Pretendimi: Kjo video tregon procesin e bërjes së ushqimit nga hardhucat, mënyrë e të ushqyerit që sot në Europë na paraqitet si model për Shqipërinë
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon procesin e prodhimit të makaronave nga hardhucat. Ajo shoqërohet me aludimin se kjo është mënyra e të ushqyerit që Europa, ku duam të anëtarësohemi, prezanton si model për Shqipërinë.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak të jashtëzakonshme.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht më 14 shtator në TikTok, ku është etiketuar si “e gjeneruar me AI.”

Origjina e gjeneruar e videos konfirmohet nga prania e gjurmës SynthID, detektuar nga Gemini, agjenti AI i Google.

Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.






