Pretendimi: Kjo video tregon presidentin amerikan Donald Trump në panik pasi dikush bërtiti “Allahu Akbar” gjatë fjalimit të tij
Verdikti: E pavërtetë, Video e manipuluar
——————————————————————–
Një video që ka marrë mbi 3 mijë pëlqime në Instagram pretendohet se tregon momente paniku pasi dikush bërtiti “Allahu Akbar” gjatë një fjalimi të presidentit amerikan Donald Trump.

Video e mësipërme duket se tregon Trump duke folur në një tubim. Ai më pas ndalon papritur dhe rrethohet nga forcat e sigurisë, pasi në regjistrimin audio dëgjohet një zë që shqipton frazën arabe “Allahu Akbar” ose “Zoti është i madh.”
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme ishte postuar fillimisht në rrjet më 12 mars 2016 në Youtube nga media amerikane ABC Neës.
Megjithatë, në videon origjnale nuk dëgjohet askush të thotë “Allahu Akbar.”
Video tregon një incident të datës 12 mars 2016 në një tubim në Ohio, kur Trump po bënte fushatë për herë të parë për t’u bërë president. Sipas përshkrimit të ABC News, “agjentët e Shërbimit Sekret u desh t’i bashkoheshin Donald Trump në skenë gjatë tubimit të tij në Ohio të shtunën, vetëm një ditë pasi ai kishte anuluar një aktivitet për shkak të shqetësimeve për sigurinë.”
Incidenti i marsit 2016 u raportua gjithashtu nga media të tjera ndërkombëtare si NBC dhe BBC.
Një video tjetër e të gjithë tubimit 1 orë e 20 minuta e gjatë u publikua gjithashtu nga C-SPAN më 12 mars 2016. Në minutën 53:30 të videos, Trump rrethohet nga ekipi i sigurimit, por nuk dëgjohen fjalët “Allahu Akbar.”
Një video tjetër e atij momenti gjatë aktivitetit në Ohio, e filmuar nga një kënd tjetër, gjithashtu nuk i përmban fjalët “Allahu Akbar.”
Audio e videos që po qarkullon në rrjete sociale është manipuluar duke shtuar një zë që bërtet “Allahu Akbar” përpara se Trump të trembet dhe të rrethohet nga sigurimi.
Agjentët e Shërbimit Sekret rrethuan Trump, pasi një shishe u hodh në skenë. Ky ishte tubimi i parë pas shpërthimit të dhunës në një tubim të Trumpit në Chicago një ditë më parë, ngjarje që çoi në anulimin e atij tubimi.
Personi që hyri në zonën e ndaluar gjatë aktivitetit dhe shkaktoi ndërhyrjen e sigurisë u identifikua më vonë si Thomas Dimassimo. Ai u akuzua nga autoritetet për prishje të rendit publik. Ai u gjobit gjithashtu me 250 dollarë dhe iu caktua një periudhë prove prej një viti, e cila përfundoi në nëntor të vitit 2016.
Më 13 mars 2016, në një postim në Twitter, Trump e cilësoi personin në fjalë si anëtar të grupit “Shteti Islamik.” Megjithatë, Dimassimo e mohoi këtë akuzë.






