BallinaPertejEuro me bollëk në prag zgjedhjesh, monedha në rënie historike

Euro me bollëk në prag zgjedhjesh, monedha në rënie historike

Euro po zhvlerësohet me ritme të shpejta ndaj lekut, duke prekur minimumin historik prej 110 lekësh më 26 prill. Agjentët e tregut të këmbimit valutor konfirmojnë ofertën shumë të lartë të euros këtë vit, e cila po kulmon sa më shumë i afrohemi datës së zgjedhjeve. Banka e Shqipërisë dhe qeveria shpjegojnë se forcimi i lekut ndaj euros diktohet nga flukset e larta të turistëve, remitancat dhe investimet e huaja direkte. Ndërsa ekspertët e ekonomisë theksojnë si faktor paranë informale dhe atë kriminale, duke sjellë në vëmendje edhe ndikimin sezonal që ka fushata për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Esmeralda Topi

Në datë 26 prill, në tregun e këmbimit valutor vendas një euro u këmbye për 110.3 lekë, duke shënuar nivelin më të ulët historik të monedhës europiane në Shqipëri.

Petriti që punon në një zyrë të këmbimit valutor pranë zonës së ish-bllokut në Tiranë tregon për Faktoje se në treg ka bollëk eurosh.

Petriti

“Kemi muaj që i kemi harruar ‘fytyrën’ lekut, ka një fluks të lartë valute këtë muaj, kryesisht në euro.”

“Njerëz që kthejnë lekët në euro janë shumë të rrallë edhe pse këto ditë ka rënë shumë euro, ndërsa euro ka plot tregu. Ka një tepricë që ka filluar nga fundi i vitit të kaluar, një bollëk eurosh që këtë muaj u theksua edhe më shumë.” shprehet më tej ai.

Oferta e bollshme e valutës ka nisur që prej vitit të kaluar për të kulmuar gjatë javëve të fundit, kur kjo ofertë është rritur edhe më shumë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të mërkurën e 26 prillit, një euro u këmbye me 110.98 lekë, duke shënuar rënie me 0.36 pikë krahasuar me ditën e martë dhe duke prekur një minimum të ri historik.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Ndërsa këtë të enjte, monedha europiane shënoi një rritje të lehte krahasuar më një ditë më parë, duke u këmbyer me 111.03 lekë.

Gjithsesi kjo rritje mbetet e papërfillshme, pasi që nga fillimi i vitit, kursi i euros ka rënë me 2.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia e euros ka arritur në 7.6%.


Burimi: Banka e Shqipërisë

Si e shpjegon Banka e Shqipërisë zhvlerësimin e euros?

Kursi i këmbimit të lekut ndaj monedhës evropiane, euro, është forcuar në vazhdimësi gjatë dy viteve të fundit. Por tendenca mbiçmuese e intensifikuar gjatë vitit të kaluar ka vijuar edhe më tej në muajt e parë të këtij viti.  

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, Banka e Shqipërisë shpjegon se forcimi i lekut në kursin e këmbimit diktohet kryesisht nga këta faktorë; rritja e eksporteve, remitancave, flukset e shtuara nga investimet e huaja direkte si dhe të ardhurat valutore nga turizmi.

“E gjithë kjo situatë ka prodhuar një ofertë të shtuar në tregun tonë të brendshëm, çka ka ndikuar edhe në forcimin e kursit të këmbimit. Në mungesë të të dhënave të plota zyrtare, Banka e Shqipërisë gjykon se këto tendenca kanë vijuar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit aktual dhe muajit prill, duke shpjeguar edhe forcimin e kursit të këmbimit të lekut. Paralelisht me zhvillimet pozitive në sektorin e jashtëm të ekonomisë, tendenca mbiçmuese e lekut është përkrahur edhe nga diferenca pozitive mes normës së interesit për kursimet në lekë kundrejt asaj në valutë, duke dekurajuar zhvendosjen e kursimeve vendase drejt monedhës euro.”, vlerësojnë ekspertët e bankës qendrore duke theksuar se Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Kjo do të thotë se, në çdo rast, luhatjet e kursit diktohen nga ecuria e raportit të kërkesës dhe ofertës për valutë në treg.

Gjatë këtij muaji, Banka e Shqipërisë bleu më shumë se 25 milionë euro në tregun e brendshëm financiar. E megjithatë kursi i këmbimit të monedhës jo vetëm që nuk u rrit me asnjë qindarkë, por vijoi rënien e mëtejshme. Por gjithsesi, blerjet nuk kishin qëllim ndërhyrjen në tregun valutor, pasi ishin pjesë e kalendarit vjetor për nevojat e rezervës valutore. Për këtë vit, autoriteti monetar qendror ka parashikuar të blejë një shumë midis 160 dhe 220 milionë eurosh. Kjo vlerë përfaqëson një rritje të konsiderueshme në raport me shifrat e vitit të kaluar, kur blerjet e valutës llogariteshin rreth 140 milionë euro.

Arsyet e zhvlerësimit të euros sipas qeverisë

Edhe qeveria është në të njëjtën linjë vlerësimi me Bankën e Shqipërisë. Arsyet e zhvlerësimit të euros i gjen tek flukset e larta nga turistët, dërgesat e emigrantëve dhe investimet e huaja direkte, siç konfirmoi edhe Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në përfundim të mbledhjes së qeverisë këtë të enjte të 27 prillit.

“Unë do të qëndroja tek terminologjia para’ informale, pra para informale ekziston sigurisht. Banka e Shqipërisë ka një matje të dhe një indikator për paranë jashtë bankave i cili nuk është i lidhur me fushatat elektorale dhe nuk ka një element shtesë në këtë vit. Sigurisht që zhvlerësimi i euros dhe forcimi i lekut është i lidhur me hyrjet e të ardhurave që ne kemi pasur gjatë këtij viti. Pra flusket hyrëse të monedhës kanë qënë në rritje të ndikuara edhe nga rritja e turizmit dhe nga rritja e investimeve të huaja direkte po dhe nga rritja e remitancave.”

Çfarë thonë ekspertët?

Faktorët e përmendur nga autoritet publike gjejnë vend edhe në shpjegimet e ekonomistëve. Por ata shtojnë se burimi i ofertës së lartë në valutë diktohet edhe nga burimet informale, përfshirë edhe fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit. 

Zef Preçi, i cili drejton Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike, analizon edhe faktorë të tjerë që po diktojnë mbiçmimin e monedhës europiane në vendin tonë.

 “Duke qënë se s’kemi ndërhyrje të bankës qendrore, përfundimi është që në tregun e brendshëm kemi një ofertë të lartë monetare, para që janë kryesisht me origjinë informale dhe pjesa më e madhe kriminale. Do të thotë që sinjalet e lëshuara nga qeveria për amnisti fiskalepo japin efekt, pavarësisht se nuk e kanë miratuar ende. Dhe për lejimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Pastaj mos të harrojmë që po hyjmë në stinën e bumit të turizmit, ku pritet që kjo tendencë të fitojë qendrueshmëri, të vazhdojë.”, argumenton Preçi duke shtuar se edhe zgjedhjet kanë ndikimin e tyre në mbiçmimin e euros.


Fakti që jemi në fushatë elektorale apriori nxit hedhjen e parave në qarkullim, në fushatë hidhen para edhe nga lobet e biznesit, hidhen para nga lobet kriminale dhe mesa duket do të kemi një impakt për fat të keq të këtyre parave në treg, për rrjedhojë edhe në vullnetin e qytetarëve.”

— Zef Preçi, Ekonomist

Edhe eksperti për tregjet financiare Artan Gjergji arsyeton se fushata për zgjedhjet vendore po jep efektet e saj kundrejt valutës.


“Oferta është shumë më e madhe se kërkesa. Bankat nuk kanë se ku ta çojnë euron, ndaj refuzojnë ta blejnë dhe kjo krijon panik tek zyrat e këmbimit valuator, që ulin çmimin. Burimi i ofertës së madhe në valutë mund të ketë ndikim sezonal edhe për shkak të fushatës elektorale, por duke qënë se këto dërgesa realizohen jashtë sistemit financiar, mungojnë statistikat zyrtare për ta mbështetur si hipotezë.”

— Artan Gjergji, Ekonomist

“Thelbësor mbeten fenomene të tjera brenda realitetit ekonomik që kanë të bëjnë kryesisht me elementet e vijueshmërisë së fortë të pastrimit të parave në Shqipëri. Dhe sigurisht përqëndrimit të këtyre investimeve në pasuri të paluajtshme. Po nga ana tjetër kemi të bëjmë edhe me efektin e rritjes së vazhdueshme të investimeve të huaja kryesisht nga rezidentët e huaj në tregun e pasurive të paluajtshme, pasi ende tregu është me çmime krahasimisht më të lira se sa rajoni. Dhe sigurisht mbetet edhe komponenti i turizmit që për fat të mirë vijon të rritet.” shpjegon Elvin Meka, Profesor i Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës, duke shtuar se edhe fushata elektorale mban peshën e saj në zhvlerësimin e euros kundrejt lekut.


“Mund të ketë një ndikim anësor, shumë të vogël ose të kufizuar në drejtim të blerjes së votës ose le të themi të sponsorizimit të njerëzve apo grupeve të caktuara për një përkatësi të caktuar politike, për të votuar një krah apo një tjetër, por kjo nuk është thelbësore.”

— Elvin Meka, Ekonomist

Euro në kohë zgjedhjesh

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, monedha europiane është këmbyer mesatarisht me 123.31 lekë.

Në peridhën mars-prill të vitit 2019, që përkon me fushatën zgjedhore të këtij viti, një euro është këmbyer me 122.65 lekë.

Ndërsa në fushatën e vitit 2017, periudhën maj-qershor, një euro këmbehej me 132.22 lekë.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Ekonomistët sqarojnë se në teori është e pritshmë që zgjedhjet të ndikojnë më shumë në nënçmimin e monedhës vendase, pasi qeveria është e prirur të rrisë investimet publike, duke hedhur në qarkullim më shumë lekë. Por, në fakt, këtë vit një efekt i tillë nuk po ndihet, pasi gjatë kësaj fushate po ndodh e kundërta.

Euro e dobët, dy anët e medaljes për ndikimin në ekonomi

Një euro e dobët kundrejt lekut në një periudhë inflacioni të lartë ndihmon në amortizimin e pjesshëm të rritjes së çmimeve të mallrave apo shërbimeve nga tregjet e huaja.

Po ashtu, zhvlerësimi i euros ndikon pozitivisht edhe importet e shërbimeve, veçanërisht turizmin e shqiptarëve jashtë vendit.

Në kategorinë e përfituesve nga forcimi i lekut është dhe ai i huamarësve në valutë të huaj. Një familje që ka kredi në euro me normë interesi fikse, sot paguan thuajse 8% më pak nga sa paguante një vit më parë.

Po ashtu, një nga huamarërsit më të mëdhenj përfitues është qeveria. Forcimi i lekut vitin e kaluar e uli me 37 miliardë lekë stokun e borxhit në valutë të huaj dhe me pothuajse dy pikë përqindje raportin e borxhit publik ndaj PBB-së.

Por, nga ana tjetër, rënia e euros ka impakt negativ në sektorët eksportues të ekonomisë, si industria fasone, sepse ul ndjeshëm të ardhurat e tyre.

Forcimi i lekut po ushtron një ndikim negativ në vlerën e kursimeve të qyetetarëve shqiptarë në monedhë të huaj, në një kohë që euro po bëhet gjithnjë e më dominuese në strukturën e depozitave bankare.

Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Gazetare Ajo është diplomuar në fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës në nivelin “Bachelor” si dhe ka kryer studimet në të njëjtin fakultet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”. Esmeralda ka më shumë se 10 vite që punon si gazetare ekonomie në media të ndryshme, kryesisht televizione. Fillimet e saj kanë qënë në Platformën Tring, si pjesë e kanalit informativ “7 News” ku ka mbuluar raportimet mbi çështjet me karakter social dhe ekonomik. Në mars të 2013, Esmeralda ka punuar si gazetare dhe njëkohësisht si folëse lajmesh në televizionin “Agon Channel”, ndërkohë që nga shtatori i 2015 ka qënë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTSH si gazetare ekonomie, folëse lajmesh si dhe pjesë e stafit të emisionit “Përballë” nën autorësinë e Lutfi Dervishit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img