Engert Pellumbi (majtas) dhe Gerd Hoxha (djathtas) tek Komisioni i Ligjeve

Nga Erjon Abule

Pas disa muajsh përplasje mes qeverisë, sistemit të drejtësisë dhe opozitës, saga e pagave të gjyqtarëve duket se nuk po mbaron.

Në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, Partia Demokratike i kërkoi Partisë Socialiste të tërheqë nga rendi i ditës draftin për formulën e re të pagave të magjistratëve. 

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se duhet të vijojnë konsultimet me institucionet e drejtësisë, pasi, në të kundërt, sipas tij, ligji rrezikon të miratohet sërish në shkelje të Kushtetutës.

Në përgjigje, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e cilësoi hipokrite kërkesën e PD, e cila u rrëzua me 79 vota kundër, duke lënë hapur kështu rrugën drejt miratimit të draftit.  

Të hënën, Komisioni i Ekonomisë miratoi në parim me 8 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim draftin e mazhorancës për ndryshimin e formulës së pagës referuese bazë të magjistratëve. 

Por dy ditë më parë, KLP, KLGJ, Gjykata e Lartë dhe Unioni i Gjyqtarëve, të mbështetur nga Partia Demokratike, kanë shprehur kundërshtime ndaj mënyrës së propozuar nga mazhoranca. 

Ata argumentojnë se rritja e pagës referuese nga 36% në 38% të pagës së Presidentit nuk përmbush standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Projektligji i PS parashikon që koeficienti i pagës referuese të rritet nga 36% në 38% të pagës së Presidentit të Republikës.

Në shifra konkrete, kjo përkthehet në rreth 8,500 lekë shtesë në pagën referuese bazë të magjistratëve. 

Por kjo nuk do të thotë se çdo gjyqtar apo prokuror do të marrë vetëm 8,500 lekë më shumë në pagën mujore, pasi paga bruto përfundimtare përfshin edhe elementë të tjerë, ndër të cilët grupin dhe vjetërsinë.

8,500 lekë kundrejt 80 mijë lekëve

Një nga pikat kryesore të përplasjes qëndron te diferenca e shifrave që palët kërkojnë dhe paraqesin.

Ndërsa mazhoranca propozon rritjen e koeficientit nga 0.36 në 0.38, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë kërkuar një rritje prej rreth 80 mijë lekësh në pagën referuese.

Pra, diferenca mes dy propozimeve është e konsiderueshme: kërkesa e KLGJ-së dhe KLP-së është rreth 9.4 herë më e lartë se rritja prej 8,500 lekësh që parashikon drafti i mazhorancës

Për socialistët, formula e propozuar është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe, njëkohësisht, merr parasysh mundësitë financiare të shtetit. 

Propozuesja e draftit, deputetja socialiste, Aulona Bylykbashi, ka argumentuar se Kushtetuesja nuk ka përcaktuar një formulë të vetme numerike dhe se zgjedhja e modelit i takon ligjvënësit, për sa kohë respektohen standardet kushtetuese dhe nuk ka ulje të pagave.

Reagimi i SHKGJSH-së

Në një reagim të gjatë në shkurt 2026, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë e kundërshtoi ashpër mënyrën se si qeveria ka trajtuar publikisht debatin për pagat, duke e cilësuar atë si një fushatë populiste që synon të krijojë përplasje me opinionin publik dhe të ushtrojë presion mbi Gjykatën Kushtetuese.

Në reagimin e saj, Shoqata paralajmëron gjithashtu se debati publik nuk duhet të shndërrohet në një “gjyq popullor” ndaj gjyqtarëve, ndërsa kërkon që Gjykata Kushtetuese të vendosë e qetë dhe pa presione mbi procesin që ndodhet në fazën përfundimtare.

Gjykata e Lartë

Përmes një deklarate për mediat, edhe Gjykata e Lartë e i bëri thirrje Kuvendit të mos e votojë këtë projektligj.

“Kuvendi nuk duhet të votojë një projektligj kur ekzistojnë pikëpyetje kaq serioze mbi rregullsinë, transparencën dhe integritetin e procedurës me të cilën ai ka mbërritur për votim. Vazhdimi i procedurës nuk do t’i korrigjonte këto mangësi serioze, por do t’i mbartte ato në vetë vendimmarrjen plenare. Gjyqësori ka folur. Gjykata Kushtetuese ka vendosur. Tashmë përgjegjësia është e Kuvendit. Kuvendi miraton ligje, por nuk mund të relativizojë Kushtetutën. Mund të zgjedhë zgjidhjen ligjore, por nuk mund të anashkalojë një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, – thuhet në njoftimin zyrtar.

1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura

Përtej rritjes së pagave, në tavolinë është edhe fatura e prapambetur. Qeveria ka përllogaritur rreth 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura, që lidhen me efektet financiare që prej prillit 2023. 

Për shkak të kostos, propozimi është që kjo shumë të mos paguhet menjëherë, por të shlyhet me këste përgjatë dy viteve.

Kjo është një nga pikat më të ndjeshme të gjithë debatit, pasi çështja nuk lidhet më vetëm me formulën e pagës së ardhshme, por edhe me detyrimet që pretendohet se janë krijuar në vite.

Nga vendimi i Kushtetueses te Kuvendi

Ngërçi nisi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 17 shkurtit 2026, i cili kërkoi ndërhyrjen e ligjvënësit për përcaktimin e formulës së pagave.

Afati i vendosur për ndërhyrjen ligjore ishte 31 korriku. Ky afat kaloi pa miratimin e ndryshimeve, duke e kthyer çështjen në një përplasje mes pushteteve.

Pas 1 gushtit, KLGJ dhe KLP vendosën që paga referuese të llogaritej mbi bazën e 222,425 lekëve, plus 14 mijë lekë për kualifikimin. 

Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat sipas kësaj formule, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.

Kjo prodhoi një situatë të pazakontë: një vendim i Gjykatës Kushtetuese që kërkonte ndërhyrje ligjore, një Kuvend që nuk e përfundoi procedurën brenda afatit, KLGJ dhe KLP që miratuan një formulë të tyren dhe Ministria e Financave që refuzoi ta ekzekutonte atë.

Opozita: Vendimi duhej zbatuar prej muajsh

PD e ka kundërshtuar draftin e mazhorancës dhe ka njoftuar se do të votojë kundër në Parlament.

Sipas opozitës, situata është pasojë e drejtpërdrejtë e vonesës në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. 

Deputeti Enno Bozdo deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se vendimi i Kushtetueses duhet të konsiderohet detyrim dhe se qeveria nuk e solli në kohë projektligjin e kërkuar.

Nga ana tjetër, mazhoranca këmbënguli se po bën pikërisht atë që kërkon Kushtetuesja: po përcakton me ligj formulën e pagave, duke respektuar njëkohësisht kufizimet buxhetore.

Të gjithë kundër PS te Komisioni i Ligjeve

Pas miratimit në Komisionin e Ekonomisë, projektligji i PS u kundërshtua nga të gjitha institucionet e drejtësisë në vend, i cili kaloi për rishqyrtim në 15 shtator në Komisionin për Çështjet Ligjore para seancës plenare të 17 shtatorit.

Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, deklaroi se rritja është minimale dhe “nuk reflekton standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese”, ndërsa zv.kryetari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda, theksoi se vendimi i Kushtetueses “nuk është orientim, por detyrim” dhe se formula e propozuar “nuk e realizon plotësisht standardin e vendosur” prej saj.

Kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, tha në Komisionin e Ligjeve se drafti i PS-së për pagat e magjistratëve, bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, formula e re e pagave është në fuqi prej 31 korrikut. 

Në të njëjtën linjë u pozicionua edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi nismën antikushtetuese dhe paralajmëroi: “Me këtë ligj që keni sjellë ju, do të vijmë prapë këtu, sepse ligji do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do ta rrëzojë sërish atë”. 

Sipas Bardhit, propozimi është “në shkelje të hapur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, pasi jo vetëm nuk e reflekton atë, por “bën të kundërtën e asaj që kërkohet”.

Çfarë mund të ndodhë?

Nëse do të miratohet nga Parlamenti, pas disa muajsh debatesh, padish, akuzash dhe përplasjesh institucionale, çështja pritet të marrë një zgjidhje ligjore, por jo domosdoshmërisht ky mund të jetë fundi i debatit.

Sepse pas votimit, mbetet pyetja më konkrete: sa do të përfitojë realisht çdo magjistrat, kur do të paguhen detyrimet e prapambetura dhe nëse formula e miratuar nga Kuvendi do të konsiderohet përfundimisht në përputhje me standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Për momentin, shifrat janë të qarta: 8,500 lekë rritje në pagën referuese sipas draftit të PS-së, kundrejt rreth 80 mijë lekëve të kërkuara nga KLGJ dhe KLP; 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura dhe një afat i ri, 17 shtatori, për t’i dhënë fund ngërçit.

Nëse Parlamenti e miraton draftin, saga e pagave të magjistratëve do të mbyllet në Kuvend, por mund të rikthehet në Gjykatën Kushtetuese, siç pranoi deputeti demokrat, Gazmend Bardhi.