Pretendimi: Kjo është një foto e eurodeputetit Fredi Beleri me mitraloz në dorë
Verdikti: Foto e manipuluar
Fitorja si deputet në Parlamentin Evropian ka rikthyer vëmendjen ndaj kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, Dhionisios Alfred Beleri, i cili po vuan dënimin për korrupsion zgjedhor. Në rrjetin social Facebook është postuar në 10 qershor nga profili Idealisti-al, një foto që pretendon se shfaq, tashmë eurodeputetin Beleri, të veshur me një uniformë ushtarake dhe me një mitraloz në dorë. Foto shoqërohet me tesktin “Në foto: Eurodeputeti grek nga Progonati i Kurveleshit Fredis Beleris”
Foto e postuar në rrjetin Facebook
Postimi i kësaj foto lidhet me akuzat publike që janë bërë në ngarkim të Belerit si i përfshirë në masakrën e Peshkëpisë, në vitin 1994, kur një komando paraushtarake e të ashtuquajturit Vorio-Epir, sulmoi një repart shqiptar duke lënë të vrarë dy ushtarakë.
Foto në fjalë është verifikuar edhe më herët nga Faktoje.al si e manipuluar dhe me konkretisht në prag të zgjedhjeve parlamentare të 14 maj 2023. Verifikimi arriti të zbulonte foton origjinale nga ishte krijuar ky manipulim.
Duke krahasuar të dyja fotot mund të kuptohet pjesa e manipuluar për të vendosur uniformën dhe armën në duart e Belerit.
Për t’i hedhur më shumë “benzinë zjarrit”, në mesazhin e bërë publik pas fitores nga Beleri, fjala luftë ishte pjesë kryesore e mesazhit. “Lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes europiane”, u shpreh ai nga burgu i Fierit, ku po vuan dënimin 2 vjeçar për blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Mbetet ende e paqartë nëse Alfred Beleri do të mund mandatohet nga Parlamenti Evropian nëse shpallet i fajshëm edhe nga gjykata e Apelit.
Sipas “Zëri i Amerikës”, rregullorja e Parlamentit Europian, përcakton se pasi rezultatet e zgjedhjeve të jenë zyrtare, shtetet anëtare komunikojnë emrat e atyre që kanë fituar një vend në Parlamentin Evropian dhe Presidenti, nga ana tjetër, u kërkon autoriteteve përgjegjëse të vendeve anëtare të marrin masat e nevojshme për të shmangur çështjet që lidhen me papajtueshmërinë e marrjes së detyrës.
Në dallim nga eurodeputetët e tjerë, Beleri është zgjedhur në Greqi, një vend i Bashkimit Europian dhe vuan dënimin me burg në Shqipëri, një vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian.