Esmeralda Topi 

Në kulmin e krizës së çmimeve të karburanteve, Kryeministri i Shqipërisë riktheu në vëmendje të publikut zbulimet hidrokarbure nga gjigandi holandez SHELL në Shpirag. Rama thotë se vendi është pranë një zbulimi nafte dhe gazi që sipas tij do të ndikonte të ardhmen energjitike të Evropës. Mirëpo vet kompania nuk ka ende një qëndrim zyrtar. Të kontaktuar nga Faktoje, përfaqësuesit e SHELL në Shqipëri thonë se janë në fazë kërkimi, pa dhënë asnjë detaj tjetër. Ndërkaq, edhe kontrata e rishikuar në 2020 mes palëve e bën të largët ditën që deklaron Rama.

————————————————————————————————-

“Ne kemi shumë shpresë që së shpejti do të mund të ndajmë më opinionin tonë publik dhe pse jo edhe me atë rajonal dhe përtej rajonit, një zbulim shumë të rëndësishëm që SHELL po arrin të realizojë në vendin tonë.” – tha Kryministri Edi Rama në gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të biznesit holandez në Shqipëri në fillim të muajit korrik.

Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri flet për zbulime të rëndësishme nafte dhe gazi nga kompania SHELL në Shqipëri. Prej vitit 2013, Rama është nxituar të bëjë deklarata të bujshme në emër të kompanisë, ndërkohë që kjo e fundit vijon kërkimet në Shpirag.

Dhe duke qënë se këtë herë deklarata përkon me një krizë çmimesh të karburanteve në të gjithë globin, Rama u kujdes të shtonte rolin e rëndësishëm të këtij zbulimi përtej Shqipërisë dhe rajonit.

“Jo vetëm do të ndikojë jashtë mase të ardhmen e vendit tonë, por në këto rrethana të caktuara do të luajë rol edhe në të ardhmen energjetike të Europës.”- theksoi Rama në takimin me investitorët holandez.

Ndërsa ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shtoi: “Shell po punon tashmë prej disa kohësh në Shqipëri dhe ne po presim me padurim rezultatin e eksplorimit që do të jetë një zbulim i madh.”

Nisur nga këto daklarata, Faktoje kontaktoi me përfaqësues të zyrës për marrëdhënien me mediat pranë kompanisë SHELL. Në përgjigje të interesimit tonë mbi ecurinë e kërkimeve në Shpirag Fabiola Haxhillari shkruan:

“Ne vazhdojmë fazën kërkimore dhe nuk kemi ndonjë gjë për të thënë në këtë moment“.

Holandezja Shell është një kompani që operon në më shumë se 70 vende të botës dhe është e listuar në bursë. Çdo deklaratë publike e saj do të ndikonte çmimin e aksioneve, për këtë arsye drejtuesit janë të kujdesshëm për të ndarë me publikun deklarata të ‘nxituara‘.

Sipas verifikimit të Faktoje, deklarata e fundit zyrtare nga SHELL mbi ecurinë e testimeve në Shpirag është në 24 maj të 2019. Në këtë datë SHELL konfirmonte potencial zbulimi të rëndësishëm të naftës në afërsi të Beratit.

Ndërkaq, edhe sipas kontratës së ndryshuar që qeveria dhe SHELL kanë nënshkruar mes tyre në 2022, përcaktohet qartë se përiudha kërkimore e kompanisë është e ndarë në tre faza, me një afat 7 vjeçar.

Pika 4.1.4 e kontratës voluminoze që ka siguruar Faktoje, i jep kompanisë edhe 5 vite të tjera kohë për të vijuar me fazën kërkimore, duke e berë të largët ditën që deklaronte Rama në fillim të këtij muaji.

Por inxhinier Stavri Dhima, njohës i fushës hidrokarbure thotë se optimizmi i qeverisë është i bazuar në rezultate.

“Është fakt dhe e vërtetuar që është zonë me potencial nafte. Nuk është se është bërë një studim dhe po presim të dali pusi se çfarë do të na japë. Puset janë shpuar dhe është provuar që kemi shumë naftë. Tani se sa shumë kemi duhet të merret vesh dhe se si është kjo në raport me përfitimet.”- thotë inxhinier Dhima për Faktoje.

Natyrshëm edhe zëvendësministri i energjisë Ilir Bejtaj është në të njëjtën linjë me qeverinë ndërsa flet për rezultate konkrete.

“Sipas parashikimeve të kompanisë gjatë vitit 2023 do të përfundojë shpimi i pusit Shpiragu-5. Më tej në varësi të rezultatit të tij janë programuar të bëhen testime të plota të fluid dhënies, në kuptimin e llojit dhe debiteve, por edhe të vlerësimit të rezervuarit dhe ajo që është shumë e rëndësishme do të bëhet llogaritja e rezervave të hidrokarbureve, duke përfshirë naftën bruto dhe gazin shoqërues. Më tej parashikohet që të kalohet në periudhën e prodhimit ku prishmëritë janë shumë të mëdha pas një kohë të gjatë të mungesës së zbulimit të një vendburimi të ri në territorin e Republikës së Shqipërisë.“ – i tha Bejtaj Faktoje-s.

Deri në vitin 2016 kërkimet për naftë në Shpirag bëheshin Petromanas Energy dhe Shell. Në shkurt të 2016, Petromanas Energy i shiti 75% të aksioneve SHELL-it në vlerën e 45 mln dollarëve. Kastriot Bejtaj, me profesion inxhinier, ka qënë drejtues i kompanisë Petromanas Energy nga viti 2013 deri në 2016.

“Rastësia apo fati ka bërë që unë të jem pjesë e së kaluarës. Por kam përshtypjen se nga 2016 e deri më sot nuk ka ndonjë zhvillim domethënës. Është shpuar një pus tjetër që është Shpiragu 4 i cili është shumë pranë Shpiragut 2 ku Petromanas shpalli zbulimin. Pra, zona ku pusi Shpiragu 1, pusi Shpiragu 2 dhe pusi Shpiragu 4 janë tre puse që kanë dhënë produkt hidrokarbur, naftë e lehtë dhe gaz në raportet 1 me 4. Dhe nga kjo kohë nuk ka ndonjë të dhënë, të dhënat e tjera janë interpretime.“- thotë inxhinier Bejtaj për Faktoje duke sqaruar se përse Shpiragu nuk mund të quhet ende vendburim.

“Ka përcaktime strikte se kur quhet zbulim, kur quhet vlerësim dhe vendburim. Shell sot është në fazë vlerësimi-kërkimi, pasi ka lënë pas zbulimin. Nuk ka përfunuar kjo fazë ende. Dhe Shpiragu do të shpallet vendburim kur të ketë minimalisht 4 apo 5 puse prodhimi.”- thotë Bejtaj, ndërkohë që thekson se komponenti kryesor i vlerësimit është zbulimi komercial në Shpirag.

“Që të jetë komercial duhet të verfikohet sa është volumi i rezervuarit që përmban naftën. Nga kjo naftë sa mund të nxirret, sepse nuk del e gjitha sasia e naftës dhe me çfarë çmimi. Dhe në bazë të volumit të naftës, të kostos së nxjerrjes dhe të tregut vlerësohet ky zbulim është komercial apo jo. Këtë po bën Shell aktualisht.”- thotë inxhinier Kastriot Bejtaj për Faktoje.

Historia e Shell në Shqipëri nis në vitin 1994 me marrjen e blloqeve B dhe F. Shell përfundoi kërkimet sizmike, por nuk arriti të shpojë puse për shkak të shpërthimit të trazirës civile në 1997 që e detyroi kompaninë ta zgjidhte kontratën me ndarje prodhimi. Shell u rikthye në Shqipëri në shkurt të 2012 ku filloi punimet në dy blloqe ekzistuese të kërkimit në tokë, në Shpirag (Blloku 2-3) në zotërim të kompanisë Petromanas dhe mori të drejtën e shfrytëzimit të këtij Blloku në vitin 2016.