BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAlarmi për vajin e lulediellit i pabazuar në studime

Alarmi për vajin e lulediellit i pabazuar në studime

Këshilla që po qarkullon në rrjet për të mos konsumuar më vaj luledielli rezulton jo e vërtetë. Nuk ka asnjë studim të ri që të justifikojë alarmin e lëshuar nga portali news225media.com. Një përdorim i kujdesshëm i vajrave në përgjithësi mbetet sigurisht një këshillë e vlefshme.

Nevila Gjata

Ajo që ndan nutricistët sot, opinionin e gjerë dhe studimet mbi të ushqyerin e shëndetshëm janë vajrat që duhet të përdorim, sasia, dhe në ç’nivel temperature duhen gatuar. Megjithatë, një lajm i publikuar në portalin news225media.com, ku lëshohet alarmi për konsumin e vajit të lulediellit “…pas një studimi që të lë pa fjalë”, ka tërhequr klikime të shumta në rrjet. Për ta bërë edhe më tragjike situatën, artikulli është shoqëruar me foto ilustruese të vajit të lulediellit që shitet gjerësisht në supermarketet shqiptare.

 Screenshot e lajmit të publikuar nga news225media.com

Në brendësi të artikullit, ndryshe nga sa lihet të mendohet nga titulli, nuk gjendet asnjë studim i fundit që mund të justifikojë alarmin e lëshuar. Informacioni në artikull i referohet faqes amerikane të shëndetit “Healthline.com” për të shpjeguar cilësitë dhe pasojat e përdorimit të vajit vegjetal. Më pas shkrimi vijon duke bashkëngjitur një tjetër paragraf të marrë diku tjetër, duke folur për një libër të botuar për vajin vegjetal, pa shpjeguar se çfarë është gjetur dhe pse ai nuk duhet të përdoret për gatim.

“Faktoje” verifikoi më tej informacionin e paraqitur në këtë artikull që krijon panik tek lexuesit për një nga përbërësit kryesore të ushqimit. Vajrat ushqimorë të nxjerrë nga bimët njihen zakonisht si vajra vegjetalë, ku përfshihet edhe vaji i lulediellit. Përveç përdorimit të tyre në gatim dhe pjekje, ato gjenden në ushqime të përpunuara, duke përfshirë salcat e sallatave, margarinë, majonezë dhe biskota.

Bazuar mbi studimin e një grupi autorësh, botuar në korrik 2022 në “National Library of Medicine”, efektet shëndetësore të vajrave vegjetalë ndryshojnë në varësi të acideve yndyrore që përmbajnë, nga cilat bimë janë nxjerrë dhe si përpunohen. Nutricionistët kanë ngritur shqetësime për sasitë e larta të Omega-6 që gjenden në disa vajra bimore. Pavarësisht polemikave dhe studimeve (që hera herës dalin me përfundime të ndryshme) ende nuk ka një provë të fortë nga studimet që tregon se yndyrat Omega-6 ndikojnë në shëndetin e njeriut, kryesisht tek problemet e zemrës.

Si përfundim, nuk ka asnjë alarm apo këshillë të lëshuar nga ndonjë ent serioz  për të mos konsumuar vajin e lulediellit. Ajo që mund të thuhet pa frikë është se një konsum i moderuar i vajrave bimore duket të jetë një bast i sigurt për këdo prej nesh për të evitur sëmundjet kardiovaskulare.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img