BallinaAktualitet“Atje paguhem 10 herë më shumë sesa këtu”

“Atje paguhem 10 herë më shumë sesa këtu”

Edhe ata që kanë përfunduar një shkollë profesionale e shohin të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. Një 19-vjecar, me profesion saldator tregon për Faktoje si tentoi të shkonte ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar. Egli u kap nga policia dhe për 3 vite nuk mund të lëvizë në asnjë vend të Europës.

Ai shprehet se Anglia ofron një pagesë gati 10-fish më të lartë për zanatin e tij  dhe kërkesat e tregut  janë shumë të mëdha. Ndërkohë, nga ana tjetër edhe Shqipëria po vuan për profesionistë në tregun e punës, ndaj ekspertët e ekonomisë dhe të cështjeve social kërkojnë zbatimin e strategjive të qarta që të ndalin eksodin e të rinjve.

Ilda Hoxha

Një 19-vjeçar, i cili e quan veten “saldator i pafat” rrëfen kalvarin e vuajtjeve që e shoqëruan në tentativën e dështuar për të mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar. Djali me origjinë nga Dibra, por që jeton në zonën e Paskuqanit ka përfunduar arsimin e mesëm profesional. Ai shpresonte që profesionin ta ushtronte jashtë vendit, saktësisht në Angli.

“Mbarova shkollën e mesme mekanike në Kamzë, e ushtroja si profesion, por mendova se jashtë mund të ishte më mirë dhe vendosa të nisesha ilegalisht. Unë kisha folur me trafikantët në Instagram dhe TikTok. Pastaj shkëmbeva kontaktet dhe nisëm bisedat në whatsapp. Vendosa që të dorëzoja lekët te sekserët që ishin shqiptarë. Dhashë 4 mijë paund, që nëse nuk do arrija të shkoja, do mi kthenin sërish. Gjysmën e këtyre parave i kisha marrë borxh, pjesën tjetër i kisha vetë.

Ndoqëm rrugën tokësore, ikëm drejt Brukselit me autobusin e nje agjencie udhëtimi në qershor të vitit 2022. U zgjuam në Bruksel, aty hipëm më pas në një furgon, ishim 11 shqiptarë.”, thekson ai.

Më pas, 19-vjeçari tregon se u nisën drejt Dunkir në Francë, por sapo mbërritën atje zbritën për të blerë diçka, por u evidentuan dhe u ndaluan nga autoritetet.

Ndaluam diku në një karburant për të marrë disa gjëra të nevojshme, por na pikasën, sepse dolëm të gjithë njëherësh nga furgoni. Duke arritur afër gomones, na kapën autoritetet. Na thanë që do u dërgojmë vetëm për verifikim dhe na mbajtën 24 orë të izoluar. Bëmë verifikim dhe pastaj dhamë deklarata dhe më pas na dërguan në një kamp”, rrëfen më tej adoleshenti.

Gjatë 2 javëve të qëndrimit në kamp ai nuk arriti dot të komunikonte me familjen, pasi nuk u lejua nga autoritetet franceze. Përpos kësaj, tregon se kushtet në kamp ishin mjaft të vështira dhe ai shpresonte që ky makth të merrte fund sa më parë.

“Në çuan në kamp në Lille, ku nuk kishe mundësi as të arratiseshe, sepse telat ishin me rryme elektrike. Nuk na jepnin as telefonët që të flisnim me familjen. 2 javë kemi qëndruar pa folur me familjen, ata nuk dinin asgjë ku ishim ne. Pasi dolëm në gjyq, vendosën të na deportonin drejt Shqipërisë në fillim të korrikut të vitit 2022”, shprehet ai.

Tashmë 19-vjeçari është ndaluar që të udhëtojë në Europë për 3 vite, por sërish shpreson që një ditë ta ushtrojë këtë profesion në Angli dhe sipas tij, arsyeja kryesore është pagesa më e mirë.

“Me punën që bëj këtu si saldator marr 2500 lekë në ditë. Në Angli me këtë profesion që kam unë do paguhesha 180 paund në ditë. Pagesa është arsyeja kryesore që më shtyn të largohem, Nuk paguhet dhe as vlerësohet këtu zanati që ushtroj unë. Atje ka para më shumë, ke mundësi të grumbullosh para, jo vetëm të hash bukë me ato që fiton”, thotë I riu .

Mirëpo, pas gjithë atyre vuajtjeve që kaloi, ai shprehet se nuk është zgjidhja e duhur ikja në mënyrë ilegale.

“U nxitova që u nisa në mënyrë ilegale. Kam frikë të tentoj sërish ashtu, kam shpresën që të gjej diçka të rregullt. Do përpiqem ta gjej një mënyrë, por nuk rri dot këtu”, rrëfen saldatori 19-vjeçar.

Si mund ta mbajmë rininë në Shqipëri?

Sociologia Entela Binjaku thotë për Faktoje se të rinjtë po ikin pasi gjendja aktuale e vendit nuk i përmbush kërkesat për jetën.  

“Sot duket sikur jemi kthyer në kohën kur ishim në fillimin e viteve ’90, nëse ke një të afërm në Angli, kërkon një rrugë, sado e vështirë të jetë, për të shkuar tek ai. Secili prej nesh sheh që ka gjithmonë e më pak të afërm apo të njohur që nuk kanë emigruar.

Kjo dramë e shoqërisë sonë mund të ndalet nëse të rinjtë do të shihnin më shumë shpresë për të ardhmen. Paga më të mira dhe shërbime publike dinjitoze, kushte për një jetesë të qetë dhe dinjitoze, rritje të sigurisë për jetën, forcim të shtetit ligjor, ligje që i shohin të gjithë të barabartë dhe ndëshkojnë korrupsionin. Këto janë ato që ata i kërkojnë dhe disa prej tyre i gjejnë në vendet e perëndimit”, sugjeron sociologia Binjaku.

Për eksperten e ekonomisë, Teuta Nunaj-Kortoçi, veprimet e mundshme që mund apo duhet të ndërmerren për uljen e niveleve të emigracionit janë: “Rritja e cilësisë arsimore dhe të mësimdhënies përmes reformave të thella në sistemin arsimor, kryesisht në arsimin e lartë dhe përshtatjes faktike të kurikulave me kërkesat reale të tregut të punës. Themelore është që çdo i ri të zgjedhë profesionin që do dhe që është i aftë të bëjë. Në këtë mënyrë ai do e bëjë punën gjithnjë me pasion dhe profesionalizëm.

Hartimi i politikave efektive publike për motivimin i të rinjve kryesisht atyre të arsimuar, për të cilët edhe është investuar (në shkollimin e tyre), për të qëndruar në Shqipëri dhe bashkëpunimi me të rinjtë në diasporë, për rikthim e tyre për të punuar në Shqipëri, qoftë edhe për periudhë të caktuara kohore.

Përmirësimi i standardeve të jetesës përmes rritjes së pagave, që vjen nga investimi në teknologji dhe teknikë të zhvilluar që sjell edhe rritje të produtivitetit.

Ndryshimi i kulturës së punës dhe e vlerësimit të punonjësit, ende në Shqipëri punonjësi nuk vlerësohet si aseti më me vlerë i kompanisë”.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img