Kuvendi nuk mundet ta zëvendësojë Lulzim Bashën në Këshillin e Europës deri më 31 dhjetor  

Sipas rregullores së KiE-së, kredencialet e anëtarëve janë të vlefshme deri më 31 dhjetor 2024

365
Ne foto: Deputeti i PD-se, Lulzim Basha ne mbledhjen e asamblese parlamentare te Keshillit te Europes

Në seancën e datës 2 shtator 2024, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, njoftoi se deputeti i PD-së, Lulzim Basha nuk ishte më pjesë e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Ju njoftoj se në Kuvend është depozituar shkresa e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, me nr. prot. 3309, datë 2.9.2024, ku njoftohen disa ndryshime në delegacionet e përhershme ndërkombëtare, si më poshtë: Zonja Albana Vokshi caktohet anëtare në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës”, tha Spiropali më 2 shtator.

Vetëm tre ditë më pas, Lulzim Basha, përmes një interviste, njoftoi se Kuvendi nuk mund të vendosë për zëvendësimin e tij. “E para e punës që ta sqarojmë një herë e mirë; nuk kanë as ata, as Edi Rama dhe Elisa Spiropali nuk kanë mandat të bëjnë një zëvendësim të tillë. Shumë shpejt kjo do t’u njoftohet zyrtarisht edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës”, tha Basha

Fakt 

Në fund të muajit shtator, Lulzim Basha ndoqi zyrtarisht punimet pesë ditore (30 shtator-5 tetor) të sesionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës mbajtur në Strasburg.

Kryetari i grupit te demokrateve auroatlantike, Lulzim Basha ne Strasburg

Ai zhvilloi disa takime dhe mbati një fjalë në emër të Grupit të Partisë Popullore Europiane, për sfidat që lindin nga lufta në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Asambleja ka pesë grupe politike, një prej tyre Grupi i Partisë Popullore Evropiane (EPP/CD) ku Basha është anëtar

Fjala e Lulzim Bashës u publikua zyrtarisht edhe në faqen e Këshillit të Europës si pjesë e sesionit të Asamblesë Parlamentare

Fjala e Lulzim Bashes e zbardhur ne faqen zyrtare te KiE-se

Lulzim Basha është ende anëtar i delegacionit të Asamblesë Parlamentare në faqen zyrtare të Këshillit të Europës

Në delegacionin e përhershëm pranë Asamblesë Parlamentare të Këshilllit të Evropës janë akredituar  4 anëtarë të përhershëm dhe 4 anëtarë zëvendësues. Nga PD-ja anëtarë zëvendësues janë Ferdinand Xhaferri dhe Jorida Tabaku 

Lulzim Basha figuron si pjesë e delegacionit edhe në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë

Screenshot e faqes zyrtare te Kuvendit lidhur me perberjen e delegacionit parlamentar ne Keshillin e Europes

Kuvendi

Më 16 shtator, Lulzim Basha i dërgoi një letër zyrtare Kuvendit (një kopje të së cilës e disponon edhe Faktoje.al) ku shkruante ndër radhë se Byroja Parlamentare e Këshillit të Europës e kishte refuzuar kërkesën e Kuvendit me argumentin se zëvendësimi gjatë sesionit të Asamblesë ishte i pamundur pa kërkesën e vetë anëtarit të delegacionit.

Foto nga shkresa qe Basha ia ka derguzra zyrtarisht Kuvendit

Për pasojë, Basha i kërkonte Kuvendit të merrte masat e nevojshme për të siguruar pjesëmarrjen e tij në plenaren e fund shtatorit

Faktoje.al iu drejtua zyrtarisht Kuvendit me një kërkesë për informacion gjatë kohës kur Basha ndiqte punimet e KiE-së se pse ishte ai dhe jo Albana Vokshi (edhe pse kjo e fundit i ndoqi një pasdite punimet e KiE-së), a e kishte refuzuar Byroja e Asamblesë Parlamentare kërkesën e Kuvendit për zëvendësimin e Bashës (siç pretendon ky i fundit) dhe, nëse po, cila ishte përgjigja e Kuvendit, çfarë hapash janë ndjekur për deputeten e zëvendësuar Albana Vokshi dhe së fundmi kush duhet ta përfaqesojë delegacionin në KiE nga PD?  

Kerkesa per informacion derguar Kuvendit

Përgjigja e Kuvendit nuk ishte shumë shteruese, por në thelb njoftonte se Lulzim Basha ishte pjesë e delegacionit në KiE deri në fund të muajit dhjetor.     

“Pas njoftimit në seancë plenare të datës 02 shtator 2024 për ndryshimin në përbërje të delegacionit pranë Asamblesë Parlamentare është kontaktuar dhe informuar sekretariati i Asamblesë

Jemi bërë me dije se sipas statutit dhe rregullores së Asamblesë, kredencialet e anëtarëve të delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë  si dhe ato të gjithë delegacioneve të vendeve të tjera janë miratuar në janar 2024 dhe janë të vlefshme për gjithë vitin, pra deri me 31 dhjetor 2024”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Ne foto: Pergjigja e Kuvendit

Faktoje.al kontrolloi në mënyrë të pavarur rregullat proceduriale dhe statutin që ndiqet nga Këshilli i Europës për anëtarët e akredituar. Nga verifikimet na rezulton se Lulzim Basha nuk mund të zëvendësohet gjatë këtij sesioni një vjeçar (që përfshin periudhën nga janari në janar). Ky proces zëvendësimi kryhet vetëm nëse anëtari jep dorëheqjen ose ka ndërruar jetë

screenshot e rregullores së KiE-se se kur ndryshohen anetaret e delegacionit

Përfundim

Nisur nga pjesëmarrja zyrtare e Lulzim Bashës në sesionin e Asamblesë Parlamentare të fund shtatorit, verifikimit të përbërjes së anëtarëve të delegacionit nga dy faqet zyrtare (Këshilli i Europës dhe Kuvend), rregulores së Këshillit të Europës për anëtarët e akredituar si dhe përgjigjes së vetë organit legjislativ, rezulton se, deklarata e Lulzim Bashës për pamundësinë e Kuvendit për ta zëvendësuar është e vërtetë. Të paktën deri në fund të muajit dhjetor.

Artikulli paraprakKujdes nga këshilla në rrjet për të trajtuar rrudhat me sodë buke
Artikulli tjetërFëmija im ka frikë
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.