BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAksidenti i familjes shqiptare në Greqi keqpërdoret nga portalet

Aksidenti i familjes shqiptare në Greqi keqpërdoret nga portalet

Lajmi për shuarjen e një familje shqiptare me pesë anëtarë në një aksident tragjik në Greqi është keqinformues. “Faktoje” zbuloi se bëhet fjalë për një artikull të ricikluar, por edhe të keqpërdorur nga mediat online.

————————————————————————————————————-

Aksidentet e rënda automobilistike po keqpërdoren nga portalet për të tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe siguruar klikime. I tillë rezulton rasti i portalit web.seedoof.com, i cili më 9 tetor ka publikuar një lajm mbi aksidentimin tragjik të një familjeje shqiptare në Greqi. Portali pretendon në këtë artikull se në aksident është shuar e gjithë familja.

FamiIja Shqiptare në Greqi babai, nëna, vajza dhe dy djemt nderroj.ne je.të në ak sí d ent”, shkruan kjo media online.

Screenshot lajmi i publikuar nga portali

“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të lajmit, pasi janë disa elementë që të bëjnë të dyshosh mbi vërtetësinë e tij. Gabimet e qëllimshme drejtshkrimore në titull dhe më tej edhe në brendësi të tekstit, janë një formë e përdorur nga portalet për të evituar identifikimin nga filtrat e vendosur nga Facebook për të bllokuar lajme të tilla të rreme.

Në një kërkim të bërë në Google rezulton se lajmi i publikuar nga kjo faqe është i ricikluar. Referuar mediave greke, aksidenti i rëndë ka ndodhur më 15 nëntor të vitit 2021 dhe jo në vitin 2022. Gjithashtu, mediat e vendit fqinj raportojnë se në aksident kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit 46-vjeçar, bashkëshortja e tij 43 vjeçe dhe vajza 22 vjeçe, ndërsa djali 17-vjeçar është jashtë rrezikut për jetën.

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e së hënës në rrugën Xyniada-Koromilia, ku si pasojë kanë humbur jetën tre persona. Drejtuesi i mjetit 46-vjeçar, gruaja e tij 43-vjeçare dhe vajza e tyre 22-vjeçare, të gjithë me kombësi shqiptare, u gjetën të vdekur, ndërsa djali i tyre 17-vjeçar, i cili u dërgua në Spitalin e Lamia, ka mbetur i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën”, raportojnë mediat greke.

Portali jo vetëm që ka ricikluar një artikull të një viti më parë, por edhe dizinformon lexuesit, duke publikuar një lajm të rremë, pasi në aksident raportohet për 3 viktima dhe jo 5, siç shkruan kjo faqe.

Në nëntor të një viti më parë, mediat në Shqipëri raportuan gjerësisht për aksidentin tragjik të familjes shqiptare, ku humbën jetën babai, nëna dhe vajza e familjes.

Riciklimi apo keqpërdorja e lajmeve të tilla me tragjedi njerëzore jo vetëm ringjall dhimbjen tek familjarët dhe të afërmit e tyre, por krijon ankth të panevojshëm edhe për shumë lexues të tjerë, të cilët shqetësohen për fatin e familjarëve të tyre emigrantë në Greqi.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Shënim:

Data 27 tetor 2022: Portali web.seedoof.com e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit https://web.seedoof.com/2022/10/09/famiija-shqiptare-ne-greqi-babai-nena-vajza-dhe-dy-djemt-nderroj-ne-je-te-ne-ak-si-d-ent/?fbclid=IwAR3g8mAFA_kAvnGn6tLRUi-CsyCWyzkwNpT7m8IfW0ta6KyneHEDS9GvUcw  të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar ne Facebook.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img