BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingDisa fakte pse është pjesërisht i vërtetë dyfishimi i buxhetit 2023 në krahasim me 2013-n

Disa fakte pse është pjesërisht i vërtetë dyfishimi i buxhetit 2023 në krahasim me 2013-n

Parlamenti miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2023 që sipas Kryeministrit Edi Rama është dyfishi i buxhetit të vitit 2013, kohë kur socialistët morën pushtetin. Nga një verfikim i Faktoje rezulton se deklarata e kreut të qeverisë është pjesërisht e vërtetë. Ekspertët e ekonomisë thonë se krahasimet reale mes dy buxheteve bëhen kur përmenden faktorët ndikues, jo vetëm në terma nominalë sikurse pretendon Rama.

Esmeralda Topi

“Jemi duke finalizuar buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili është dyfishi i buxhetit të vitit 2013, që tregon se shumëçka ka ndryshuar pozitivisht në funksion të së ardhmes së vendit.” – deklaroi kryeministri Edi Rama tri ditë përpara miratimit të dokumentit më të rëndësishëm financiar të vitit në qeveri.

Për të verfikuar deklaratën e Kryeministrit, Faktoje bëri një krahasim të projektbuxhetit 2023 me atë të vitit 2013.

BUXHETI NOMINAL 2023 2013 (AN) Ndryshimi në vlerë Ndryshimi në %
TOTALI TE ARDHURAVE          631,711          325,918                           305,793 94%
TOTALI I SHPENZIMEVE          687,209          409,408                           277,801 68%

Tabelë krahasuese me vlerat e buxhetit 2012 dhe 2023 nga Faktoje

Nëse krahasojmë vlerat e të ardhurave dhe shpenzimeve, rritja nominale e tyre është 94% për të ardhurat dhe 68% për shpenzimet. Me siguri që Kryeministri i referohet këtyre shifrave kur bën krahasimin 10 vjeçar. Po çfarë fshihet pas tyre?!

Ekspertë të ekonomisë dhe financave thonë se për t’u bërë një krahasim real duhen përmendur faktorët ndikues.

Të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit indeksohen me ritmin e PBB nominale[1], pra ato rriten sa herë ekonomia në terma nominalë (rritja reale + çmimet) rritet. Por në kahun e të ardhurave ndikojnë edhe faktorë të tjerë mbi të cilat vlerësohet qeveria; ndryshimet në barrën fiskale si rrjedhojë e politikave fiskale dhe zgjerimi i bazës së tatimpaguesve, përfshi luftën ndaj evazionit. Në vitin 2014 e në vijim qeveria ka rritur normën e taksimit nga 10% në 15% për një grup të madh të ardhurash, si dhe u vendos taksimi progresiv në paga deri në 23%. Bazuar mbi këto faktorë, atëherë rritja e të ardhurave do të ishte fare minimale.

Ndërsa në kahun e shpenzimeve ndikojnë elementë të rritjes së të ardhurave dhe niveli i hapësirave fiskale apo synimet për to, si për shembull strategjia mbi nivelin e borxhit publik, dhe politikat zhvillimore dhe sociale, si investime të shtuara në arsim, shëndetësi, dhe infrastrukturë me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe ritmeve të rritjes ekonomike dhe të të ardhurave. Po ashtu, nëse shpenzimet e buxhetit indeksohen me të njëjtën formë si dhe të ardhurat, atëherë rritja do të ishte vetëm 2.4%.

“Për vlerësimin e buxhetit në periudha të ndryshme kohe është mirë të merren në konsideratë edhe faktorët që lidhen me performancën e ekonomisë. Do të thotë që edhe pa bërë asgjë qeveria, për aq sa rritet ekonomia janë premisat.

E dyta duhen parë edhe politikat fiskale që ndiqen dhe një shqetësim i gjithë kësaj dekade është se taksa mbi punën është rritur, ndërsa taksa mbi kapitalin ka mbetur në vend.

Po ashtu buxheti vlerësohet edhe nga fakti se ku përfundojnë paratë që investohen nga sektori publik. Gjykimi me shifra absolute, duke injoruar faktorët përcaktues nuk të çon në konkluzione, është populist dhe nuk shpreh realitetin social ekonomik të vendit.” – argumenton për Faktoje ish ministri i Ekonomisë Zef Preçi.

Në tabelën më poshtë Faktoje ka paraqitur sa janë të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore për vitet 2013 dhe 2023 në raport më PBB-në përkatëse të secilit vit.

BUXHETI SI % PBB-së 2023 2013 (AN) Ndryshimi në %
TOTALI TE ARDHURAVE          631,711          325,918 94%
TOTALI I SHPENZIMEVE          687,209          409,408 68%
PBB SIPAS FMN 2,176,657 1,350,053 61%
TOTALI TE ARDHURAVE (% e PBB-së) 29% 24.1% 20%
TOTALI I SHPENZIMEVE (% e PBB-së) 32% 30% 4%

Nga analiza rezulton se të ardhurat në përqindje të PBB-së janë rritur me rreth 5% të PBB-së. Kjo do të thotë që të ardhurat janë rritur, të zhveshura nga ecuria e PBB-së, me rreth 20%. Ndërkohë shpenzimet publike në përqindje të PBB-së janë rritur me rreth 2% të saj. Kjo do të thotë që shpenzimet janë rritur, të zhveshura nga ecuria e PBB-së, me vetëm 4% në 2023 krahasuar me vitin 2013.

Edhe një analizë e detajuar mbi ndryshimin e balancave të buxhetit të shtetit në 10 vitet e fundit nga Qendra Kërkimore Altax thekson se krahasimi bëhet real kur përmenden faktorët ndikues makrofiskalë.

“Ndikimi nga rritja ekonomike në këto 10 vite është me të paktën 25.8%. Ndikimi nga inflacioni është 24.8% dhe ndikimi nga administrimi dhe investimet në miradministrim llogariten 78.6%. Por nëse zbresim efektin nga inflacioni dhe nga rritja ekonomike, si dhe ndikimet që faktorizojnë politikën fiskale shihet se ndikimi real është 28%.”

Kjo analizë mbështetet edhe nga llogaritjet e kryera nga Faktoje në tabelën më poshtë, ku është llogaritur niveli i shpenzimeve dhe të ardhurave duke i zhveshur nga efekti i ndryshimit të çmimeve (inflacionit).

Kjo me logjikën që me një lek në 2013 blije më shumë gjera se me një lek në 2023. Rritja e çmimeve bazuar në të dhënat e World Economic Outlook të FMN-së për këtë periudhë është rreth 27%.

 

 

 

 

NDRYSHIMI BUXHETIT NE TERMA REAL 2023 2013 (AN) Ndryshimi në %
TOTALI TE ARDHURAVE (Cmime korente)          631,711          325,918 94%
TOTALI I SHPENZIMEVE (Cmime korente)          687,209          409,408 68%
INDEKSI I INFLACIONI 122.812 96.608 27%
TOTALI TE ARDHURAVE (Cmime te 2023)          631,711          414,320 52%
TOTALI I SHPENZIMEVE (Cmime te 2023)          687,209    520,456.02 32%

 

Nëse i zhveshim të ardhurat dhe shpenzimet nga efekti i ndryshimeve të çmimeve, duke krahasuar vlerat me fuqi blerëse të njëjtë, rezulton se të ardhurat janë rritur me 52% gjatë këtyre dhjetë viteve dhe shpenzimet me 32%, ndikuar nga elementët e rritjes reale ekonomike dhe ato të administrimit dhe politikave publike.

 

 

[1] Konsideruar PBB me metoden e prodhimit deri ne vitin 2021. Per vitin 2022 dhe te pritshmin 2023 kemi llogaritur rritje reale+inflacion i deklaruar nga Qeveria.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Gazetare Ajo është diplomuar në fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës në nivelin “Bachelor” si dhe ka kryer studimet në të njëjtin fakultet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”. Esmeralda ka më shumë se 10 vite që punon si gazetare ekonomie në media të ndryshme, kryesisht televizione. Fillimet e saj kanë qënë në Platformën Tring, si pjesë e kanalit informativ “7 News” ku ka mbuluar raportimet mbi çështjet me karakter social dhe ekonomik. Në mars të 2013, Esmeralda ka punuar si gazetare dhe njëkohësisht si folëse lajmesh në televizionin “Agon Channel”, ndërkohë që nga shtatori i 2015 ka qënë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTSH si gazetare ekonomie, folëse lajmesh si dhe pjesë e stafit të emisionit “Përballë” nën autorësinë e Lutfi Dervishit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img