.

.

BallinaPremtimeBiznesi i vogël: Ku ta çojmë më parë “pagën e luftës”

Biznesi i vogël: Ku ta çojmë më parë “pagën e luftës”

ANXHELA RUÇI

Shqetësimit dhe frikës së mijëra bizneseve se mund të falimentojnë pas mbylljes së aktivitetit për shkak të masave shtrënguese ndaj Covid-19, qeveria iu përgjigj me premtimin se do t’i trajtonte me “pagën e luftës”. “Faktoje” pyeti pronarë të bizneseve të vogla që treguan se me këtë pagesë nuk shlyejnë dot sot as gjysmën e detyrimeve, pa përmendur dëmet e parashikueshme në periudhë më afatgjatë që pritet të pësojë aktiviteti.

—————————————————————————————————————————————–

Shumica e bizneseve të vogla dhe të mëdha kanë ndërprerë aktivitetin ekonomik për shkak të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj premtoi se qeveria do të ndihmojë të vetëpunësuar apo të punësuarit në bisneset e vogla për të përballuar sado pak këtë situatë.

“Buxheti i shtetit do t’u japë 26 mijë lekë në muaj të vetëpunësuarve dhe biznesit të vogël, pra nga fasha 0 deri në 14 milione lekë xhiro.”, tha Ahmetaj në emisionin “Opinion”

Të (vetë)punësuarit në bisneset e vogla duhet të plotësonin një formular aplikimi me të dhënat e mëposhtme: numri i letërnjoftimit,  numri i NIPT-it, adresa e bisnesit, llogaria bankare, numri i telefonit, email .

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve deri më tani kanë aplikuar për të marrë “pagën e luftës” mbi 49 mijë biznese dhe 86 mijë punonjës.

“Faktoje” ka kontaktuar me disa të vetëpunësuar për të verifikuar nëse premtimi i dhënë nga qeveria, për shpërndarjen e pagesës prej 26 mijë lekësh është mbajtur.

Arbi.M, Ana.R, Laureta.M na thanë se kërkesa e tyre është aprovuar dhe ditën e sotme kanw tërhequr pagën në bankën ku kanë llogarinë.

26 mijë lekët që nuk zgjidhin as problemet minimale të bizneseve

Ndërsa qeveria e mbajti premtimin për dhënien e pagesës për të vetëpunësuarit në bizneset e vogla, “paga e  luftës”, ka një vlerë të vogël krahasur me shpenzimet e biznesit që rrezikon të falimentojë në këtë situatë. Ana, e cila ka një biznes familjar prej 20 vitesh, rendit shpenzimet e aktivitetit tregtar, të cilat duhet të mbyllen në data fikse, për të mos u penalizuar.

Së pari brenda datës 20 prill, duhet të derdhen kontributet 3-mujore të sigurimeve shoqërore, të cilat kapin vlerën 24 mijë lekë.

Së dyti, në fund të muajit duhet të paguajë qeranë e dyqanit e cila është 30 mijë lekë. Pavarësisht se ka një kontratë me qeradhënësin dhe qeveria i ka dhënë një zgjidhje provizore këtij problemi, Ana e quan këtë si një shpenzim i cili duhet të mbyllet këtë muaj dhe të mos lihet për muajt në vijim.

Së treti, edhe pse aktiviteti ka qenë i mbyllur për një muaj, detyrimet e energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë që mesatarisht janë 3000 lekë duhet të paguhen pa vonesë.

Pytja që ajo ngre është: Çfarë duhet të bëj më përpara me 26 mijë lekë, kur shpenzimet fikse për këtë muaj i kalojnë 57 mijë lekë?

Shpenzimet që në rastin e Anës e kalojnë dyfishin e pagesës së qeverisë, nuk janë i vetmi shqetësim për biznesin.

Arbi, një tjetër i vetëpunësuar, i cili tregton veshje,  tregon për “Faktoje” se aktiviteti i tij do të ketë shumë probleme post-COVI-19.

Duke qenë se prej një muaji aktiviteti i tij është pezulluar, në dyqan  ka shumë mall stok që i ngeli nga sezoni i dimrit. Këto produkte do të ishin shitur nëse aktiviteti i tij nuk do të ishte mbyllur, për shkak të situatës së kruijar nga COVID-19.

Një tjetër problem për Arbin, do të shfaqet sapo të rihapë aktivitetin e tij, me ngrohjen e motit dhe kërkesat e reja të blerësve për këtë stinë. Ai nuk ka çfarë t’u ofroj klientëve, për shkak se rrugët janë mbyllur dhe nuk ka mundur të bëjë furnizim me veshjet e stinës. Edhe nëse lëvizja brenda vendit lehtësohet sadopak, deri në hapjen e kufijve me Greqinë apo vendet e tjera fqinje, për aktivitetin e tij kjo situatë do të sjellë shumë problem.

Pasojat që situata nga COVID-19 po sjell për bizeset dhe familjet janë të mëdha dhe e ardhmja e afërt nuk është optimiste. Një paralajmërim të ngjashëm bëri edhe Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, e cila gjatë një intervistë për Euro news Albania njoftoi se numri i të papunëve në 2 muajt e ardhshëm mund të shkojë deri në 50-60 mijë persona.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img