BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDita më e trishtë e vitit? Një shpikje publicitare e kompanisë së udhëtimit

Dita më e trishtë e vitit? Një shpikje publicitare e kompanisë së udhëtimit

Edhe këtë vit, portalet kanë shpërndarë lajmin e rremë sipas të cilit, e hëna e tretë e muajit janar, që ndryshe njihet si “Hëna blu”, është dita më e trishtë e vitit. Në fakt, bëhet fjalë për një krijim të financuar nga një kompani udhëtimesh me qëllim nxitjen e udhëtimeve në muajin janar.

“Sot është e “e hëna blu”, ja çfarë duhet të dini për ditën më melankolike dhe të trishtë të vitit”. Ky është titulli që ka zgjedhur të ndajë me lexuesit shqiptarja.com më 16 janar, duke pretenduar në emër të një psikologu nga Universiteti i Cardiffit, Cliff Arnall, se e hëna e tretë e janarit si “momenti në të cilin mendja jonë kupton se festat e Krishtlindjeve kanë përfunduar dhe se pushimet e ardhshme janë ende larg”.

“Psikologut Cliff Arnall në bashkëpunim me Universitetin e Cardiff pasi morrën në si shembull motin e keq, paratë e harxhuara nga dhuratat e Vitit të Ri, rënia e motivimit pas festave, e të gjitha këto e bëjnë këtë ditën më të zezë të vitit, dita kur ndjehemi më të trishtuar.”– vijon më tej artikulli, që shoqërohet, gabimisht, me ilustrimin e hënës në ngjyrë blu. I njëjti lajm është shpërndarë me shpejtësi edhe nga media të tjera gjatë kësaj dite.

Sipas verifikimit të bërë nga “Faktoje” rezulton se ky është një lajm i rremë, i cili qarkullon prej vitesh çdo 16 janar. Koncepti i të “hënës blu” u krijua në vitin 2005 nga psikologu anglez Cliff Arnall, në një deklaratë për shtyp të faqes së udhëtimit Sky Travel, si një marifet publicitar për t’i shtyrë njerëzit të rezervojnë më shumë pushime. Arnall prodhoi një formulë të supozuar matematikore, për të cilën ai pretendonte se mund të provonte se cila ditë ishte më dëshpëruese e vitit, duke bashkuar një sërë elementësh si moti, sasia e kohës që nga Krishtlindjet dhe fakti që “të gjithë i urrejnë të hënat”.

Siç është rindërtuar nga Ben Goldacre, doktor dhe komunikues i shkencës, në një artikull të botuar në The Guardian në 2006, agjencia e komunikimit Porter Novelli kishte kontaktuar në atë kohë disa ekspertë që ofronin para për të huazuar emrin e tyre për ekuacionin e rremë që përcaktoi të hënën e tretë të janarit si ditën më të trishtë të vitit dhe Arnall ishte i vetmi që pranoi.

Psikologu firmosi trillime të tjera publicitare të këtij lloji, duke pretenduar se do të ishte edhe “dita më e lumtur e vitit”, për llogari të kompanisë që prodhon Wall’s Ice Cream. Edhe në këtë rast nuk bëhej fjalë për një formulë të vërtetuar shkencërisht, por vetëm përfitim marketingu.

Universiteti Cardiff është distancuar nga deklaratat e Arnall në lidhje me “të hënën blu” dhe formulën që do ta identifikonte atë, duke deklaruar se ai ishte “një ish-lektor me kohë të pjesshme në universitet” dhe nga 2006 ai nuk e mbulonte më këtë rol.

Në vitin 2018, Cliff Arnall i tha Independent se “asnjëherë nuk ishte qëllimi i tij që ta bënte ditën të dukej e keqe”, por ai donte të inkurajonte njerëzit që të kishin një pikëpamje pozitive për atë periudhë të vitit. Në të njëjtin artikull, Arnall raportoi gjithashtu se ai kishte punuar me entitete të tjera tregtare në përpjekje për të “sfiduar disa lajme negative të lidhura me janarin” dhe për të rrëzuar mentalitetin e “të hënës blu”.

Në vitin 2011, disa ekspertë u përpoqën të zbulonin nëse ekzistonte një mënyrë për të përcaktuar modelin javor të humorit të njerëzve (ata përdorën popullsinë amerikane si referencë) dhe rezultatet konfirmuan se nuk ka asnjë provë që përcakton ekzistencën e “një efekti të hënës blu”.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img