BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDeklarata e historianes për arvanitasit e Greqisë riciklohet edhe sot nga portalet shqiptare

Deklarata e historianes për arvanitasit e Greqisë riciklohet edhe sot nga portalet shqiptare

Ardi Pulaj

Një deklaratë e vitit 2014 e historians greke Maria Efthymiou për avranitasit e Greqisë, vijon edhe sot e kësaj dite të qarkullojë dhe riprodhohet nga faqe të ndryshme shqiptare në internet. Faktoje sjell një përmbledhje të lajmeve dhe përballjen me deklaratën e Efthymiou, e cila është edhe në versionin video të saj.

“GREQlA ka qenë Shqipëri, pranojeni tani, mos bëni kot, historiania greke flet hapur”, është titulli i artikullit të postuar dy muaj më parë nga një portal në gjuhën shqipe. Lajmi nuk është i ri në vetvete, pasi ngjarja ka ndodhur shumë vite më parë, në 2014-ën dhe që nga ajo kohë është riprodhuar nga shumë portale shqipfolëse, në kohë të ndryshme.

Në thelb të lajmit, artikulohet fakti se si Maria Efthymiou, një profesore e historisë në universitetin e Athinës, e vlerësuar me çmim nderi nga presidenca greke, por e angazhuar gjithashtu në mësimdhënie në mjedise të shumta, jep një leksion për arvanitasit në Greqi.

Sipas portalit news255media:

“Pa bërë dallimet e zakonshme terminologjike, shqiptar, shqip, arvanitas, Efthimiou flet për rolin e tyre, gjuhën dhe faktin se shqipja asokohe në Greqi ishte gjuhë vendi në disa rajone. Një moment interesant është hapja e shkollave greqisht për fëmijët arvanitas në ishullin e Specës, ku një prej mësuesve shkruan se “ndërkohë që po u mësoja greqisht, fëmijët po më mësonin shqip”. “Mësova shqipen në mënyrë që t’u mësoja greqishten”, vijon më poshtë ky moment. Leksioni i përcjellë ka edhe vlerën e vet komunikuese, pasi nuk shihet aty kompleksi i shumëpërfolur i shmangies, anashkalimit apo edhe gënjeshtrës që na kanë mësuar t’i mendojmë si kritere me të cilat operon historiografia fqinje,” thuhet në shkrimin e portalit.

Në YouTube, po e riprodhuar, është hedhur dhe videoja ku Maria Efthymiou është duke mbajtur një leksion. Videoja e marrë nga Faktoje, është postuar më 17 gusht 2015. Në fillim të saj me titra, jepet një biografi e historianes greke dhe më pas titulli “Arvanites, the Albanians of Greece – leksion historie në Greqi, Athens 2014”.

“Në krahinën e Tebës janë 31 fshatra Arvanite. Në krahinën Livadhia 7 fshatra. Në Evian e Jugut më së shumti janë arvanitë dhe më pak janë greqishtfolës. Flasin për jugun e Evias. Edhe sot popullsia lokale vijon t’i flaës njëri-tjetrit në gjuhën shqipe. Emporia Andros nga ky fshat e lart janë arvanitas dhe deri në vitin 1900 flitej vetëm shqip, por më vonë gjërat ndryshuan… Në mes të Athinës e folura ka qenë greke sepse ishte qendra ku shumica ka qenë popullsi greke-orthodokse. Por lagjja Plaka ishte shqiptare, gjuha që flisnin ishte shqipja dhe emri duhet të jetë nga shqipja që do të thotë e vjetër. Kemi të bëjmë me etimologji dhe janë të gjitha mundësitë që të vijë nga emri shqip ‘e vjetër’”, deklaron ndër të tjera historiania Maria Efthimiou, në videon e postuar dhe të ofruar me titra shqip dhe anglisht.

Profesore e Historisë së Hershme Moderne Greke në Universitetin e Athinës, Maria Efthymiou lindi në Larisa (Thesali), në vitin 1955. Ajo studioi Histori në Athinë (Universiteti i Athinës) dhe në Paris (La Sorbonne). Nga viti 1981, ajo jep lëndën e historisë në Universitetin e Athinës. Ajo ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare të Historisë. Ajo ka botuar pesë libra dhe më shumë se 70 artikuj mbi Historinë. Ajo është nderuar me Çmimin e Jashtëzakonshëm të Mësimdhënies Akademike.

“Arvanitasit nuk janë ardhës, as minoritet”

Teza e Efthymiou wshtw artikuluar mw herwt edhe nga historianwt shqiptarw dhe avranitas, duke theksuar se arvanitët apo Arbëreshët e Greqisë – emër i vjetër i popullit shqiptar të cilët e mbanin ata, dhanë një ndihmesë të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të Greqisë, në hapjen e tokave të reja, kontribuan në zhvillimin e lundrimit detar e të tregtisë si dhe për rriten e potencialit njerëzor, thotë në një shkrim të vitit 2021, kur u mbushën plot dy shekuj nga kryengritja apo Revolucioni grek, Prof. Dr. Nebi Dervishi. Në shkrim ai u referohet dhe studiuesve dhe historianëve të tjerë shqiptarë.

“Arvanitët në Greqi nuk janë ardhës, nuk janë as minoritet. Ata ishin dhe janë ende në Greqi që nga antikiteti, ndërsa Rilindasi Sami Frashëri e vendos zbritjen e parë të arbërorëve (arvanitësve) në Greqi në shek. IV të erës sonë e tutje… Shumëkush do të çuditej kur të dëgjonte se Peleponezi apo siujdhesa e Peleponezit ose Morea në shek. XIV banohej të paktën 50 për qind nga arvanitët, ndërsa në një regjistrim të gjysmës së dytë të shek. XIV në pjesën veriore dhe qendrore të këtij gadishulli, ndër 198 vendbanime, 155 rezultonin arbëror apo arvanitas, dhe se shteti grek i porsakrijuar në vitet (1821-1829), me rreth 570 mijë banorë, ¼ e ndoshta 1/3 e popullsisë e kishte arvanitë, se Athina e aso kohe, një qytezë me 9-10 mijë banorë, kishte me shumë arvanitë se sa grekë (4 mijë arvanitë, 3 mijë turq e 3 mijë grekë), etj.” shkruan ai.

Sipas Prof. Dr. Dervishit, historiani i njohur arvanitas Aristidh Kola (1944- 11.X.2000) është njëra nga figurat më të shquara në fushën e kulturës dhe publicistikës të arvanitasve të Greqisë. Ai ndan mendimin se “pak njerëz në Greqi sot, nuk e kanë gjyshen apo gjyshin arvanitas. Por, është vështirë të thuash se sa është numri i saktë i arvanitasve të Greqisë. Sot nuk është e mundur të bësh një regjistrim të saktë dhe të thuash: “Kaq jemi”! Ajo që njihet më lehtë janë rajonet e fshatrave ku banojnë këta njerëz, apo që kanë banuar më parë, sipas dokumenteve tanimë të gjetura.

*Foto kryesore e marrë nga videoja në YouTube e leksionit të historisë nga Maria Efthymiou. Video është postuar në 2015 dhe sqarohet se leksioni është regjistruar në Athinë në 2014

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img