Pretendimi: Burri i moshuar në Irak martohet me një vajzë 9 vjeçare
Verdikti: E pavërtetë
Një foto e asaj që pretendohet si martesa e një burri të moshuar me një vajzë të mitur, është ndarë në rrjetin Facebook nga një përdorues shqipfolës. Në postimin që shoqëron foton shkruhet: “Një besimtar nga Iraku martohet më një fëmijë 9 vjeç”.
Mungesa e shpjegimeve të mëtejshme ka ngjallur natyrshëm komente negative nga përdoruesit e tjerë që kanë parë këtë pamje të shëmtuar.
Megjithatë, për fat të mirë, kemi të bëjmë me një informacion të pasaktë. Nga verifikimet në motorrin e kërkimit të fotove Google Lens, zbuluam se foto është shkëputuar nga një video e krijuar qëllimisht në kuadër të një fushatë ndërgjegjësuese kundër martesave të tilla.
Video e shpërndarë në YouTube është realizuar në 2015 në Liban në kuadër të fushatës 16 ditore të kundër dhunës ndaj grave.
Informacioni që shoqëron videon sqaron se është realizuar si një eksperiment social nga organizata “KAFA”, që do të thotë “Mjaft”, me mbështetjen e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNPF) kundër martesave të fëmijëve në Liban.
Çifti që po pozon në një shëtitore publike në bregdetin libanez, krijon shqetësim tek kalimtarët. Pa e ditur se po filmohen, qytetarët vendosin të reagojnë dhe i ndalojnë dhëndrin dhe nusen fëmijë.
Bashkëshorti i moshuar në rol, u përgjigjet kalimtarëve kuriozë se ka marrë leje nga familjarët për t’u martuar me vajzen dhe çdo gjë është në rregull, duke provokuar reagimin e tyre.
Pavarësisht sa shokues mund të jetë, ky eksperiment ka arritur të tërheqë vëmendjen e qytetarëve dhe të realizojë objektivin e fushatës ndërgjegjësuese të organizatës, që ka për qëllim të krijojë një shoqëri që është e lirë nga strukturat patriarkale sociale, ekonomike dhe ligjore që diskriminojnë gratë.