BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKujdes nga trajtimet e rreme për dhimbjen e kockave

Kujdes nga trajtimet e rreme për dhimbjen e kockave

Mjekimet për sëmundje të ndryshme që qarkullojnë si këshilla mjekësore në mediat online duhet të merren gjithmonë me rezerva. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull që sugjeron një krem për kurimin e sëmundjeve të kockave, me mjekë dhe fotografi të rreme.

Portalet kanë prezantuar një tjetër produkt që supozohet se trajton problemet e kockave tek të moshuarit, duke dhënë edhe statistika në mënyrë që ta bëjnë sa më të besueshme për lexuesit online.

Unë e kam fjalën për kremin e veçantë «Nautubone». Është një produkt, i cili mundëson, brenda një kohe mjaft të shkurtër, pak a shumë rreth 4 ditë, eleminimin e plotë të dhimbjeve të shpinës dhe nyjeve, dhe brenda disa muajve kurimin dhe shërimin e plotë edhe të rasteve më të komplikuara”, shkruan ndër të tjera portali coldtrc.com.

Screenshot, artikulli i publikuar nga portali

Kjo intervistë e portalit numëron mbi 194 komente. Shumica janë komentues që thonë se janë të kënaqur nga përdorimi i kremit, ndërkohë që të tjerë pyesin se si mund të blejnë produktin. Vetëm disa prej tyre shfaqen skeptikë.

“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të artikullit që në këtë rast është në formën e një interviste, pasi ofrimi i produkteve të tilla ka një ndikim të madh në jetën e qytetarëve, veçanërisht tek të moshuarit që vuajnë nga sëmundje të ndryshme të kockave.

Këshillat për të përdorur kremin që ‘shitet’ si çudibërës për problemet e nyjeve dhe kockave i ndan Andrea Raadik, mjek, që sipas portalit është shqiptar.

Ne bëmë edhe një verifikim të mjekut të përmendur në artikullin në fjalë. Nga kërkimi nuk rezulton që në Shqipëri të ketë një mjek me emrin Andrea Raadik. Ndërsa, nga kërkimit nëpërmjet TinEye rezulton se foto e përdorur për mjekun është imazh i një mjeku kanadez, të quajtur Alvin Pettle, i cili është i specializuar në përdorimin e hormoneve bio-identike, për femrat e të gjitha moshave por veçanërisht ato në perimenopauzë dhe menopauzë.

Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, Faktoje ka treguar se si portalet po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit online.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img