Pretendimi: Kamionët që transportonin viktimat e Covid-19 në Itali mbanin vetëm nga 1 arkivol

Verdikti: E pavërtetë

Fotot e karvaneve të kamionëve ushtarakë që u përdorën për të transportuar viktimat e para të Covid-19 në Itali bënë xhiron e botës duke ndërgjegjësuar të gjithë për përmasat e kësaj pandemie. Katër vite më pas, postime në rrjetet sociale po pretendojnë se e gjithë kjo skenë ishte e rreme për të frikësuar qytetarët.

Pretendimi lidhet me një seancë dëgjimore të Komisionit Covid në Parlamentin italian, që u zhvillua më 19 nëntor 2024, ku Antonio Porto, sekretari i sindikatës të pavarur të policisë OSA, ngriti pyetjen: “Pse një arkivol i vetëm në çdo kamion?”

Kjo pjesë e dëshmisë në komision u shpërnda në ditët e para të dhjetorit së bashku me një mbishkrim që thotë se arkivolët që transportoheshin në ato kamionë ishin për të bindur qytetarët se virusi imagjinar nuk ekzistonin, por popullsia duhej të bindej, me terror dhe frikë, t’i hiqte lirinë vetes.”

Sindikalisti Porto aludoi se ky mund të kishte qenë një manipulim për të frikësuar publikun dhe për të krijuar një imazh të frikshëm të situatës. Megjithatë, kjo akuzë nuk ka asnjë bazë faktike.

Sipas Giacomo Angeloni, këshilltar për inovacionin dhe shërbimet e varrezave në Bergamo, arkivolët nuk ishin transportuar vetëm me një arkivol për kamion, siç sugjeron Porto. Përkundrazi, ai tha se më 18 mars 2020, 8 kamionë ushtarakë transportuan 73 të vdekur nga Bergamo, dhe ata ishin të ndarë në tri karvane, me destinacione qytete të tjera si Bolonja, Modena dhe Varese.

Pretendimi i shpërndarë në rrjetet sociale i lidhur me seancën e Komisionit Covid është verifikuar edhe nga kolegët tanë italianë verifikues të fakteve në Facta.it.