Pretendimi: Kjo video tregon se ngrohja globale është mashtrim dhe makinat elektrike karikohen me naftë
Verdikti: Mungon konteksti
Në të gjithë botën në çdo moment aksidentohen, marrin zjarr apo defektohen mijëra makina me djegie të brendshme e megjithatë nuk bëhen lajm ashtu si makinat elektrike. Së fundmi, video e një autobusi që karikohet nëpërmjet një gjeneratori me naftë është ndarë nga profili në Instagram i Patriotik Media, nën hashtagun “ngrohja globale mashtrim”.
Pamjet shoqërohen me një pyetje përgjithësuese: “Përse njerëzit nuk po e kuptojnë që makinat elektrike furnizohen me gjeneratorë me naftë”.
Kamera në video ndjek kabullin e energjisë elektrike nga një autobus në një gjenerator dizel me një shtresë bore mbi të. Në sfond shihet një autobus me logon e “Zillertalbahn”, një linjë transporti në zonën alpine në Tirol të Austrisë.
Postimi i ndarë në Instagram në 23 prill
Falë verifikimit në databazën e Google Image rezulton se video është bërë publike në dhjetorin e vitit 2022 në rrjetet sociale. Një tëeet i politikanit tirolez të partisë të ekstremit të djathtë FPÖ, Markus Abwerzger, u nda me shpejtësi tek grupet konservatore duke regjistruar mbi 1200 rindarje dhe marrë komente të shumta kundër masave në nivel evropian për reduktimin e ndryshimeve klimatike.
Mesa duket, video është e vërtetë, por postimet që shoqërojnë atë keqinterpretojnë realitetin për makinat elektrike. Në të njëjtën ditë të postimit të videos në vitin 2022, media austriake “Tiroler Tageszeitung” publikoi përgënjeshtrimin e kompanisë së autobusëve.
Menaxheri teknik i kompanisë së transportit Zillertal, Helmut Schreiner, shpjegoi për këtë media se autobusi në video është një nga autobusët e rinj të prodhuar nga kompania MAN, të përfshirë në flotën e kompanisë. Autobusi po karikohej vërtet me një gjenerator me naftë në stacionin e autobusëve në Jenbach, por si pjesë e një testi emergjence.
Dy ditë më parë, në 13 dhjetor 2022, në zonën malore të Jenbach pati luhatje të energjisë elektrike, e konfirmuar kjo edhe në kronikën e kohës të meinkreis.at . Në këtë situatë, stafi teknik i kompanisë, praktikoi një provë për kohën e nevojshme për të karikuar autobusët në emergjencë në rast të ndërprerjes së energjisë. Relievi malor i zonës është më sfidues për mjetet e transportit e megjithatë autoritetet nuk janë tërhequr ende dhe sot nga orientimi drejt mjeteve elektrike.
Postimi që pretendohet si prova për mashtrimin me mjetet elektrike është verifikuar më parë nga organizata verifikuese e fakteve austriake Mimikama.