BallinaDezinformimi në kohë krizashLufta në UkrainëE manipuluar fotoja e ushtarëve ukrainas me flamurin nazist

E manipuluar fotoja e ushtarëve ukrainas me flamurin nazist

Mbështetësit e propagandës ruse vazhdimisht aludojnë se Ukraina është plot me nazistë, duke postuar edhe “prova” në rrjetet sociale. Faktoje verifikoi se një foto e shpërndarë së fundmi me ushtarë ukrainas  që mbajnë një flamur me simbole naziste, është e manipuluar.

Në një postim të shpërndarë në 30 prill në rrjetet sociale pretendohet se një grup ushtarësh ukrainas janë shfaqur duke pozuar me flamur me simbole naziste.

Ushtria ukrainase duke luftuar për liri dhe demokraci. Rroftë ushtria ukrainase dhe na lëntë mbrapa”, shkruan profili i Facebook ‘Investiguesi Shkrimor’.

Screenshot, postimi në Facebook

Ajo që vihet re në këtë postim është fakti që ka edhe mjaft komente që besojnë në informacionin e shpërndarë, pa e verifikuar nëse kemi të bëjmë me një foto reale apo të manipuluar e të shpërndarë nga propaganda e makinerisë ruse.

Në një verifikim të bërë nëpërmjet programit “Forensically” rezulton se foto është modifikuar te pjesa e flamurit.

Flamuri është ndryshuar ose është shtuar në këtë foto. Sfondi duket ndryshe dhe nëse do ishte pjesë e fotos, ngjyrat e imazhit do të ishin të gjitha njësoj. Ndërkohë, në atë pjesë shfaqen ngjyra të ndryshme që tregojnë për një ndërhyrje në këtë pjesë, ndoshta duke shtuar një flamur nazist në vend të flamurit ukrainas.

Foto në fjalë mund të gjendet edhe në bloge të ndryshme online, e përgatitur e gatshme nga dezajner profesionistë për t’u shkarkuar falas dhe ndarë më tej si meme nga përdorues të ndryshëm të rrjeteve sociale.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, dhe madje edhe më parë, qarkullonin histori që pretendonin se shumë ukrainas ishin adhurues të nazizmit. Shpërndarja e tyre është bërë nëpërmjet kanaleve të propagandës ruse nga gazetarë apo persona të tjerë publikë që hiqen si të pavarur. Postime të tilla janë me ndikim, pasi kanë një numër të madh ndjekësish.

Mirëpo, kolegët e mediave të huaja kanë verifikuar shumë raste se si propaganda ruse është përpjekur të manipulojë audiecën, duke shpërndarë informacione të tilla, që janë të rreme.

Më herët Faktoje ka verifikuar një foto të manipuluar të shpërndarë në rrjetet sociale, ku pretendohej se dy ushtare ukrainas po digjnin flamurin shqiptar.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img