EDIT NIKOLLI
1-Sa të përgatitura janë shkollat në vend për mësimin e kombinuar dhe a rezultoi efektiv ky proces gjatë këtij muaji që lamë pas?
Pandemia u bë shkaku që publikisht sistemi arsimor shqiptar, por jo vetëm, të dëftonte në detaje arritjet dhe mosarritjet në 30 vite tranzicion drejt demokracisë dhe shtetit ligjor në fushën e arsimit. Cilësia e përgjigjes përmes sjelljes institucionale të çdo njësie në parauniversitar dhe në universitar skanoi sistemin dhe efektshmërinë e tij në 4 komponentë:
1. tregues të qëndrueshmërisë dhe koherencës në zhvillim të sistemit, 2. pjekurinë dhe përgjegjshmërinë ndaj publikut shqiptar të reformave të pretenduara, 3. Sasinë dhe cilësinë e investimeve të adresuara në sistem përballë zgjidhjeve afatgjata, 4. Cilësinë e kapitalit njerwzor, personelit mësimdhënës dhe ndihmës në çdo nivel.
Pyetja juaj lidhet me aftësinë e komponentit të 3-të për të qenë të efektshëm. Efektshmëria e këtij kapitali human është dhunuar rëndë nga koncepti referues politik, ai i trajtimit të arsimit si një shërbim dhe pas të cilit qeverisjet e 15 viteve të fundit i kanë adresuar reformat e tyre në sistem, prirur nga ligjësitë e kërkesë-ofertës si në sektorin publik, ashtu edhe në atë jo publik. Larguar qartësisht nga ARSIMI SI E MIRË PUBLIKE, sot, në kohë pandemie, sistemi nuk shkoi në “fikje”, sepse atë e mbajnë në ekzistencë e funksion shtresa përgjithësisht idealiste e mësuesve dhe pedagogëve shqiptarë. Zyrtarisht, këto kapitale humane, sidomos në sektorin publik, përkundrejt çdo skenari mësimdhënës, përfshirë edhe mësimin e kombinuar, janë të pambështetura nga vizioni dhe operativiteti i një udhëheqësi’e nga MASR dhe pseudoagjensive për cilësinë në arsim, të pambështetura nga infrastrukturat shkollore të pakoaliduara në ide, zbatim dhe funksionalitet për infrastrukturën digjitale, të shkatërruara në themel nga rrjeti i deleguar me versionin “PPP” i trajnimit, kualifikimi dhe karrierës në udhëheqësi’ të mësuesve dhe drejtuesve, sikurse dhe nga mungesa e një sistemi monitorues i paidentifikuar në efeciencë qysh nga cilësia e statistikave e deri tek absurditeti i ndarjes së përgjegjësive mes aktorëve dhe faktorëve në sistem. Në sektorin jo publik situata është më e ndryshme, sidomos në rastet kur institucionet e edukimit parauniversitar menaxhohen nga ekspertë të fushës së arsimit. E mbi të gjitha në këto faktorë qëndron hermetizimi i informacionit mbi gjendjen reale, për të mos harruar demagogjinë qeveritare. Të gjitha këto shkaqe më sipër e kanë lënë sistemin, mësuesin dhe nxënësin e shkollës publike në analfabetizëm digjital.
Sot, nga komunikimet me mësues e drejtues në sistemin parauniversitar publik, mund të themi që ka patur trajnim për regjistrimin në platformën Akademi.al, por asgjë për metodologjitë dhe etikën digjitale në mësimdhënie. Vetë paltforma e zgjedhur nuk është në cilësinë që tregu i edukimit kërkon gjatë pandemisë në të gjithë botën. Kjo situatë ku kemi mësues e nxënës të regjistruar në sistemin parauniversitar publik u pa se nuk mbajti dot ngarkesën ditën që kaloi në formatin e pyetur nga ju, sikurse nga mësues në sistem mëson faktin se ajo nuk ka funksionuar siç duhet. Ndaj mësuesit kanë bërë rrugëzgjidhjet e tyre, po përdorin google classroom, zoom, whatsapp etj, pa u unifikuar mes tyre. Pra, jemi po në kushtet e eksperimentit online të 3 muajve që mbyllën vitin e kaluar shkollor. Ajo që është më e rëndë është se mësimi i kombinuar kryhet pa patur mundësi dhe vullnet për të monitoruar arritjen e kompetencave të nxënësve që është “A” -ja e funksionalitetit dhe efektshmërisë të arsimit.
2-A kemi ne infrastrukturën e duhur për aksesimin me internet në shkallë vendi?
Jo, sektori publik është ende shumë larg nga institucioni me infrastrukturë pro digjitalizimit. Pohimet mbi mësimin online nga mësuesit heronj në sistem, nuk kanë të bëjnë fare me standardet që duhet të kenë shkollat tona të digjitalizuara. Këtu nuk bëjnë dallim as infrastrukturat fizike të shkollave të viteve para 90-s që i ndesh nëpër qytete, nga ato të ndërtuara në 10 vjeçarin e fundit, ku bota ka kryer revolucionin e vet. Kjo identifikohet lehtë në analizën e zërave për infrastrukturën fizike të ndërtesave, në mundësitë për pajisje dhe kabinete të digjitalizimit, për bibliotekat didaktike për nxënës e mësues apo dokumentacionin zyrtar digjital. Në shkollat e Tiranës thuhet se ka internet, por ai si cilësi shërbimi i ofruar nuk i mbulon nevojat e shkollës. Kjo u provua kur filloi mësimi i kombinuar dhe mësuesit duhet të punonin njëherësh nga shkolla, sistemi pësoi “crush” dhe mësuesit u detyruan të punonin nga shtëpia. Pra, ne jemi në situatw zgjidhëse jo të institucionalizuara dhe për më tepër asnjë e dhënë në adresarët elektronikë të MASR, bashkive që kanë përgjegjësi për infrastrukturën shkollore, të Zyrave dhe Drejtorive Arsimore rajonale apo si qytet ti nuk mund të gjesh dhe të marrësh ndonjë informacion mbi këtë standard infrastrukturor pro digjitalizimit. Kur Tirana është në këtë gjëndje, të mos harrojmë se është e vetmja Bashki që ka vendosur edhe taksë për arsimin, merret me mend çfarë ndodh në zonat e thella ku dhe interneti nuk ofrohet si mbullim shërbimi. E ndërsa flasim së bashku për institucionin e shtetit, ne nuk po prekim atë që është më qenësori, familja shqiptare dhe mundësitë e saj ekonomike përkundrejt komunkimit digjital të fëmijëve të tyre për shkollën online. Këtu ende nuk kemi analizuar fëmijën e ekspozuar në 6 orë mësim para ekranit të një celulari, kur ky zotërohet me cilësi dhe sasi referuar numrit të fëmijëve në familje. Në fakt, ky i fundit është kryefjala e fjalisë nga ku duhet të fillojë zgjidhja, pasi sipas të dhënave që vijnë nga bota, pandemia si gjendje do të vijojë të bashkëjetojë me ne edhe për 2021 dhe si e tillë e detyron shkollën drejt skenareve të pjesshme dhe të plota online.
3-Në këto kushte të analizës tuaj vërej se gjendja është shumë serioze. A ka mundësi për dalje nga kjo situatë dhe ku konsiston këshilla juaj për rrugëzgjidhje?
Vërtet, gjendja e ekspozimit ndaj mundësisë për edukimin online në një vit të tërë shkollor apo akademik në Shqipëri është shumë rrezkuese. Së pari, ne jemi ende të PALIGJËRUAR në këtë lloj realiteti të ri të përbotshëm për edukimin. Ministria dhe Parlamenti duhej të kishin bërë refleksionet juridike në Ligjin e Arsimit Parauniversitar dhe atë të Arsimit të Lartë. Normimi juridik detyron përmbushjen e standardeve që ligji parashtron për qeverisjen qendrore, lokale por edhe orienton me efektshmëri donatorët në arsim në favor të zgjidhjeve të kësaj situate, por edhe për zgjidhje më afatgjata në favor të institucionit arsimor digjital. Unë gjykoj që përgjëgjësitë DUHET TË SHIHEN NË FAVOR TË MËSIMIT SHQIP, kudo ku ka shkollë shqipe. Pra, qeveria shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e saj edhe për dhjetëra shkolla të mësimit të shqipes për fëmijët e emigrantëve shqiptarë nëpër botë, institucione që janë ndërtuar dhe pranuar me jo pak përpjekje nga mësues vullnetarë në to. Këtu detyrimi i qeverisë shqiptare është për t’í afruar FALAS këto programe.
Sot bota jeton erën e “Internet of thinks”, pra të mësimi që sjell cilësinë tek nxënësi në të nxënit krijues, kritik, konkurrues, inovativ ndërsa zhvillohet institucioni shkollor digjital. Ne nuk mund të rrimë të presim me vite sa infrastrukturat tona shkollore të plotësojnë standardet, por ne nuk mund të prodhojmë gjenerata humbëse në 10 vjeçarin e ardhshëm për karrierë dhe punësim të tyre, pikërisht se vijojmë në erën prehistorike të intenetit. Ndaj zgjidhjet duhen mirëmenduar dinamike në ndërhyrje afatgjata në efekt dhe me sa më pak humbje në cilësi.
E dyta, sot shqiptarët kanë ekspertët dhe ekselentët e IT, bij e bija tonët, nëpër Europë e botë.
Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë, kudo ku janë faktorë shtetformues në Rajon duhet të bashkërendojnë analizat, zgjidhjet dhe angazhimet për edukimin shqip. Kjo do të kishte efektin e vet në maksimizimin e cilësisë më të mirë të mundshme, por edhe në minimizimin e kapiatleve të investuara për të. Kjo që unë këshilloj nuk kushton, por në fakt kërkon që qeveritarët në dy shtetet tona dhe më gjerë të mos e kenë shqiptarizmën si fasadë dhe instrument të ndërtimit “fake” të marrëdhënieve me diasporën.
Së treti, referuar vendimmarrjeve të mësipërme duhet ndërtuar një rrjet kapital për kualifikimin e mësuesve me Pedagogjinë Digjitale dhe Etikën Digjitale.
Së katërti, zgjidhjet e shqetësimëve të dy pyetjeve të para, bëhen vendore dhe rast pas rasti në kushtet ku gjendet mësimi online në çdo cep të Shqipërisë ku ka shkolla. Është tepër urgjente që qeveria shqiptare të kuptojë që ekspozimi i një fëmije 4-5 orë në internet, në ekran të vogël celulari çon në zhvillimin e premisave për skizofreni tek fëmijët (janë studime këto) sikurse krijon probleme të pariparueshme me shikimin e tyre. Kjo wshtw edhe për mësuesit. Ndaj është urgjente pajisja e tyre me tableta. Për arsimin 9 vjeçar këto duhen ofruar falas ndërsa për atë të mesëm dhe të lartë ,me kosto ku një pjesë mbulohet nga shteti. Kjo do t’i jepte realisht kuptim standardit të “Drejtësisë” dhe “Të drejta sw fëmijës” në edukim. E prej fëmijës ne shkojmë edhe tek familja dhe kontributi për të në kulturën digjitale.
Së pesti, në këto anagzhime për zgjidhje, qeveria ka detyrën e transpërencës për atë që po ndodh në sistemin e edukimit. Ne si qytetarë nuk duhet të lejojmë që për arësye të injorancës dhe papërgjegjeshmërisë qeverisëse të mund të lejojmë lulëzimin e bullizmit digjital krahas atij me shumë forma mbi fëmijët dhe mësuesit tanë pasi vrasim të ardhmen pa jetuar të tashmen. Ndaj komunikimi dinamik dhe transparent i qeverisë mbi progresin e zgjidhjeve të këtyre situatave shumë skoze i jep një dimension human qeverisjes dhe mbështetjes publike që arsimi ka nevojë nga publiku shqipfolës. A mund të realizohen këto?
Për mua totalisht po. Jemi të vonuar me ato që nuk i paraprimë këtij realiteti të ri tashmë të pranuar nga të gjithë, por nuk duhet të lejojmë të tejvonohemi në zgjidhje që kërkojnë vizion, kurajo, shqiptarizëm dhe jo tenderim të rradhës paçka se nuk kanë qendrueshmëri dhe dëmet i kanë afatgjata. Edukimi online i ka të gjitha mundësitë që jo vetëm të mundësojë cilësisht edukimin, por edhe t’i fuqizojë fëmijët tanë në erën e “Internet for thinks”.
Majlinda Keta
Lektore e Filozfisë së Edukimit në Universitetin e Tiranës.
*Foto e parë është marrë nga Monitor