BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAsnjë alarm për eleminimin fizik të Ramës nga Irani

Asnjë alarm për eleminimin fizik të Ramës nga Irani

Përmbajtja e një interviste të ish-këshilltarit të sigurisë të Donald Trump, John Bolton, ku lëshohet alarmi për eleminimin fizik të kryeministrit Rama, rezulton se është nxjerrë nga konteksti për të krijuar një titull sensacional. “Faktoje” verifikoi mungesën e një informacioni të tillë për institucionet shqiptare apo rritjen e masave të sigurisë ndaj kryeministrit.

Granit Sokolaj

Sulmet kibernetike dhe ndërprerja e menjëhershme e marrëdhënieve diplomatike kanë vendosur në një terren armiqësor vendin tonë dhe Republikën Islamike të Iranit. Në një situatë të tillë, është e nevojshme që të rritet gatishmëria ndaj veprimeve që synojnë të cenojnë sigurinë dhe rendin publik dhe kanë si pikënisje shtetas iranianë apo persona të financuar prej tyre. Por një intervistë e realizuar nga gazeta Sot më datë 14 shtator me ish-këshilltarin e presidentit amerikan Trump, z. John Bolton, shkon edhe më tej, duke lëshuar alarmin se “Edi Rama është i rrezikuar për t’u eleminuar fizikisht nga regjimi Iranian”. Titulli i intervistës së z.Bolton ka krijuar përshtypjen e një informacioni që vjen nga SHBA për ekzistencën e një atentati ndaj kreut të qeverisë shqiptare dhe ka ngjallur mjaft interes nga lexuesit.

Titulli bombastik i intervistës së botuar nga gazeta Sot

“Faktoje” verifikoi më tej këtë intervistë dhe informacionet publike mbi sigurinë e kryeministrit. Më konkretisht, z.Bolton i përgjigjet në këtë mënyrë pyetjes së intervistuesit Robert Papa:

“Nëse Irani kërcënon ju dhe Pompeon, a mund të kërcënojë me jetë, Kryeministrin Rama, apo liderin e opozitës shqiptare Berisha?

Xhon Bolton: Çdokush në Perëndim është në rrezik. Kur mendon se tani edhe OKB dhe Britania janë pjesë e  marrëveshjes bërthamore bashkë me Rusinë dhe Kinën. Në Europë duhet të pyesin veten se, çfarë përfitojmë nga kjo? Ne rrezikohemi në vendin tonë…” 

Ka mjaftuar kjo përgjigje pohuese, për një rrezik të mundshëm nga planet bërthamore të Iranit që mund të rrezikojnë këdo edhe brenda vendit të tij, që titulli I intervistës të lajmërojë një rrezikim të jetës së kryeministrit Rama.

Intervista me ish-këshilltarin Bolton është realizuar pas javë pas bërjes publike nga Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara për zbulimin e një komploti për ta vrarë diplomatin republikan. Sipas departamentit, pas këtij atentati fshihej një anëtar i Gardës Revolucionare të Iranit, i cili dyshohet se pagoi për 300 mijë dollarë disa individë për të kryer vrasjen.

Shpallja në kërkim nga FBI e autorit Iranian të komplotit për eleminimin e John Bolton

Vetë z.Bolton mësohet se ka falenderuar departamentin e drejtësisë për zbulimin e këtij komploti, por aktualisht, duke qënë larg detyrave publike nën administratën aktuale Biden, ai nuk është pjesë e rrethit të ngushtë të personave që mund të njihen me informacion konfidencial për cështjen e tij. Aq më tepër për komplote për çështje të tjera në vende larg SHBA, siç është edhe rasti i kryeministrit Rama. Kjo është edhe arësyeja pse në intervistën e tij, Bolton nuk mund të japë përgjigje konkrete nëse z. Rama apo z.Berisha janë të rrezikuar për t’u eleminuar nga regjimi Iranian.

“Faktoje” kërkoi një informacion zyrtar nga kryeministria nëse ekzistojnë sinjalizime të mundshme për rrezikimin e jetës së kryeministrit. Pavarësisht “sekretit” të çështjes për publikun, stafi i komunikimi pranë z.Rama konfirmoi se për momentin nuk ka një rritje të masave apo nivelit të sigurimit të z. Rama në aktivitetin e tij brenda vendit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img