BallinaPertejDhuna në rrjetet sociale po rrit agresivitetin dhe bullizmin në shkolla

Dhuna në rrjetet sociale po rrit agresivitetin dhe bullizmin në shkolla

Bullizmi, një nga format kryesore të dhunës në shkolla frymëzohet masivisht nga modelet që ofrohen në rrjetet sociale. Faktoje sjell historinë e një 13-vjeçari nga Durrësi që është bërë objekt talljeje në shkollë, me pasojë izolimin dhe braktisjen e mësimit. Sipas ekspertëve, Shqipëria mban vendin e parë për gjuhën e urrejtjes dhe bullizmin në rajon. Ata këshillojnë masa urgjente për të parandaluar pasojat tek të rinjtë si depresioni, vetizolimi deri tek mendimet për vetëvrasje. 

Enea 13 vjeç, nxënës në një shkollë 9-vjeçare në Durrës ka braktisur shkollën prej ditësh, për shkak se ndihet objekt talljeje nga shokët. Shumë i lënduar nga situata e krijuar, ai e ka të vështirë të ndajë historinë ndaj e ëma e tij, e shqetësuar tregon se gjithçka nisi në vitin 2022, kur djali lëvizi nga një shkollë e periferisë në një shkollë të qytetit. 

“Duke qenë se ishte një nxënës i ardhur nga një shkollë fshati nuk pranohet nga shoqëria. E shihnin dhe pak të vogël, të ndrojtur, pak të pambrojtur dhe nisin e bëjnë vepra dhe gjeste bullizimi të tmerrshme. Nuk të shkon mendja që po i bëjnë fëmijët, duke e shtyrë, duke sharë, nga më të ndryshmet. Por djali këto gjëra nuk i tregonte.”-thotë e ëma e cila përshkruan se i biri nuk është i qetë, është mbyllur në vetvete, nuk i ndan shqetësimet, sepse ndihet i pambrojtur dhe i kërcënuar.

“Mendon se ata kanë shokë shumë. Mendon se nëse i thotë një shoku tjetër, ata do i dalin para do i bëjnë diçka. Janë të kërcënuar dhe janë të detyruar që ta mbajnë sikletin brenda vetes”, vijon e dëshpëruar nëna e 13-vjeçarit i cili ka shfaqur edhe probleme me gjumin, rënie në mësime dhe së fundi refuzon të frekuentojë shkollën. 

Sipas 45-vjeçares, një ndikim të madh në sjelljet bullizuese të fëmijëve kanë rrjetet sociale. 

“Fatkeqësia më e madhe e prindërve është që po i rrisim me telefonë, me internet, me TikTok, po i vret. Brezin e ri po e vret shumë, po bëjnë një jetë sedentare, nuk po arrijnë dot të kuptojnë realitetin”, shton ajo. 

Shifrat: TikTok dhe Instagram, platformat ku dominojnë incidentet online 

Raporti i përvitshëm Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Fëmijëve, i Linjës Kombëtare për Internet të Sigurt për Fëmijët në Shqipëri, “iSIGURT.al” tregon se në krahasim me vitin e kaluar vihet re një rritje me 160% të incidenteve të raportuara online. 

Sipas këtyre të dhënave çdo muaj raportohen të paktën 20 incidente online nga fëmijët, ose një person afër tyre.  

Grupmosha e raportuesve udhëhiqet nga adoleshentët e moshës 15-18 vjeç, të ndjekur nga ata të grupmoshave 18-30 vjeç dhe 11-14 vjeç. Për herë të parë në këtë periudhë kohore, shfaqen raportime dhe për fëmijë nën moshën 11 vjeç.

TikTok dhe Instagram janë dy platformat, të cilat fëmijët i kanë raportuar më shpesh për incidente online, me 47 dhe 27 % të rasteve, krahasuar me platformat e tjera. 

Bullizmi online është incidenti më i raportuar nga fëmijët dhe adoleshentët, në rreth 35% të rasteve, të ndjekur në 21% të rasteve nga gjuha e urrejtjes dhe 15% shantazhe dhe kërcënime online. 

E pyetur nga Faktoje se sa denoncime ka pasur në polici, për bullizim, Policia e Shtetit informon se Kodi Penal shqiptar nuk ka dispozitë ligjore që parashikon këtë fenomen. 

Ekspertët: Shqipëria, vendi i parë në rajon për gjuhën e urrejtjes  

“Me fillimin e përdorimit të TikTok është rritur ndjeshëm niveli i agresivitetit, duke parë edhe një garë, ku të rinjtë sot janë të ekspozuar ndaj vizibilitetit, një lloj kompeticioni në rrethet miqësore të adoleshentëve dhe të rinjve se personat që kanë më shumë vizibilitet janë më shumë të pëlqyeshëm dhe kjo çon në imitimin e personave që kanë vizibilitet.”, thotë për Faktoje kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë, Mirgit Vata i cili thekson me shqetësim se Shqipëria mban rekord në rajon për gjuhën e urrejtjes, kryesisht në platformat sociale dhe mes të rinjve.  

Një tjetër fenomen shqetësues që po vihet re sipas ekspertit është se viktimat e bullizimit po kthehen në dhunues. 

“Kur ti je viktimë e bullizmit tenton që ta kthesh në të njëjtën mënyrë, duke bullizuar personin që ty të ka bullizuar, një formë kthimi e dhunës. Duke e kthyer me të njëjtën monedhë kjo rrit nivelin e agresivitetit. Një mekanizëm për të mbrojtur veten, nga viktimë kthehesh në dhunues”, thekson Vata.  

Psikologët: Bullizmi dhe gjuha e urrejtjes, Shqipëria në situatë kritike

Psikologia Arjana Muçaj ngre shqetësimin mbi modelet negative që po u ofrohen sot të rinjve në rrjetet sociale. 

“Situata aktuale me të rinjtë në Shqipëri është në një pikë kritike për sa i përket bullizmit dhe gjuhës së urrejtjes që përdoret në rrjetet sociale. Në ditët e fundit kemi parë shpeshherë të transmetohen nëpër media edhe raste të humbjes së jetës, si rastet më fatale, që vijnë pikërish nga ajo që prodhojnë rrjetet sociale, nga bullizmi, nga kërcënimi kibernetik që bëhet dhe kjo për shumë faktorë.

Modelet që kanë të rinjtë sot janë pikërisht modelet më negative që mund të ndjekin, sidomos për sa i përket moshës së adoleshencës, sepse aty ata pothuajse gjejnë vetveten, pasi mediat sociale për ta janë bërë pjesë e përditshmërisë”, argumeton Muçaj.

Psikologia tregon edhe pasojat që sjell te të rinjtë dhe jo vetëm ky fenomen, duke theksuar se në shumicën e rasteve adoleshentët kanë frikë të kërkojnë ndihmë, pasi i tremben paragjykimit dhe diskriminimit që mund t’u bëhet. 

“Pasojat faktike nga ana psikologjike janë të lidhura me atë që ne i themi ankthin, stresin dhe nëse është një vuajtje e zgjatur në kohë për sa i përket mënyrës se si bullizohen ose mënyrën se si kjo dhunë verbale vazhdon në rrjetet sociale, unë do thosha që kalon më pas në format e depresionit, ku gjejmë dhe ato aktet fatale të humbjes së jetës”, sqaron pedagogia Arjana Muçaj. 

Specialistët e arsimit: Lojërat online po sjellin sherre në shkolla 

Ekspertja e arsimit, Irida Sina ngre shqetësimin se nxënësit po shpenzojnë më shumë se 3 orë e gjysmë kohë në telefon gjatë ditës dhe pa limit në fundjavë

“Në një takim që pata me fëmijë të zonave të ndryshme të Tiranës, përfshirë shkolla qyteti apo pak të larguara nga qyteti u bëra një pyetje shumë të thjeshtë: ‘Sa kohë qëndroni në telefon dhe çfarë bëni gjatë kohës që qëndroni në telefon?’. Te klasat 6-9, ajo që pë rmua ishte vërtetë shqetësues ishte fakti se gjatë javës ata kalonin mininalisht, 3 orë e gjysmë në telefon dhe në fundjavë pa limit kohor. 

Gati 2 orë e 15 minuta i kalojnë në rrjetet sociale, TikTok, Instagram kryesisht dhe orët e tjera me lojëra në telefon dhe vetëm pak minuta kërkime në internet. Kishte raste që rrinin edhe 6 orë e gjysmë në telefon dhe për mua kjo ishte shumë shqetësuese”, thekson Sina. 

Më tej, ajo shprehet se debatet e nisura online po sjellin përplasje edhe në shkolla. 

“Situata më e fundit që më sollën fëmijët është një debat që kishte nisur mes tyre në lojërat që ata bëjnë online me njëri-tjetrin. Ka nisur me të shara, pse më vrave, pse të vrava, pse s’ke veshur kostum, ti nuk ke lekë të blesh rroba. Debati nga loja kishte arritur në oborrin e shkollës dhe kishte agravuar me sherre, me të shara, me ofendime.”, tregon ekspertja. 

Është koha për masa urgjente

Ekspertët sugjerojnë se duhet ndërgjegjësim i të rinjve, që të kërkojnë ndihmë në çdo rast nevoje. 

“Mbi të gjitha të rinjtë të kuptojnë se janë ata që duhet ta kërkojnë ndihmën, por jo prindi të kërkojë ndihmë për fëmijët. Prindi duhet të jetë aty për ta mbështetur, për ta dëgjuar, për të komunikuar dhe për t’ia ofruar atë ndihmë. Por fëmija udhet të zgjedhë momentin e duhur kur duhet të kërkojë ndihmë që të ketë rezultate”, sugjeron Muçaj. 

Për të shmangur gjuhën e urrejtjes, psikologia Arjana Muçaj sugjeron: “Në radhë të parë duhet bërë ndërgjegjësimi i shoqërisë, që përdorimi i gjuhës nga ana e personave publikë dhe mënyrës se si e përdorin komunikimin verbal duhet të jetë më i kujdeshëm në oraret në të cilat transmetohen emisionet, të cilat janë shumë të ndjekura. 

Orët duhet të jenë të kufizuara në lidhje me mënyrën si e përdorin teknologjinë të rinjtë sot. Por, ky edukim fillon që në moshë të vogël. Prindërit duhet të kufizojnë kohën në telefon, kur ata janë me fëmijët, pasi këta të fundit marrin shembull dhe prindërit janë shembulli i tyre”. 

Edhe ekspertja e arsimit, Irida Sina e vë theksin te ndëgjegjësimi që duhet të bëhet, që nga prindërit, te mësuesit, por edhe nxënësit. 

“Të mos u jepet telefoni që te moshat e vogla, nuk u shërben për asgjë. Duhet ndërgjegjësim nga shkolla, psikologu, punonjësi i sigurisë, mësuesi. Duhet të bëhen takime me fëmijët. Brezit aktual duhet t’u flasim me gjuhën që ata kuptojnë. Këto takime nuk duhet të jenë vetëm sporadike. Ashtu siç zhvillojmë lëndër, ne kemi në programet tona orët e komunitetit, atë që e quajmë kurrikël me zgjedhje, atë që e quajmë modul, shumë bukur, shkolla mund t’i kthejë në diçka atraktive për fëmijën, që u shërben të gjithëve. Kanë nevojë të trajnohen edhe specialistët e fushës. Ndërgjegjësimi është një hallkë shumë e munguar në sistemet tona arsimore”, apelon Sina. 

Ajo ka edhe një thirrje edhe për prindërit: “Mos i ekspozoni fëmijët pafund në rrjetet sociale, sepse ti mendon që po bën një gjë të mirë, por mendo gjithmonë se ti e ke ekspozuar ndaj atyre që nesër-pasnesër do të duan ta dëmtojnë”. 

*Ky shkrim i realizuar si pjesë e projektit “Thuaj po dashurisë, jo gjuhës së urrejtjes”, që mbështetet financiarisht nga iniciativa rajonale e Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, e cila financohet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP. 

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img