BallinaFaktometerE PavërtetëDegët me prioritet kombëtar, shkelet premtimi për bursë 40 mijë lekë për çdo student

Degët me prioritet kombëtar, shkelet premtimi për bursë 40 mijë lekë për çdo student

Një vit më parë qeveria u premtoi bursë mujore 40 mijë lekë të reja  të gjithë studentëve që zgjidhnin degët me prioritet kombëtar. UBT ishte një nga universitetet që joshi të rinjtë me këtë premtim duke u bërë thirrje të studionin për agronomi, zooteknikë, peshkim, se do paguheshin nga qeveria me një rrogë të barabartë me rrogën minimale në Shqipëri. Faktoje verifikoi se kuotat janë të reduktuara dhe përjashtojnë studentët pa mesatare, duke lënë të zhgënjyer shumë prej tyre. Edhe ata që e përfitojnë, ende nuk e kanë marrë pagesën dhe janë në fazë aplikimi, siç konfirmojnë vetë institucionet zyrtare.

Në shkurt 2023, Evis Kushi, asokohe ministre e Arsimit dhe e Sportit foli mbi zbatimin për herë të parë të politikës së qeverisë për mbështetjen e studentëve që kishin zgjedhur degët prioritare.

“Për herë të parë, ne këtë vit, kemi ofruar mbështetje studentore, si asnjëherë më parë jo vetëm për më të shkëlqyerit, por edhe për të gjtihë ata studentë që kanë zgjedhur të studiojnë në programet prioritare për zhvillimin e vendit. Për të gjithë këta studentë, ne kemi ofruar përjashtim nga tarifat dhe bursa sa paga minimale, me kushtin ama që pasi të diplomohen të paktën për 3 vite të japin kontribut për Shqipërinë.

Janë 89 studentë nga programet prioritare.”, theksoi mes të tjerash Kushi.

Pas mbledhjes së qeverisë më 29 qershor të këtij viti, Evis Kushi, njoftoi heqjen e kriterit të mesatares 8.5 për studentët që do të zgjidhnin programet universitare të konsideruara prioritet kombëtar. 

“Kemi vendosur të heqim kriterin 8.5 të mesatares për të gjithë ata që përfitojnë bursa, duke ndjekur këto programe studimi. Kemi hequr gjithashtu edhe kriterin që duhet ta ruajnë mesataren përgjatë studimeve…Në VKM ekzistuese maturantët duhet të ruanin mesataren. Ne këtë e kemi hequr”, deklaroi ish-ministrja e Arsimit, Evis Kushi29 qershor 2023.

Edhe në faqen zyrtare të Universitetit Bujqësor të Tiranës njoftohej mbi këtë ndryshim, duke treguar edhe degët e regjistrimit, përfituese të pagesës prej 40 mijë lekësh në muaj.

“Qeveria Shqiptare ka hequr sot kufirin e notës mesatare prej 8.5 për të përfituar mbështetje financiare për ato maturantë që dëshirojnë të studiojnë në programet mësimore të konsideruara prioritet kombëtar të ofruara nga UBT. Dëshironi që për studimet tuaja, jo vetëm të mos paguani, por të merrni një pagesë të barabartë me rrogën minimale në Shqipëri?”-shkruan UBT.

Degët prioritare (përveç arsimit parashkollor dhe fillor) janë konsideruar Histori-Gjeografi, degët e Inxhinierisë dhe ato të Bujqësorit.

Degët e konsideruara si prioritet kombëtar

Çfarë ndodhi me premtimin?

Në muajin tetor 2023, studentët shprehën shqetësimin se ishin mashtruar, pasi përfitues të bursës ishin ata me mesatare të lartë dhe sipas kuotave të buxhetit të Ministrisë së Arsimit.

“Na u bë një mashtrim i madh me bursat. Në fillim thanë që do i marrë çdo student që ndjek këto degë prioritare, do marrë një bursë prej 40 mijë lekësh të reja. Ndërsa tani na thuhet që nuk do i marrim të gjithë, por sipas kuotave, sipas buxhetit”, tha për Faktoje Xhulia, studente e Universitetit Bujqësor.

Të njëtin shqetësim, shprehën edhe studentët e Gjuhë-Letërsisë.

“Kanë çuar disa kuota për të marrë bursat. Ndërsa në fillim na thanë që do ta marrin bursën të gjithë pa përjashtim. Nuk na japin asnjë sqarim. Duhet të kishin filluar aplikimet për bursa për të gjithë studentët, jo vetëm ata që kanë mesataren. Tani kanë kërkuar mesataren dhe duhet ta ruash edhe në vitin e dytë që të marrësh bursën”, tregon Dea, studente e Gjuhë-Letërsisë.

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për të kuptuar më shumë se sa është përmbushur premtimi.

MAS konfirmoi zyrtarisht se ende nuk ka asnjë përfitues, qoftë edhe nga ata që plotësojnë kriteret, për shkak të procedurave që vijojnë.

“Regjistrimi dhe aplikimi për përfitimin e mbështetjes financiare të studentëve të shkëlqyer e të studentëve, që ndjekin programet që përbëjnë prioritet kombëtar, në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2023-2024 është në proces”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e MAS që mban datën 20 tetor.

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, të konsideruara degë prioritare.

“Ju sqarojme se, në lidhje me kerkesen e fundit “sa prej këtyre studentëve e përfitojnë bursën prej 40 mijë lekësh”, nuk mund të japim informacion në këtë fazë, pasi studentët janë në proces aplikimi në Agjencinë e Financimit të Arsimit të Lartë (AFKAL) për të përfituar bursë, bazuar në VKM-në përkatëse për programet prioritare”.

Fakuteti i Shkencave të Natyrës u përgjigj se ende nuk ka një vendim senati mbi shpërndarjen e bursës mujore dhe numrit të studentëve që e përfitojnë atë. 

Ndërsa, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë thotë se vetëm se 219 studentë janë regjistruar në programet e cilësuara si prioritet kombëtar, por nuk jep informacion mbi ata që përfitojnë mbështetje financiare.

Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare shkroi në rrjetet sociale më 16 tetor 2023 se premtimet e bëra për bursa ishin thjeshtë fasadë.

“Bie edhe fasada e degëve prioritare. Studentët e Mjekësisë tani i ndjekin ata të Historisë, Fizikës, Matematikës, Bujqësorit të cilët nëse shteti nuk i punëson për 6 vite në administratë, iu mbahet për 6 vite diploma, pas përfundimit të studimeve. Nëse nuk e mbajnë notën 9.5 e sipër, e humbin bursën 40 000 lekë. Nëse janë me fat, 3 vite nuk e marrin dot diplomën pas mbarimit të studimeve”, argumentoi Xhemollari.

Faktoje pyeti studentë të degëve prioritare, të cilët konfirmuan se deri më 18 janar 2024, nuk e kishin marrë ende bursën.

Çfarë përcaktohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave?

VKM e datës 1 qershor 2022, (publikuar në Fletoren Zyrtare më 10 qershor 2022) “Për miratimin e fushave dhe të programeve të studimit, që përbëjnë prioritet kombëtar dhe mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer e të studentëve, që ndjekin këto programe në institucionet publike të arsimit të lartë” të ndryshuar, përcakton:

“Përzgjedhja e studentëve përfitues për programet e studimit, që përbëjnë prioritet kombëtar, bëhet sipas kuotave të miratuara çdo vit për mbështetje financiare, për çdo IAL publike, nga ministri përgjegjës për arsimin dhe fondit në dispozicion për vitin përkatës financiar.

Institucionet publike të arsimit të lartë i caktojnë këto kuota me vendim të Senatit Akademik për çdo program prioritar që ato ofrojnë, në përpjesëtim të drejtë me numrin e studentëve për çdo program dhe i përzgjedhin ato në bazë të renditjes, sipas notës mesatare në pranim, nëse numri i kërkuesve është më i madh se kuotat e ofruara.

Vendimi i Senatit Akademik për shpërndarjen e kuotave për çdo program dhe për përzgjedhjen e studentëve përfitues i njoftohet ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë”.

Vendimin e Këshillit të Ministrave po të kësaj date, përcaktohet se mesatarja duhet të jetë jo më poshtë se 8.5 për të përfituar bursën.

Si u propagandua me bursën?

Rektori i UBT, Fatbardh Sallaku deklaroi në qershor 2023 se përfitues të bursës janë të gjithë ata që zgjedhin degët e cilësuara si prioritet kombëtar.

“Qeveria shqiptare, për të gjithë të rinjtë që vendosin të studiojnë në këto degë, që konsiderohen si degë me prioritet kombëtar, siç është agronomia, zooteknia, peshkimi, mbrojtja e bimëve etj, do paguhen nga qeveria shqiptare me një rrogë të barabartë me rrogën minimale në Shqipëri që është 400 mijë lekë të vjetra. Plus që nuk do të paguajnë tarifën e regjistrimit”, tha Sallaku.

Edhe më 26 korrik, zoti Sallaku u shpreh për këtë çështje: “Ata që do t’i drejtohen këtyre programeve marrin në numrin e tyre të llogarisë 400 mijë lekë të vjetra, plus zerim të tarifës së regjistrimit”.

Faktoje kontaktoi me zotin Sallaku disa muaj pmë pas, por këtë herë morëm si përgjigje këriteret që e rrëzojnë premtimin e një viti më parë. “Në lidhje me mbështetjen financiare, VKM parashikon kuota për degët prioritare. Për periudhën tetor-mesdhjetori, studentët e këtyre programeve duhet të aplikonin në AKFAL. Më pas ky institucion pasi ka bërë të gjithë grumbullimin e aplikimeve nga çdo universitet, ka dërguar listat për çdo program. UBT ka marrë nje numër kuotash dhe ka bërë shpërndarjen për ato programe të përcaktuara prioritare, por në rrezik mbyllje. Aktualisht janë dërguar listat në AKFAL dhe jemi në pritje të fillimit të pagesës”.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img