Cili prej Berishëve e fitoi gjyqin në SHBA?

Nga Faktoje - 31 Gusht, 2022

Lajmi për fitimin e një gjyqi në SHBA nga Sali Berisha i postuar në disa portale shqiptare rezulton se është jo vetëm i ricikluar, por edhe i manipuluar qëllimisht për të tërhequr klikime. Faktoje verifikoi se si postimi i Shkëlzen Berishës I vitit 2020 iu “vesh” babait të tij ditët e fundi nën aludimin e kundërshtimit të shpalljes “non grata”.

Granit Sokolaj

Sali Berisha ka një numër të lartë ndjekësish online, por kur vjen fjala për lajmin e fitimit të një gjyqi në SHBA, vendin i cili e ka shpallur së fundi “non-grata”, sigurisht që interesi dhe klikimet janë të shumëfishuara. Portali lajmetspeciale.info ka publikuar më 22 gusht, një lajm, sipas titullit të tij “të konfirmuar”, për një proces të fituar nga ish-kryeministri Berisha, shoqëruar edhe më një foto të tij si dhe pamjen e sfumuar të një dokumenti zyrtar.

Artikulli ka marrë vëmendje të menjëhershme në rrjet duke u ripostuar në 3 portale të tjera dhe ndarë gjithashtu me krenari nga disa ndjekës edhe në faqen zyrtare në Facebook të Sali Berishës.

Lajmi për fitoren e një gjyqi nga Sali Berisha në portalin lajmetspeciale.info

Në një lexim të shpejtë të tekstit të lajmit, nisin të rrëzohen lehtësisht të gjitha elementët që janë përdorur në titull dhe foto për këtë lajm bombastik. Teksti i lajmit, çuditërisht në vetën e parë, flet për një fitore procedure për të sqaruar lidhjet e familjes Berisha në çështjen e kompanisë amerikane AEY, të lidhur me shpërthimin në Gërdec në vitin 2008.

“Deklarimi nen betim i Diverolit se ai ka genjyer dhe trilluar per interesa personale, takimin tim me te, si dhe per cfaredo lloj implikim timin ne aktivitetin e kompanise se tij, rrezon vertetesine e te gjithe artikujve ne mediat nderkombetare dhe lukunise se shpıfjeve qe kane shoqeruar ato ne mediat lokale prej 10 vjetesh”, thuhet në lajmin e portalit. Në këtë pikë, pjesa më e madhe e lexuesve të interesuar, kanë kuptuar se nuk bëhet fjalë për gjyqin e premtuar ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen “non grata” dhe kanë vijuar leximin e lajmeve të tjera online.

“Faktoje”, hulumtoi më tej mbi këtë lajm që ngjallte dyshime për të konfirmuar edhe truke të tjera të përdorura nga autori i lajmit. Konstatohet se teksti i lajmit i përket një postimi të Shkëlzen Berishës, të birit të ish-kryeministrit Berisha, të publikuar më 3 shtator 2020, jo vetëm në profiling e tij personal, por edhe në shumë media tradicionale.

Postimi i Shkëlzen Berishës i botuar me 3 shtator 2020 në gazetën RD

Në këtë mënyrë, konfirmohet se lajmi jo vetëm është një riciklim i një ngjarje të publikuar rreth dy vite më parë, por përmban edhe shtrembërime të qëllimshme dhe të pavërteta.  Duke përdorur foton e Sali Berishës, sfumimin e dokumentit të gjykatës, si dhe mungesë qartësie në informacionin e ofruar në tekst nëse bëhet fjalë për ish-kryeministrin apo djalin e tij, autori i lajmit ka rikrijuar një lajm keqinformues. Sigurisht, këto truke janë përdorur qëllimisht për të tërhequr klikime në rrjet, nëpërmjet të cilave, autorët e disa portaleve mund të sigurojnë shikueshmëri dhe të ardhura nga publiciteti.

*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin