BallinaPertejAutizmi nuk zgjedh, autizmi flet

Autizmi nuk zgjedh, autizmi flet

INVA HASANALIAJ

Autizmi është një çrregullim në zhvillimin nervor që prek aftësinë e fëmijëve për t’u socializuar normalisht, duke ndikuar në aftësinë e tyre për të përdorur komunikimin verbal dhe joverbal. Sipas të dhënave nga Organizata botërore e shëndetit në rang botëror, 1 në 160 fëmijë diagnostikohet me çrregullime të spektrit të autizmit çdo vit. Ashtu si në shumë vende të botës edhe në Shqipëri, në 2 prill të çdo viti një vëmendje edhe më e madhe i dedikohet këtij komuniteti. Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin në të gjitha nivelet e shoqërisë lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm.

Po në Shqipëri si paraqitet situata në lidhje me këtë çështje?

“Faktoje” komunikoi me Silvi Ngjelën, mjek logopedist, i cili tregon se autizmi është njohur në vendin tonë në fillim të viteve 2000. Sipas dr. Ngjelës edhe më parë (para se të njihej autizmi) ka pasur fëmijë me autizëm por në jo pak raste për to jepeshin diagnoza të ndryshme.

Sipas specialistëve shqetësimet nisin që me prindërit e fëmijëve të diagostikuar me çrregullime të spektrit autik, pasi disa prej tyre shfaqin ndjenja mospranimi. Janë të shumtë ata që refuzojnë apo e kanë të vështirë të pranojnë faktin se fëmija i tyre është me autizëm.

“Prindërit kanë ndjenjën e fajit duke menduar se ndoshta fëmija është prekur nga autizmi për shkak të tyre.  Mendojnë se mund të jenë ata shkaktarë të kësaj situate, por kjo nuk është e vërtetë. Në vijim e pranojnë faktin që femija i tyre ka autizëm, fillojnë të informohen e më pas të nisin edhe trajtimet e posaçme.”- thekson mjeku logoped Ngjela.

Sipas mjekut specialist, në vendin tonë nuk ka një database (bazë të dhënash) të saktë se sa fëmijë lindin me autizëm dhe sa prej tyre janë në trajtim apo në kurim. Ndërkaq, logopedi thotë se sipas të dhënave të shërbimit psikiatrik, numri i rasteve të reja në Njësinë e Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve është rritur me rreth 200 raste në vit.

Politikat që ndiqen në vendin tonë për këtë kategori sipas dr. Ngjelës janë shumë të varfëra. Ai thekson se janë shumë të pakta qëndrat shtetërore të cilat trajtojnë këta fëmijë. Gjithçka është lënë në dorë të qendrave private. Autizmi, sipas tij, duke qenë një diagnozë komplekse, ku marrin pjesë shumë profesionistë për të trajtuar një fëmije, ka një barrë të rëndë ekonomike për familjet shqiptare. Jo të gjithë kanë mundësi për t’i trajtuar fëmijët e tyre në qendra private dhe shkaku kryesor është pamundësia ekonomike.

Ndërkaq Ersilda Dyrmishi, terapiste zhvillimi pranë qendrës “Special Needs Special Love”, thotë ndër të tjera se arsimimi mbetet ende një problematikë për këtë komunitet. Sipas saj mësuesit mbështetës për këta fëmijë janë shumë të paktë në numër dhe nuk mund të mbulojnë nevojat që ka vendi.  Vetë ajo më parë ka mbuluar tre shkolla për të asistuar fëmijët me autizëm dhe koha e qëndrimit apo punës me to, nuk është e mjaftueshme. Dyrmishi thekson gjithashtu se një pjesë e mësuesve janë të paspecializuar. Nuk janë të pakta rastet, tregon ajo, kur prindërit janë të detyruar të qëndrojnë me fëmijët e tyre në klasë.

Për të siguruar trajtimin e një fëmije me autizëm në qendra shëndetësore private të këtij lloji, nevojiten nga 1000 -1500 lekë (të reja) për një orë terapi. Të tilla çmime, edhe sipas vetë specialistëve cilësohen si relativisht të larta për disa familje që e kanë të pamundur një pagesë të tillë duke patur parasysh orët e terapisë të nevojshme për një muaj, shërbime të tjera, shpenzime mujore etj.

Specialistët por edhe prindër të fëmijëve me autizëm bëjnë thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit të popullsisë rreth këtij çrregullimi bioneurologjik të trurit. Këta fëmijë kanë nevojë për dashuri, kanë nevojë të pranohen dhe të socializohen si të gjithë fëmijët e tjerë ndaj për ta nuk ka vend për diskrimimin.

Autizmi dhe shumë çrregullime të tjera janë pjesë e eksperiencës njerëzore duke kontribuuar në diversitetin njerëzor, saktëson ISHP. Pikërisht për këtë diversitet, secili prej nesh duhet të shmangë sa më shumë pabarazitë, duhet të eleminojë diskriminimin, duhet të mirëintegrojë çdo person të prekur nga autizmi dhe jo vetëm, duhet të falë më shumë dashuri. Autizmi flet, autizmi nuk zgjedh…

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img