BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëA u ngritën qendrat komunitare në Shkodër, sipas premtimit të kryetares Ademi?

A u ngritën qendrat komunitare në Shkodër, sipas premtimit të kryetares Ademi?

Gjatë fushatës së vitit 2015, kandidatja e PD për kreun e Bashkisë Shkodër, zonja Voltana Ademi, premtoi që në secilën nga lagjet e Shkodrës do të ngrihej një qendër komunitare, e cila do të shërbente në bazë të nevojës së komunitetit. “Faktoje” bëri një verifikim nëse është mbajtur ky premtim.


21 maj të vitit 2015, gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale të vitit 2015, kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë Shkodër, zonja Voltana Ademi zhvilloi një takim në të cilin prezantoi projektin për shërbimet sociale. Në moton “Shërbime Sociale Dinjitoze”, zonja Ademi, që fitoi zgjedhjet po atë vit, premtoi:

“Ne do të mund të ndërtojmë dhe vëmë në funksion të plotë, në çdo rajon të Shkodrës, një qendër komunitare me shërbime të ndryshme, specifike sipas nevojës së komunitetit dhe këtë do ta bëjmë në bashkëpunim me të gjitha organizatat, specialistët.”

Më 29 tetor 2020, “Faktoje” shkoi në Shkodër për të verifikuar nëse është përmbushur premtimi i kryebashkiakes për qendrat komunitare.

Ne komunikuam fillimisht me zonjën Vilma Shiroka, Përgjegjëse e Sektorit të Shërbimeve Sociale, në Bashkinë Shkodër, mbi projektin rreth qendrave sociale.

“Qyteti ka 5 lagje dhe qendrat komunitare janë të ndara në këto lagje. Përveç qendrave komunitare territoriale, që mbulojnë një territor të caktuar kemi edhe qendra komunitare me shërbime të specializuara që i referohen një target-grupi të caktuar.”-konfirmoi Shiroka për Faktoje.

Ne vijuam me verifikimin në terren për qendrat komunitare, sipas lagjeve të planifikuara nga bashkia.

Fillimisht shkuam në Qendrën Komunitare nr. 4, e cila ndodhet pranë ndërtesës së bashkisë.

Qendra Komunitare nr. 4 në Shkodër

Dy specialistët që punonin pranë kësaj qendre, Xhulio dhe Arvita, u shprehën se qendra është funksionale prej 4 vitesh e gjysmë dhe mbulon kryesisht shërbime sociale për komunitetin e lagjes numër 4.

“Menaxhojmë raste të fëmijëve në nevojë dhe grave të dhunuara. Monitorojmë urdhërat e mbrojtjes në gjykatë. Bëhet referimi, identifikimi i rasteve, mbështetja me shërbime të ndryshme që përfshijnë edhe pako ushqimore. Në bashkëpunim me organizatat partnere, organizojmë dhe japim shërbime që mund të variojnë mbi bazën e nevojave të familjes, pagesë qiraje, pako ushqimore.” – shprehet Xhulio.

“Fokusi kryesor është shërbimi social dhe mbështetja për familjen, por gjithashtu edhe shërbimi ndaj të moshuarve, për shkak të afërsisë me Shtëpinë e të Moshuarve.”-pohon ai.

Mjediset brenda Qendrës Komunitare nr. 4

Mjedise brenda Qendrës Komunitare nr. 4

“Për momentin kemi 60 familje me dosje të hapura, kemi bërë shërbim dhe i kemi mbështetur në formë konkrete, kemi përafërsisht 50 të moshuar nga lagje të ndryshme të qytetit të cilëve iu shërbejmë.” – thotë Xhulio.

Verifikimin e vijuam tek Qendra Komunitare nr. 2, e cila është integruar në zyrën e rajonit 2 në qytetin e Shkodrës.

Qendra Komunitare nr.2 në Shkodër

Specialiste është Amelia, e cila na informoi se qendra është hapur në gusht të vitit 2016 dhe ka në fokus banorët e lagjes nr. 2. Nga kjo qendër ofrohen grupe mbështetëse për të gjithë familjen, nga mbështetja për viktimat e dhunës në familje, kryesisht për nënat, deri tek klasat passhkollore për fëmijët.

Ambientet brenda Qendrës Komunitare nr. 2

“Për periudhën qershor-shtator janë mbështetur gjithsej 33 familje nga Qendra Komunitare nr. 2. Mbështetje edukative ditore marrin 12 familje me 13 fëmijë.  Nga 33 familje, prej tyre kanë anëtarë me aftësi të kufizuara, si dhe janë 4 persona nga një familje rome.” – shprehet Amelia.

Qendra Komunitare nr. 3 funksionon prej tre vitesh dhe është e fokusuar në mbështetjen e familjeve që bëjnë pjesë në komunitetin e lagjes 3 në Shkodër. Gloria, e cila punon si specialiste në këtë qendër, na tregoi se në mjediset e saj zhvillohen çdo ditë klasa passhkollore nga ora 14 00 deri ne 16 30.

Qendra Komunitare nr. 3

Në brendësi të Qendrës Komunitare nr. 3

“Me përafërsi, rreth 100 familje monitorohen dhe mbështeten çdo ditë nga qendra jonë” – tregon Gloria për “Faktoje”.

Qendra Komunitare nr. 5 është funksionale prej katër vitesh, që nga dhjetori i vitit 2016. Shkëlqimi dhe Andrea, dy personat e punësuar si specialistë në këtë qendër, tregojnë se aty ofrohen shërbime parashoqërore, ndërmjetësim, informim, këshillime dhe klasa passhkollore.

Qendra Komunitare nr. 5 në Shkodër

Kjo qendër ka në vëmendje jo vetëm mbështetjen e komunitetit të lagjes 5, por është edhe pjesë e një projekti të veçantë që përfshin të gjithë qytetin e Shkodrës.

“Ne punojmë me organizatën ‘Terre Des Hommes’. Fokusi janë familjet që kthehen nga emigracioni, familjet që shkojnë në azil ose ata që shkojnë si emigrantë të paligjshëm. Ky projekt ka funksionuar që në vitin 2016.” – tregon Andrea për “Faktoje”.

Mjediset në brendësi të Qendrës Komunitare nr. 5

Mjediset në brendësi të Qendrës Komunitare nr. 5

Qendra nr. 5 ofron klasa të ndryshme, mbështetje për fuqizimin e familjes, nisje biznesi si dhe qeverisjen e të ardhurave, njohuri të cilat mund t’u vijnë në ndihmë në vazhdimësi familjeve në nevojë.

“Ne, vetëm me këtë projektin e fundit 1-vjeçar kemi 116 familje të mbështetura, me rreth 500 anëtarë përfitues.” – përmbyll Andrea për “Faktoje”.

Verifikimin tonë e vijuam në Qendrën Komunitare nr. 1, por e gjetëm të mbyllur pas orës 16:00.

Qendra Komunitare nr. 1 në Shkodër

Pavarësisht problematikës ekzistuese me qëndrueshmërinë, për shkak të mungesës së fondeve nga ana e bashkisë dhe nevojës për të bashkëpunuar me organizata në kuadër të projekteve të ndryshme, plani fillestar i një qendre për çdo lagje të Shkodrës, nga 5 të tilla që ajo përfshin, duket se është zgjeruar me kalimin e kohës.

Nga verifikimi në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimi i kryebashkiakes së Shkodrës, për krijimin e qendrave komunitare në 5 lagjet e bashkisë, konsiderohet i mbajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img