Në Bashkinë Shkodër u prezantuan rezultatet e raportit të monitorimit mbi transparencën dhe llogaridhënien, në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, që Faktoje zhvillon për të katërtin vit radhazi në bashkëpunim me organizatën amerikane National Endowment for Democracy (NED). Raporti u bazua në verifkimin e 16 indikatorëve që rrjedhin nga detyrimet ligjore për funksionimin e pushtetit vendor dhe ai për të drejtën e informimit.

Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi këtë të martë, 30 janar, përpara përfaqësuesve të Bashkisë Shkodër, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile, gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer mbi punën e kësaj bashkie gjatë vitit 2023.

Ky monitorim vjen në zbatim të Projektit “40 premtime, 10 bashki”, e mbështetur për të tretin vit radhazi nga organizata amerikane National Endowment for Democracy (NED).

Bashkitë e monitoruara janë ajo e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Dibrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Kavajës dhe Himarës.

Analiza tregoi se nga 40 premtime elektorale të fushatës së Maj 2023 në të dhjetë bashkitë, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht dhe 11 pjesërisht. Ndërkohë, 24 premtime ose rreth 70% e premtimeve të bëra nga bashkitë apo kryebashkiakët e tyre nuk janë mbajtur.

Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Shkodër arrin në 100%, duke e renditur në vendin e parë nga 10 bashki në total. Kjo përqindje është llogaritur përmes 16 indikatorëve të matjes së transparencës që rrjedh nga kuadri ligjor vendas.

Nënkryetari i Bashkisë Shkodër Onid Bejleri vlerësoi gjetjet e raportit.

” Ky element monitorues nga Faktoje shërben si instrument korrigjues dhe ndihmues për Bashkinë Shkodër për matjen e performancës si dhe për premtimet gjatë fushatës, por jo vetëm”, theksoi Bejleri gjatë takimit.

Sa i takon mbajtjes së premtimeve, Bashkia e Shkodrës ka përmbushur pjesërisht tre prej tyre ndërkohë që një rezulton i pambajtur.

Monitorimi i vitit 2023 vë në dukje se bashkitë me performancën më të lartë përsa i përket transparëncës ndaj qytetarit janë ato të Shkodrës, Korçës dhe e Lezhës me 100% dhe më pas ajo e Dibrës duke plotësuar në masën 87.5%, kërkesat e legjislacionit sa i përket transparencës duke realizuar 14 nga 16 indikatorët e matur. Ndërkohë, Bashkia me performancën më të dobët është Bashkia e Kavajës, niveli i transparencës së të cilës është vetëm 18.7%.

Përsa i përket mbajtjes së premtimeve të kryebashkiakëve, rezualton se pjesa më e madhe e premtimeve për investime të reja apo rikonstruksione shkollash, qendrash kulturore dhe ndërhyrje në infrastrukturë, të deklaruara gjatë fushatave elektorale nuk janë mbajtur.

Monitorimi i kryer nga gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile synon të masë nivelin e transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri si dhe të nxisë ndarjen e informacionit për publikun si dhe llogaridhënien publike lidhur me vendimmarrjen, por edhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve. Premtimet u monitoruan në bazë të një metodologjie që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik si dhe vëzhgimet në terren. Ndër indikatorët e transprancës ishin programi e transparencës, konsultimi publik si dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit.

Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).